Edi Rama në Kosovë: Problemi i Kosovës është çështje e Evropës
8 Shtator 2007Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama, tha në Prishtinë se problemi i Kosovës është çështje
e Evropës dhe sipas tij, i takon Bashkimit Evropian që ta mbyllë këtë çështje me dinjitet, duke e njohur
pavarësinë e Kosovës mbi bazën e kompromisit që përmban plani i Marti Ahtisaarit. Këtë qëndrim kryesocialisti Edi Rama, e shprehu gjatë disa
takimeve që zhvilloi me udhëheqësit kryesor politik kosovarë. Edi Rama, së bashku me një delegacion të lartë të Partisë Socialiste, po qëndron për një vizitë dy ditëshe në Kosovë dhe këtë vizitë ai e cilëson si një konfirmim të qëndrimit të Partisë së tij, për pavarësinë e Kosovës.
Presidenti i Kosovës, nga ana e tij, thotë se pala kosovare vazhdon të jetë partnere e ngushtë e bashkësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e statusit të Kosovës. Në këtë linjë Kosova sipas tij do të angazhohet po ashtu që të ketë marrëdhënie të mira me vendet fqinjë përfshirë edhe Serbinë edhe pse Serbia sipas presidentit Sejdiu vazhdon me kërcënimet e saj.
Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, tha se ai do të angazhohet që ta çojë deri në fund
punën për hartimin e një rezolte nga grupi socialist evropian në Parlamentin Evropian në mbështetje të plotë të pavarësisë së Kosovës bazuar në pakon e Marti Ahtisarit. Pakoja e Ahtisarit sipas zotit Rama, nuk mund të negociohet më sepse është një projekt i arritur më shumë mund dhe shumë kompromise.