Donald Trump - Zile zgjimi për Europën
11 Qershor 2018Herr Wadephul, Presidenti amerikan Donald Trump e tërhoqi miratimin për deklaratën e përbashkët të G7-s përmes Twitterit. Çfarë mund të ketë qenë motivi?
Johan Wadepuhl: Nuk mund të thuash me saktësi, nëse kjo ishte pasojë e momentit apo buroi nga skepticizmi i tij i njohur për institucionet multilaterale. Sidoqoftë është një mënyrë e çuditshme e formulimit të politikës. Duhet të kuptohet tani, se presidenti amerikan si lider i natyrshëm i botës perëndimore është larguar nga marrëveshja që e ka nënvizuar edhe njëherë atë që na mban si perëndim të bashkuar.
Ndryshon përfundimisht marrëdhënia e europianëve me presidentin, Trump pas kësaj fundjave?
Jam i sigurtë që vlen ajo që ka thënë një mbështetës i madh i marrëdhënies transatlantike, John McCain- që në Amerikë ka një konsesus të përgjithshëm jo partiak, proeuropian dhe protransatlantik, që mbështetet nga shumica e amerikanëve. Nuk duhet injoruar që administrata amerikane e zgjedhur në mënyrë demokratike dhe presidenti po e vënë këtë në pikëpyetje. Me heqjen dorë nga ujdia e shtatëve vendeve të industrializuara arrihet një pikë e re kulmore, e duhet të jemi të ndershëm e të pranojmë se me këtë president nuk bashkëpunohet siç ishim mësuar më parë. Kjo është një zile zgjimi për Europën dhe gjashtë shtetet e mbetura në këtë format.
Donald Trump ka propozuar ripranimin e Rusisë në rrethin e vendeve më të rëndësishme të industrializuara. Rusia u përjashtua pas aneksimit të Krimesë. Nga G8 u bë G7. Si e shikoni këtë propozim?
Nuk është i lehtë për t'u interpretuar. Nga ana tjetër duhet vënë re se presidenti e bëri këtë propozim, edhe pse e ka ditur, se nga partnerët e tjerë, Gjermania, Franca dhe Britania e Madhe do të kundërshtohej qartë. E rëndon marrëdhënien transatlantike edhe më shumë kur atij nuk i intereson mendimi i partnerëve europianë.
E shihni Europën të bashkuar aq sa duhet? Italia me qeverinë e re po dërgon sinjale miqësore në drejtim të Shtëpisë së Bardhë.
Njihet se Italia politikën europiane të Rusisë e ka parë më me rezerva, krahasuar me shtete të tjera. Për mua është vendimtare, që Gjermania dhe Franca janë më të bashkuar se rrallë ndonjëherë në të shkuarën. Akoma më e rëndësishme është që Britania e Madhe megjithë Brexit qëndron 100% pas linjës politike europiane. Europa është forcuar nga krizat, dhe kjo është një krizë e re për Europën.
Ç'pamje duhet të kishte një politikë e mençur europiane pas kësaj fundjave?
Ne europianët duhet ta shohim mesazhin në Twitter si një zile zgjimi, nëse kjo është ende e nevojshme. Kjo do të thotë, që ne duhet të bëjmë më shumë në drejtim të përcaktimit të një politike të përbashkët të jashtme dhe të sigurisë. Presidenti i Komisionit Europianm Jean-Claude Juncker ka thënë, se Europa nuk është e aftë në politikën botërore. Ne europianët duhet ta kuptojmë, se duhet ta marrim vetë në dorë fatin tonë, dhe të mbrojmë vlerat tona, mirëqenien tonë dhe lirinë tonë.
Europa, veçanërisht Gjermania i detyrohet shumë Shteteve të Bashkuara pas vitit 1945. Duke parë gjendjen e sotme a është Europa po kaq e rëndësishme për SHBA?
Po natyrisht. Bota nuk është më bipolare, por multipolare. Shtetet e Bashkuara janë natyrisht shumë të fuqishme në aspektin ekonomik, e të politikës së sigurisë. Por në një botë multipolare ato do t'ia dalin vetëm, nëse do mund të bashkohen me vende që u qëndrojnë vlerave si liria, pavarësia ekonomike, liria e shprehjes së mendimit dhe të drejtat e njeriut. Kemi një Japoni, Zelandën e Re, Australinë, Indinë, demokracinë më të madhe në botë. Por Europa mbetet një fortesë, një spirancë e pozitive e këtyre vlerave.
Besoj se SHBA e dinë se edhe në të ardhmen janë të varura nga një marrëdhënie e mirë me Europën. Sigurisht SHBA është një fuqi drejtuese perëndimore. Por "të drejtosh" nuk do të thotë të komandosh vetëm dhe të shohësh nëse po të binden. Të drejtosh do të thotë më shumë të japësh një drejtim, por edhe të kujdesesh që ata që duan të japin kontribut, kanë interesat e tyre, dhe ato duhet të përfshihen me mençuri.
Johann Wadephul është zëvendëskryetar i fraksionit tw unionit CDU/CSU në Bundestag, përgjegjës për politikën e jashtme, mbrojtjen dhe politikën e përbashkët të sigurisë dhe Këshillin e Europës.