DW në shqip kremton ditëlindjen e 20-të
10 Tetor 201220 vjet më parë, kur i mbarë kontienenti ishte përfshirë nga erërat e vrullshme të ndryshimeve të mëdha dhe përmbysjeve të sistemeve politiko shoqërore dhe në një dekadë kur revolucioni I teknologjisë së informacionit kishte përfshirë mbarë botën, “Deutsche Welle“ filloi të flas shqip falë një ekipi gazetarësh të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe Gjermania me në krye Adelheid Feilcke-Tiemann, një gjermane, njohëse e gjuhës shqipe dhe e botës shqipfolëse. Misioni: angazhim i plotë me profesionalizëm, përgjegjësi dhe përkushtim. Një mision i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite, me raportime nga këndvështrimi gjerman dhe evropian për temat dhe zhvillimet më relevante ndërkombtare evropiane dhe veçanërisht ato të rajonit e të Evropës Juglindore, rrëfen Vilma Filaj-Ballvora, ndër gazetaret e para dhe sot drejtuese e seksionit shqip të DW-së. „Oferta informative e Deutsche Welles është online, televizion dhe radio në fushat: politikë, ekonomi, shoqëri, kulturë dhe shkencë-fusha, në të cilat Gjermania ka çfarë të ofrojë për vet specifikën e saj si një nga ekonomitë më të fuqishme në Bashkimin Evropian, si një vend me një histori komplekse të trazuar dhe me përvojë, veçanërisht për sa i përket periudhës së tranzicionit kur arriti të realizojë me sukses kalimin e landeve lindore nga ekonomia e centralizuar në atë të tregut“.
DW përcolli nga afër trazirat e viteve 90-të në Kosovë dhe Shqipëri
Deutsche Welle në shqip filloi transmetimitn para 20 vjetësh, në Këln me ofertën informative në radio në valë të shkurtëra me transmetimin e materialeve përmes shiritave manjetik. Që nga 2004 me seli në Bon, stafi i redaksisë, vazhdon punën me përkushtim, përgjegjësi dhe profesionalizëm përderisa për të mbajtur në vëmendje rajonin dhe për marrjen e informacioneve nga dorë e parë, përkujdeset rrjeti i korrespondentëve.
„20 vjet pas, me oferta radiofonike - të dhjetëfishuara, me krizën në Shqipëri në fund të viteve 90-të dhe me shpërthimin e luftës në Kosovë me ´98-´99, kur Deutsche Welle kishte deri në dhjetë edicione në ditë në valët FM. Kjo ofertë e gjerë radiofonike ndikoi që sot e kësaj dite në memorjen e publikut Deutsche Welle në shqip të quhet si radio, çfarë vërtetojnë edhe hulumtimet e fundit me 2009 ku rezulton se 90 për qind e të anketuarve në Shqipëri dhe Kosovë e njohin radion DW. Veçanërisht në Kosovë, deri në 50 për qind e popullsisë e ka dëgjuar DW-në në shqip, me ç´rast do te veçoja edicionin special në periudhën e luftës në Kosovë, ndërsa në periudhën prill-tetor 1999 ne hapëm një linjë speciale telefonike 24 orë në shërbim të refugjatëve që kishin humbur të afërmit e tyre e cila është kontaktuar nga mbi tetëqindmijë njerëz”, kujton Filaj-Ballvora, e cila shtoi se DW si afrues informacioni mbërrin tek auditori në forma të ndryshme, përmes letrave në redaksi, dialogut ne rrjete sociale, duke qenë e cituar dhe duke u ribotuar në media të ndryshme rajonale, në raste të caktuara deri në 100 artikuj në muaj”, shpjegoi z.Filaj-Ballvora.
Dje dritare drejt botës së lirë ndërsa sot përcjellëse e integrimit evropian
„Programet e Deutsche Welles të Evropës Qendrore dhe Juglindore shpjegojnë rolin e Gjermanisë në Evropë dhe bashkësinë evropiane të vlerave. Programet kanë në fokus lirinë e shtypit, të drejtat e njeriut dhe ndërtimin e demokracisë. Ato ofrojnë informacione shtesë dhe të thelluara në një formë që nuk janë në rajon“. Ndërsa, 20 vjetori i redaksisë në gjuhën shqipe është një arsye për të kremtuar, sepse vërteton lidhjen e thellë të Deutsche Welle-s me gjuhën shqipe dhe popullin e Evropës Juglindore, meqë redaksia kroate dhe serbe kremtojnë 50 vjetorin, tha Verica Spasovska, drejtuese e programeve të DW-se për Evropën Juglindore. „Gjysmë shekulli oferta gazetareske nga Deutsche Welle për Evropën Juglindore, të cilat kanë ndryshuar me kohën. Gjatë luftë së ftohtë, Deutsche Welle ishte një zë i lirisë dhe një dritare drejt botës së lirë, gjatë luftërave në ish Jugosllavi një burim i pavarur dhe objektiv, ndërsa sot ajo përcjell procesin e integrimit evropian. Ne përpiqemi që ta sqarojmë rolin e Gjermanisë në Evropë. Para së gjithash në krizën e BE-së, ku ka zëra të shumtë që janë kundër zgjerimit të Evropës posaçërisht në Ballkanin Perëndimor, të cilët përpiqemi t´i bindim se zgjerimi për këto treva është një burim paqeje. Dhe natyrisht, misioni ynë nuk është që të japim informacione të shpejta, por të bëjmë analiza me informatat e shumta në prapavi, duke e kuptuar veten në këtë kohë të multimedias si një medium komplementar. Ndërsa, këndvështrimet e ndryshme krahas stafit në Bonn na i mundëson edhe rrjeti i gjerë i korrespondenteve nëpër vende të ndryshme“.
Shtrirje e urave lidhëse në 30 gjuhë
Ndërsa, në jubileun e Deutsche Welle-s në shqip, jemi këtu për të bashkëbiseduar me moton: “Të ndërtojmë ura lidhëse”, tha Christian Gramsch, drejtor i programit të DW-së: „Ne e kuptojmë veten si një kartëvizitë multimediale e cila përfaqson Gjermaninë në botën e medias dhe natyrisht si të tillë, dëshirojmë të afrojmë sa më shumë njerëz rreth vetes. Dhe, ne këtë e bëjmë në 30 gjuhë dhe atë: në radio, në televizion, në internet dhe në mediat sociale. Me këtë rast do doja të theksoj sërish se, ne financohemi nga parlamenti gjerman dhe natyrisht kemi edhe kontrollin. Por, jemi shumë krenar që kemi ruajtur pavarësinë. Prandaj, auditori ynë duhet të jetë i sigurt se informacionet tona janë të hulumtuara mirë, të vërteta, të paanshme dhe nuk përfaqësojnë interesin e askujt. Ndërsa, synimi ynë nuk është vetëm të japim informata por të zhvillojmë edhe një dialog ndërmjet vete”.
Në Bibliotekën Kombëtare Universitare në Prishtinë, ku në praninë e strukturave të larta shoqërore dhe politike delegacioni i nivelit të lartë të Deutsche Welle-s prezantoi ofertën e re multimediale, Komisioni i Ekonomisë Gjermane për Evropën Lindore prezantoi Programin e Bursave të Ekonomisë Gjermane 2013, përderisa të pranishmit u argëtuan nga repertoari i zgjedhur i Bethovenit dhe Shopenit intepretuar nga pianisjta Lule Elezi.