Dritëhijet e 20 viteve demokraci në Shqipëri - Sondazh në Tiranë
21 Dhjetor 2010Njëzet vjet pas rënies së Murit të Berlinit dhe valës së ndryshimeve në ish- vendet komuniste të Europës në Shqipëri kanë ndodhur ndryshime të prekshme dhe të dukshme. Shteti komunist që dështoi t'u siguronte qytetarëve të drejtat dhe liritë themelore nuk ekziston më. Po kështu edhe ekonomia e centralizuar dhe shoqëria e indoktrinuar. Në vend të tyre sot në Shqipëri ka një shtet demokratik, ekonomi tregu dhe një shoqëri civile që tenton modernizimin e saj. Por të dhënat e përftuara prej sondazhit të kryer nga Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare dhe disa organizata të shoqërisë civile, me mbështetjen e Fondacionit ”Friedrich Ebert” tregojnë se disa nga pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë edhe pas 20 vitesh nuk janë realizuar.
Si i perceptojnë shqiptarët 20 vjet demokraci
Edlira Majko, bashkëpunëtore shkencore në këtë Institut thotë për DW se pyetjet drejtuar 1200 qytetarëve në 10 qytetet kryesore të vendit kishin të bënin me nivelin e demokracisë, zbatimin e ligjit, garantimin e të drejtave dhe lirive themelore, nivelin e shërbimeve, të gjitha të krahasuara me kohën e regjimit të kaluar.
Majko vlerëson rezultatet e sondazhit: “Shumica e shqiptarëve mendojnë se arsimi dhe shëndetësia kanë patur nivel më të lartë në kohën e regjimit komunist. Sipas tyre në kohën e atij regjimi njerëzit i respektonin ligjet më shumë sesa sot. Por të dhënat e sondazhit tregojnë se shqiptarët vlerësojnë pozitivisht përmirësimin e kushteve të jetesës."
Sipas të intervistuarve 20 vjet pas rënies së regjimit, Shqipëria është një shtet demokratik ku qytetarët gëzojnë më shumë liri dhe të drejta, por ata nuk janë të kënaqur me rishpërndarjen e pronave dhe mendojnë se pengesa kryesore për ta realizuar drejt atë është korrupsioni.
Po ashtu ata mendojnë se ryshfeti është një mekanizëm që atyre u zgjidh punë. Ndërkohë që 89% e të intervistuarve mendojnë se politikanët janë ata që thyejnë ligjin dhe qëndrojnë mbi ligjin, rezulton sondazhi
Korrupsioni - realitet bazik në Shqipëri
Këto të dhëna për këdo që jeton në Shqipëri nuk janë të papritura. Për sociologun e njohur, Prof. Kosta Bajraba, një nga arsyet është ofrimi i shërbimeve të dobëta dhe jo efikase nga shteti, shërbime që mbahen nga taksapaguesit. “
Sistemet e shërbimeve në Shqipëri që janë ndërtuar gjatë 20 viteve të fundit kanë vuajtur nga pafuqishmëria. Sistemi arsimor vuajti pasojat e tranzicionit dhe u margjinalizua. Ai nuk pati vëmendjen shoqërore, politike dhe kombëtare që kishte në kohën e regjimit komunist. Shoqëria shqiptare nuk është bërë një shoqëri meritokratike që secili të marrë në bazë të investimit që ka bërë."
Sociologu Kosta Barjaba nxjerr në rolin negativ që ka pasur helmatisja e sistemit nga faktorë jashtë arsimit, në rradhë të parë nga ata politikë. Sipas tij, për shërbimin shëndetësor pengesa kryesore për t'iu përgjigjur kërkesave të qytetarëve është korrupsioni. Për sociologun Kosta Barjaba fillimi i fundit i nivelit të ulët në arësim dhe shëndetësi do të nisë kur politikëbërësit të kenë vizione të qarta dhe vullnet për të ngritur sisteme efikase arsimore dhe shëndetësore. Për këtë lypset plotësimi i kuadrit ligjor me ligje të standarteve të BE-së, që nuk lënë vakume dhe interpretime ekuivoke, shprehet Barjaba.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Lindita Arapi