1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

E djathta populiste - një tendencë europiane në forcim

9 Shkurt 2020

Në shumë vende europiane, populistët e djathtë qeverisin ose bashkëqeverisin, duke e paraqitur veten si liberal-konservatorë. Edhe partia gjermane populiste e djathtë, AfD e përdor po ashtu këtë nocion.

https://p.dw.com/p/3XSQI
Italien Mailand Treffen von Europas Rechtspopulisten
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/L. Bruno

Eurodeputeti dhe kreu i partisë populiste të djathtë, AfD, Jörg Meuthen u shpreh i gëzuar për rezultatin e papritur në Tyringji këtë javë. Për herë të parë në një land gjerman u zgjodh një kryeministër me ndihmën e AfD-së. Meuthen tha për gazetën "Frankfurter Allgemeinen Zeitung", se partia e tij AfD, kristiandemokratët e CDU-së dhe liberalët e FDP-së krijojnë një "rreth konservator-liberal". Ndërkohë politikani i zgjedhur i FPD-së në Tyringji si kryeministër, Thomas Kemmerich u dorëhoq nga posti, por për AfD-në mbetet suksesi i futjes në "kampin liberal-konservator". Eurodeputeti i majtë, Martin Schirdewan e kritikoi ashpër bashkëpunimin kohëshkurtër mes CDU, FDP dhe AfD si "thyerje tabuje". Për populistët e djathtë në Europë, që paraqesin ndërkohë grupin parlamentar të katërt më të madh, Tyringjia paraqet një hap tjetër suksesi, një simptomë e një trendi të dukshëm prej vitesh në BE.

Europawahl - Berlin AfD Jörg Meuthen
Jörg Meuthen, AfDFotografi: picture-alliance/dpa/C. Soeder

Në shumë vende populistët e djathtë janë pjesëmarrës në qeveri, krijojnë grupimin më të fortë parlamentar ose i kanë dobësuar ndjeshëm partitë tradicionale. Gjermania ishte deri të mërkurën një përjashtim. Vetëm në muajt e fundit në Austri dhe Itali populistët e djathtë pësuan disa goditje. Tyringjia, megjithë dorëheqjen e Kemmerichs, duket se i jep më shumë besim AfD-së dhe grupit parlamentar populist "Identiteti dhe demokracia" (ID) në Parlamentin Europian. Krahas AfD-së aty janë të përfaqësuar edhe Lega e radikalit të djathtë, Matteo Salvini, partia austriake  FPÖ e shkundur me themel nga skandali i (i njohur si afera e Ibicës, shën red.) dhe "Asambleja Kombëtare" franceze e Marine Le Pen.

Të qenit djathtas në Austri është prej kohësh normale

Në Austri, FPÖ ka qenë e përfaqësuar disa herë në nivel qeveritar federal. Partia kristiandemokrate, ÖVP nën kreun e saj "fleksibël", Sebastian Kurz është afruar me pozicionet e FPÖ-së dhe gati e përqafoi këtë parti. Në disa lande, po ashtu FPÖ ka qenë e përfaqësuar. Madje edhe me socialdemokratët ka pasur në landin "Burgenland" një koalicion deri në skandalin e "Ibicës" vitin e kaluar. Vitin e kaluar, atëherë kreu i FPÖ-së, Strache donte t'i shiste shërbimet politike një gjoja vajze të një oligarku. Kjo u zbulua përmes një videoje të filmuar fshehurazi. Qeveria u rrëzua dhe FPÖ u largua nga qeveria. Kreu i FPÖ-së në parlamentin austriak, Herbert Kickl i mbështeti të premten kolegët e partisë mike në Tyringji duke i quajtur zhvillimet në Tyringji si "përshtypje e një shtrembërimi total të demokracisë" që ofrojnë "të vetëemëruarit mbrojtës të gralit të shenjtë". Kickl kishte parasysh këtu kritikën që iu bë CDU dhe FDP në Tyringji që zbutën vijën ndarëse me AfD.

