Drejtësia paralele në Gjermani
25 Prill 2012Të ashtuquajturit "gjykatës të pajtimit" islamikë në veçanti janë aktiv në zonat e qyteteve gjermane ku banojnë shumë myslimanë. Ata aktivizohen në rastet e konflikteve mes myslimanëve dhe duan të zgjidhin problemet mes familjeve për shkak të grindjeve apo trashëgimisë. Ata ndërmjetësojnë edhe në rastet e dëmtimeve serioze trupore, kërcënimeve dhe dhunës.
Autoritetet gjermane, në qoftë se marrin vesh për këto gjëra, shpesh përballen me heshtjen e viktimave dhe keqbërësve. Ata nuk japin deklarata dhe në të shumtën e rasteve mungojnë dëshmitë për procese gjyqësore. Ndaj autorët e këtyre veprave mbeten të pa dënuar.
Strukturat tradicionale dhe klanet
Gazetari me përvojë të gjatë dhe juristi Joachim Wagner është marrë vitin e kaluar intensivisht me këtë fenomen dhe ka shkruar librin "Gjykatësit pa ligj". Autori përshkruan zhvillimet në Berlin, Essen dhe Bremen, sepse në këto qytete janë të përqendruar kurdët nga Libani që jetojnë në klane dhe struktura fisnore. Ndër ta janë edhe 20 - 30 famlije të kriminelëve të rëndë. Në grindjet mes familjeve faji u jepet atyre të cilët mund të dënohen më së paku, pra më të rinjëve në familje.
Wagner kujton se tradita e ndërmjetësimit mes familjeve ka lindur në kohën kur nuk ka pasur shtet, drejtësi dhe polici. Pra fiset është dashur të rregullojnë gjërat vet mes vete.
Ndërmjetësimi shpesh si diktat
Wagner thotë se në familje ka struktura klanesh dhe raporte të caktuara. Ndaj shumë shpesh ndodhë që ndërmjetësimi bëhet prej familjeve më të mëdha dhe më të fuqishme. Kjo formë drejtësie kryesisht ka të bëjë me rastet e gjakmarrjeve, rrëmbimeve, martesave me detyrim dhe në rastet e dhunës. Ajo mund të përmblidhet sipas motos "këto gjëra i rregullojmë ne vet mes vete". Strukturat e fiseve dhe klaneve janë shumë të përhapura tek disa grupe etnike në disa qytete.
Reagimet e strukturave politike
Zëvendëskryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Günter Krings, pohon se këtu duhet të veprojë shteti juridik: "Ne kërkojmë prej të gjithë shtetasve gjermanë, pa marrë në konsideratë se cilës fe i përkasin, që t'u përmbahen rregullave të shtetit juridik. Strukturat paralele nuk duhet të pranohen."
Qeveria gjermane deri tani nuk ka të dhëna empirike për përhapjen e këtyre strukturave paralele në vend dhe për veprat penale që përfshihen në këto ndërmjetësime. Por qeveria është e pakënaqur me gjendjen në këtë sektor, pohon Andrea Voßhoff, drejtuese e grupit juridik të partive CDU/CSU.
Një hap më tej ka shkuar në këtë drejtim ministria bavareze e drejtësisë. Libri i Wagnerit është edhe një dëshmi se drejtësia paralale funksionon vetëm në vendet ku nuk ka shtet juridik, pohon ministrja bavareze Beate Merk.
Kjo ministri, sipas Merk, nuk është kundër zgjidhjes së problemeve dhe konflikteve jashtë gjykatave. Por kjo punë duhet të jetë transparente dhe të kryhet para syve të organeve juridike, sepse shumë shpesh ndodhë që kjo lloj drejtësie nuk është e drejtë. Në radhë të parë dëmtohen femrat, të cilave nuk u jepen kurfarë të drejtash. Në Bavari është krijuar vitin e kaluar një grup pune me ekspertë nga sektorë të ndryshëm, që merret me rastet e veçanta.
Ky s'është vetëm problem i fesë islame
Nënkryetari i gjykatës vendore në Berlin-Tiergarten, Peter Scholz, thotë se ky nuk është vetëm problem i fesë islame dhe se këtë fenomen e gjejmë edhe tek grupet tjera të organizuara sipas klaneve. Edhe ministrja bavareze konfirmon këto të dhëna duke shtuar se problemet e tilla pengojnë integrimin më të shpejtë të migrantëve. Ndërkohë që fenomeni fetar mund të ashpërsojë gjendjen edhe më shumë.
Qëllimi i autoriteteve është që me kundërmasat e nevojshme të zbuten problemet me strukturat paralele. Të domosdoshme janë eliminimi i mungesës së iformacioneve dhe kthimi i besimit tek organet juridike dhe shteti juridik.
I ngarkuari për çështje të ingegrimit i partive CDU/CSU Michael Frieser propozoi edhe regjistrimin e ndërmjetësuesve dhe verifikimin e tyre. ”Në këtë mënyrë edhe ata mund të veprojnë në kornizat e shtetit juridik”, tha ai.
Të prekura në veçanti gratë
Avokatja dhe publicistja me origjinë turke Seyran Ateş thotë se pasojat e drejtësisë paralele janë shumë të rënda, në veçanti për gratë. Të ashtuquajturit ndëmjetësues ftohen shpesh nga qarqet të cilat mendojnë se sistemi juridik gjerman u jep tepër të drejta femrave. Në këtë kuptim, raportuesi i grupit parlamentar CDU/CSU, Patrick Sensburg pohon: ”Ne duhet të bëjmë të qartë se e drejta e shprehjes së vendimeve dhe dënimeve është e drejtë e rezervuar vetëm për shtetin juridik dhe jo për persona.”
Partitë CDU/CSU kanë parashikuar që të vazhdojnë diskutimet për këtë temë. Ato kanë parashikuar edhe hapjen në ministrinë federale të Drejtësisë të një vendi të posaçëm pune për këtë çështje, me qëllim që çështja të trajtohet seriozisht dhe të mos përhapet panik i panevojshëm.
Autorë: Sabine Ripperger / Bahri Cani
Redaktoi: Esat Ahmeti