Do të dalë Greqia nga eurozona? - Takim i fshehtë i Ministrave të Financave të BE-së
7 Maj 2011Ministrat e financave të Gjermanisë, Francës, Spanjës, Italisë si dhe përfaqësues të Komisionit të BE-së, kanë zhvilluar konsultime për Greqinë në krizë të thellë borxhesh. Luksemburgu dhe Franca ishin vendet që thirrën takimin informal. Për shkak se kohët e fundit është debatuar mjaft ashpër për krizën e borxheve greke, ministrat donin të konsultoheshin drejtpërdrejt për "situatën aktuale", bëri të ditur para mediave drejtuesi i eurozonës, kryeministri i Luksemburgut, Jean -Claude Juncker.
Greqia nuk ka ndërmend të dalë nga eurozona
Shefi i eurogrupit, Jean-Claude Juncker, pas takimit në Luksemburg tha se nuk u diskutua për nxjerrjen e Greqisë nga eurozona. Gjithashtu u përjashtua edhe një ristrukturim i mundshëm i borxhit të saj, për të cilin ishte folur në tregjet financiare. Krahas Greqisë janë diskutuar edhe një sërë temash të tjera, tha Juncker.
Kundër zërave se Greqia po bën përgatitje për daljen nga eurozona, foli edhe anëtari i bordit të Bankës Qendrore Evropiane, Erkki Liikanen. "Asnjë shtet i eurozonës nuk planifikon të dorëzojë euron", tha Liikanen për një radio finlandeze të shtunën.
Klinz: Sa më shpejt ristrukturim të borxheve greke
Kritika për takimin sekret në Luksemburg vijnë nga eurodeputeti gjerman Wolf Klinz i partisë liberale (FDP). Për radion gjermane "Deutschland Funk" ai tha se ishte informuar nga mediat për takimin e krizës. "Do të kishte dhënë më shumë siguri dhe do të kishte lenë vend për më pak spekulime, po qe se do të ishte bërë publik takimi", tha Klinz duke vënë në dukje se është mirë të luhet me karta të hapura për këtë çështje. Eurodeputeti Klinz është për një ristrukturim sa më të shpejtë të borxhit grek. Sa më shumë të shtyhet ky vendim, aq më e rëndë është barra, tha eurodeputeti gjerman, duke theksuar se ky hap është i pashmangshëm.
"Greqia zbaton kursin e kursimeve"
Ministri grek i Financave Jorgos Papakonstantinu, i cili mori gjithashtu pjesë në takimin e krizës, theksoi se qeveria e tij do të zbatojë plotësisht programin e kursimeve, për të cilin ka rënë dakord me FMN dhe BE.
Portali i lajmeve "Spiegel Online", kishte njoftuar më parë se Greqia po konsideron daljen nga bashkimi monetar evropian. Si pasojë të premten (06.05.) pati një rënie të përkohshme të kursit të euros prej më shumë se 2 cent në krahasim me nivelin maksimal ditor. Greqia si vend me borxhe tepër të larta po mbështetet nga kredi të BE-së dhe FMN-së me një fond shpëtimi prej 110 miliardë eurosh.
Autor: AG/Arapi
Redaktoi: Eliana Xhani