Demonstration gegen Moscheeneubau
Protestë populiste kundër ndërtimit të xhamisë në Köln, (30.03.2016)Fotografi: picture-alliance/dpa/O. Berg

Në Itali nuk ka drojë

Edhe në Itali kufijtë ndarës me kristiandemokratëve, konservatorëve dhe radikalëve të djathtë kanë rënë prej kohësh. Partia nacional-konservatore, "Forza" e Silvio Berlusconit punon hapur me populistët e djathtë të Legas dhe neonazistët e "Fratelli d'Italia". Të treja partitë duan në zgjedhjet e ardhshme të fitojnë si aleancë e djathtë mbi kampin e majtë të populistëve të "5 Yjeve" e socialdemokratëve. Lega e Matteo Salvinit ka bashkëqeverisur në Romë. E Salvini vazhdon të jetë shumë popullor, edhe pse zgjedhjet rajonale në rajonin e Emilia Romagnas i humbi me distancë të vogël votash. "Thyerja e tabusë" ka ndodhur prej vitesh në Itali. Në Itali qytete, komuna e rajone të tëra qeverisen nga populistët e djathtë.

Populistët e djathtë të forcuar

Në Francë partia e Marine Le Pen, "Asambleja Kombëtare" pret që të fitojë ndjeshëm në zgjedhjet komunale në mars. Le Pen që e ktheu Frontin Nacional në "Asamble Kombëtare" ka kohë që ka hyrë thellë në kampin liberal-konservator. Partitë e dikurshme konservatore janë zvogëluar. Le Pen synon që nga bashkitë të ngjitet në pushtet në nivel kombëtar. Në vitin 2022 ajo synon të jetë presidente e Francës e do të dalë kundër Emmanuel Macron në zgjedhje. Një zgjedhje si në Tyringji nuk do të shokonte askënd në Francë. Në Spanjë konservatorët dhe populistët e djathtë të Vox bashkëpunojnë në Andaluzi. Në nivel kombëtar, Vox është forca e tretë politike në vend dhe vazhdon të depërtojë në kampin konservator. Në Holandë, kryeministri liberal, Mark Rutte ka dy parti populiste pas vetes. Në Belgjikë, vend që prej 14 muajsh pa qeveri, sipas sondazheve, nacional-konservatorët flamandë të "Vlams Belang" dalin partia më e fortë. Në Finlandë populistët e djathtë janë vetëm pak pikë pas socialdemokratëve në vendin e dytë, më parë ata kanë qenë edhe në qeverisje. Lista vazhdon. Në Zvicër, Poloni, dhe Hungari nacionalistët dhe populistët qeverisin me shumicë të qartë. Kampi "liberal konservator" në këto vende ka kohë që është dobësuar.

Proteste gegen Bundesparteitag der AfD
Protestë kundër kongresit të AfD-së në Köln (22.42017), dhe Björn Hocke, të njohur si radikal i djathtë në AfD - Parrullat që lexohen "Jo urrejtjes kundër myslimanëve" dhe "Kurrë më- asnjë skenë për AfD"Fotografi: picture-alliance/dpa/M. Becker

Tani edhe Gjermania?

Tani edhe Gjermania? AfD, që filloi karrierën politike si parti euroskeptike në kohën e krizës financiare dhe që është zhvendosur gjithnjë e më djathtas si parti kundër migracionit është ndërkohë partia më e fortë opozitare në Bundestag. Një pjesëmarrje në qeveri në një land si Tyringjia duket si "një avari teknike", të cilën CDU dhe FDP duan ta riparojnë. Kryeministri që u ngjit në post me votat e AfD është dorëhequr, parlamenti mund të shpërndahet. Në plan afatgjatë mund të ndodhë që edhe Gjermania të ndjekë trendin që ka kohë që është realitet në Europë. Partitë e mëdha popullore janë ose duke humbur ndjeshëm elektorat ose po humbasin nocionin parti popullore. Skajet politike, sidomos ai i djathtë janë forcuar. Dështimet si në Austri apo Itali vetëm e ngadalësojnë këtë zhvillim, por duket se nuk e ndalin.

Bernd Riegert, me kostum dhe kravatë të kuqe, me kostum blu dhe këmishë bojëqielli.
Bernd Riegert Korrespondent nga Brukseli, me fokus te njerëzit, ngjarjet dhe politikat në BE