1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Eficienca simbolike e kornizës' - Bienale Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor në Tiranë

18 Shtator 2009

60 artistë nga 30 vende të botës paraqesin në Tiranë veprat e tyre artistike të frymëzuara nga e sotmja. Mes tyre është edhe piktori i njohur berlinez Franz Ackerman, që paraqitet me një murale krejt origjinale.

https://p.dw.com/p/Jjf4
'Këmbësori shqiptar' nga Franz Ackermann në Bienalen Nderkombëtare të Artit Bashkëkohor në Tiranë. Ne foto: murali ne fjale me ngjyra te ndezura portokolli e me vija te gjalla gjarperueshe
'Këmbësori shqiptar' nga Franz Ackermann në Bienalen Nderkombëtare të Artit Bashkëkohor në Tiranë.Fotografi: DW

Një murale gjigande, e titulluar " Këmbësori shqiptar", e vendosur ne hollin e Hotel Dajtit, është vepra artistke që hap Bienalen Nderkombëtare të Artit Bashkëkohor në Tiranë. Në qendër të saj është forma e Shqipërisë, ndërkohë që nga i gjithë perimetri i saj dalin qindra vija të çrregullta, ngjyra-ngjyra, që takohen dhe ndahen njëlloj si destinacionet e linjave ajrore. Autori i saj, është piktori i njohur gjerman Franz Ackermann. Më tërheq vëmendjen vepra e tij krejt e pazakontë dhe e pyes se çfarë ka dashur të thotë me të:

"Këmbësori shqiptar është një murale gjigante, që e tregon Shqipërinë si një lloj ishulli në mes të një pikture me drejtime të panumërta udhëtimi. Ky aspekt, i lëvizjes , i udhëtimit është kthyer sot në tipar të shumë shqiptarëve." thotë Franz Ackermann.

Ideja për t´u paraqitur me këtë murale në këtë Bienale atij i lindi kur erdhi në Tiranë dhe vizitoi rrethinat e saj dhe qytetet pranë bregdetit të Jonit. Gjallëria në rrugët e Shqipërisë, trafiku i rënduar, kaosi, ndotja e mjedisit , etja ende e pashuar për të udhëtuar e shqiptarëve, e shkuara dhe e tashmja e tyre, të gjitha këto mbresa i shprehu në këtë murale. Thelbi i saj janë raportet mes së shkuarës dhe së tashmes, lirisë individuale dhe rregullave, lirisë për të udhëtuar dhe pamundësisë ekonomike.

"Liria individuale e botës perëndimore ka arritur edhe në një qytet të madh si Tirana. Kjo jo gjithmonë është pozitive. Liria individuale duhet të pranojë disa rregulla. Për fat të keq trafiku i rënduar në Tiranë është rezultat i stilit perëndimor të të jetuarit, por duhen gjetur zgjidhje për ta ndryshuar situatën. Në muralen time, me titull "këmbësori shqiptar" synoj të tregoj që udhëtimi është një formë shumë personale e lirisë dhe shumë njerëz mes lirisë individuale për të udhëtuar dhe lirisë ekonomike kanë një të ndarë të madhe, apo një lloj kufiri, jo më fizik, por ekonomik," thotë Franz Ackermann.

Franz Ackermann para muralit 'Këmbësori shqiptar' në Bienalen Nderkombëtare të Artit Bashkëkohor në Tiranë.
Franz Ackermann para muralit 'Këmbësori shqiptar' në Bienalen Nderkombëtare të Artit Bashkëkohor në Tiranë.Fotografi: DW

Ai e ka kaluar fëmininë e tij në ish-Berlinin Lindor. Tani jeton në Berlin dhe jep mësime pikture në Karlsruhe. Ackermann-i thotë se e pranoi ftesën e kuratorit të ekspozitës, Edi Muka, sepse e tërhoqi titulli i saj "Eficienca simbolike e kornizës", që i jep mundesi artistit të flasë me simbole, arsyeton ai.

"Kjo ka të bëjë me hulumtimin e një ideje të vjetër filozofike, sipas së cilës njeriu e ka të pamundur të kapë thelbin e realitetit. Njeriu përpiqet të krijojë marrëdhënie me realitetin dhe këtë e bën duke futur në kornizë aspekte të caktuara të realitetit. Nuk është fjala për një kornizë fizike, por për një kornizë mendore" shpjegon kuratori i Bienales, Edi Muka pse ekspozita mban këtë emër.

Edi Muka tregon pse Hotel Dajti është korniza simbolike e përkryer e kësaj Bienaleje. Një ndërtesë historike, me një arkitekturë shumë të qartë racionale të Italisë Fashiste, që përfaqëson një ideologji të caktuar , një arklitekturë që përpiqet të shfaqë madhështinë e kësaj ideologjie dhe që ishte interesante edhe për regjimin dhe ideologjine komuniste, që e pasoi. Ata e mbajtën hotelin më luksoz dhe ekskluziv të Shqipërisë për të pritur delegacionet e huaja, ndërsa shqiptarët nuk i lejuan të hyjnë. Sot hoteli është në gjendje të mjerueshme dhe përbën një kornizë ku ndërvepron e shkuara me të tashmen, madje edhe me të ardhmen. Edi Muka:

"Nëse historia neglizhohet, e ardhmja do të jetë kaotike, e paqartë dhe problematike. Ndërsa kur mban një qëndrim e të qartë ndaj historisë, pozicionohesh më mirë me të tashmen, di se ku po shkon dhe e ke më të qartë të ardhmen. Bienalja shërben kështu për të ngjallur një diskutim filozofik dhe social" , thotë Edi Muka.

60 artistë nga 30 vende të botës marrin pjesë në Bienalen Ndërkombëtare të Artit Bashkëkor, që hapet sot në Tiranë. Arti dhe dëshira për të eksploruar një realitet jo shumë të njohur në Perëndim, si ky i Shqipërisë, i ka sjellë artistët në këtë Bienale. Madje një pjesë e mirë e tyre vijnë edhe pa përfitime financiare nga pjesëmarrja.

"Shembulli më i mirë është Franz Ackermann-i, njëri ndër artistët më të botuar në botë sot, që erdhi me dëshirën e tij në Bienale dhe realizoi këtu falas muralen e tij, që do ta lërë këtu. Kjo është një mrekulli.", zbulon një të fshehtë kuratori Edi Muka.

Autor: Ani Ruci/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi