1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Edhe në vendet myslimane diskutohet për ndalimin e mbulimit të grave

1 Tetor 2010

Ndalimi që i bëhet në Evropë, në vende si Belgjika dhe Franca, mbajtjes së ferexheve në publik, has në kritika të ashpra në vendet islamike. Por edhe në disa vende arabe ka kritika të ashpra për perçen dhe burkan.

https://p.dw.com/p/PRbu
Ndalimi i mbulimit të grave argumentohet me shkaqe sigurie
Ndalimi i mbulimit të grave argumentohet me shkaqe sigurieFotografi: picture alliance / dpa

Përsa u përket perçeve, sirianët ishin më të shpejtë se francezët: dy javë para miratimit të parë të ndalimit të mbulimit të fytyrës në publik nga Asambleja Kombëtare franceze korrikun e kaluar, regjimi i Damaskut kishte marrë masa të rrepta: 1200 mësuese që mbanin perçe u transferuan pa e zgjatur në vende, ku ato nuk kishin kontakt me fëmijët. Pak pas kësaj, ministria e Arsimit i dëboi dy studente të mbuluara krejtësisht nga auditoret e universiteteve siriane:

"Në shkollat fillore ka pasur probleme me mësueset e mbuluara plotësisht. Ka pasur vështirësi komunikimi midis mësuesve dhe nxënësve. Prandaj, nga ana e ministrisë së Arsimit u mor vendimi që mësueset e mbuluara krejtësisht me çarçaf të largohen krejtësisht nga shërbimi në shkolla..."

...i shpjegon masat e qeverisë në Damask avokatja dhe veprimtarja e grave, Dad Musa.

"Dhe pas kësaj u tha se edhe në universitete ekzistojnë të njëjtat probleme komunikimi - për shkak të numrit të lartë të studenteve me perçe."

Një masë që të tërheq vëmendjen. Sepse në Siri - si në shumicën e vendeve të botës arabe - numri i grave të mbuluara nëpër rrugë vitet e fundit është shtuar shumë, edhe nëse shumica e sirianeve nuk mbulohen krejtësisht. Por regjimi i Bashar Al-Assadit vetë, megjithë lidhjet e tij të ngushta me Hamasët, Hisbollatë dhe Iranin - është regjim laik, i cili shtyp krahas grupeve opozitare demokratike, edhe grupet fetare.

Problem komunikimi apo islamizimi politik?

Atë që Musa e quan "problem komunikimi", ekspertë të tjerë e quajnë masë kundër një islamizimi të fortë politik të vendit.

Edhe në Egjipt, grindja për perçet ka shpërthyer me gjithë fuqinë e saj, madje edhe qarqe zyrtare fetare shqiptojnë kritika për mbulim të tepruar. Abd al-Muti al Bayyumi, anëtar i Këshillit të Lartë të Klerikëve në universitetin Azhar, e mbështeti madje në mes të shtatorit publikisht ndalimin e mbulimit të grave, të shqiptuar nga Asambleja Franceze. Ai tha se mbulimi i fytyrës nuk ka asnjë bazë në fenë islame. Në intervistë me Deutsche Wellen ai shtoi:

"Nganjëherë, një mbulim i plotë i femrës paraqet kërcënim për ambientin. Nuk e di, nëse nën mbulim ndodhet një burrë, apo një grua, nëse dikush ka fshehur armë apo objekte kërcënuese. Prandaj më pëlqen ligji francez, sepse e ndalon mbulimin e plotë për shkaqe sigurie."

Megjithatë, Al Bayumi thotë se është në dorën e çdo shoqërie që ta vlerësojë masën e rrezikut dhe të marrë masa kundër tij. Grupe opozitare në Egjipt, si Vëllazëria Myslimane me ndikim janë rreptësisht kundër ndalimit të mbulimit. Për ta me këtë shkelen ndjenjat fetare.

Autor: Bachir Amroun/ Auron Dodi

Redaktoi: Esat Ahmeti