Draghi kritikon "frikën" gjermane
30 Dhjetor 2013Për presidentin e Bankës Qendrore Evropiane (BQE) rreziku i shpërbërjes së bashkimit monetar është frenuar në masë të madhe. Kriza nuk është kapërcyer ende, por ka shumë shenja inkurajuese, tha Draghi në një intervistë të botuar të shtunën në revistën "Der Spiegel". Përmirësimin e gjendjes Draghi e lidhi edhe me kursin e tij, që bankat të pajisen me mjete shtesë financiare, gjë që hasi para së gjithash në rezistencën e Gjermanisë. "Çdo herë dëgjohej "larg qoftë, ky italian po e shkatërron Gjermaninë. Ishte ajo frika perverse se gjërat mund të merrnin për keq", u ankua bankieri italian. Por ajo që ndodhi ishte e kundërta. "Inflacioni është i ulët, pasiguria është pakësuar."
Shpëtimtar në hall
66 vjeçari e fuqizoi në verë 2012 - në një nga kulmet e eurokrizës - aftësinë për veprim të Bankës Qendrore. "BQE do të bëjë të gjitha hapat e nevojshme për ta mbajtur euron. Dhe më besoni - do të mjaftojë", tha Draghi. Së bashku me deklaratën e BQE, se kjo bankë do të blejë në kushte të caktuara kredi shtetërore të shteteve problematike, kjo deklaratë e Draghit konsiderohet ndërkohë si pikë kthese e krizës. Pas kësaj, tregjet financiare u qetësuan, megjithëse në të vërtetë nuk erdhi puna deri te blerja e kredive shtetërore në kuadër të programit të ri.
Megjithatë kritika për rolin kaq aktiv të Bankës Qendrore edhe sot vazhdon. Në kampin e kritikëve bën pjesë para së gjithash presidenti i Bankës Qendrore Gjermane, Jens Weidmann. Weidmann paralajmëroi në "Bild"-Zeitung për një "siguri mashtruese". Kriza financiare mund të shpërthejë sërish, nëse shtetet e eurozonës do ta humbasin me të vërtetë kursin e reformave. Euroja ndodhet në "kemp", atje duhet durim dhe një vullnet i fortë, përndryshe ekziston rreziku i ringjalljes së simptomave.
Kritika ndaj politikës së interesave bankare
Draghi e hodhi poshtë kritikën, se politika e interesave të ulëta bankare shkon në dëm të kursimtarëve. Që fitimi i disa investimeve nuk arrin të kompensojë as inflacionin, ky nuk është faji i BQE, tha ai. "Veçanërisht vitet e fundit ne nuk kemi qenë në gjendje fare për t'i kontrolluar interesat bankare afatgjata, sepse investuesit qenë bërë shumë të pasigurtë për shkak të krizës së euros", u mbrojt ai.
Draghi aktualisht nuk e quan të nevojshme që të ulen edhe më tej interesat orientuese bankare. Aktualisht nuk mund të flitet për deflacion, tha ai.