Eksodi i madh i shqiptarëve - 2 korriku 1990
3200 shqiptarë u gjendën në korrik të vitit 1990 në Ambasadën e RFGJ në Tiranë. Tërheqja e tyre nga Brindizi dhe prurja në Gjermani u bë nga Kryqi i Kuq Gjerman. Kronologji fotografike e eksodit të madh të shqiptarëve:
Rënia e murit
Një kamion i ra murit të pasëm të ambasadës gjermane dhe hyri në oborrin e saj më 2 korrik 1990. Kjo i hapi rrugën shumë të tjerëve, që vërshuan në oborin e ambasadës përmes murit të ҫarë.
"Kamioni i lirisё"
Kamionin "Skoda" me plot 36 veta e ngiste shoferi Ylli Bodinaku. Ditёt qё pasuan pёrmes murit tё hapur u strehuan edhe qindra mijё tё tjerё, qё kёrkonin largimin nga Shqipёria nё shenjё proteste ndaj sistemit totalitar qё nuk lёshonte pe, pavarёsisht ndryshimeve tё vrullshme nё mbarё Europёn Lindore.
3199 vetë në Ambasadën e RFGJ-së
Brenda një jave numri i shqiptarëve që donin të largoheshin përmes ambasadës gjermane arriti në 3199. Rreth 2000 të tjerë strehoeshin në ambasadat e Italisë, Francës e Greqisë.
Ditët e ankthit
Kushtetet e jetesës vështirësoheshin për refugjatët në ambasadë, sa më shumë zgjasnin bisedimet e vështira mes qeverisë në Tiranë dhe kancelarive kryesore perëndimore për të marrë lejen e largimit të tyre nga Shqipëria.
Kriza humanitare si presion
Autoritetet shqiptare përpiqeshin me ҫdo kusht të ushtronin presion për të penguar largimin e refugjatëve nga Shqipëria. Pak ditë pas 2 korrikut u ndaluan furnizimet me ushqime dhe u ndrëpre uji për ambasadën.
Kushte të vështira
Gjendja ishte mjaft e rëndë, strukturat higjenike ishin katastrofale, personel mjekësor ndihmës nuk kishte. Punonjësit e ambasadës ndihmonin, kur kishte raste të sëmurësh.
Një mjek nga Boni për refugjatët në Tiranë
Pas shumë zvarritjesh të qeverisë shqiptare një mjek nga Ministria e Jashtme gjermane, u nis më 4 korrik 1990 për në Tiranë me mision të përkujdesej për shqiptarët në territorin e ambasadës gjermane.
Më në fund të lirë
Tirana s‘kish dëgjuar ndonjëherë një brohorimë si ajo e 3199 shqiptarëve në ambasadën gjermane, kur nga ballkoni i godinës ish-ambasadori Werner Daum komunikoi lajmin e lejes së udhëtimit më 11 korrik.
Lamtumira në heshtje
Brenda një dite u realizua regjistrimi i të dhënave dhe lëshimi i pasaportave për udhëtimin jashtë vendit të refugjatëve të ambasadave. Natën e 12 korrikut 5200 refugjatët e ambasadave u nisën me autobusë drejt Portit të Durrësit. Kolona e autobusëve kalonte mes kordonit të forcave të rendit. Pas tyre mijëra qytetarë u jepnin në heshtje lamtumirën të afërmve të tyre.
Lundrimi drejt Italisë
Natën e 12 korrikut u nisën tre tragetë nga Porti i Durrësit drejt Brindizit në Itali me 5200 refugjatët e ambasadave. Shërbimi italian e Kryqit të Kuq u kujdes gjatë lundrimit drejt Italisë për trajtimin e refugjatëve, që kishin kaluar gati dy javë të vëshitra me ushqim minimal.
Ankorimi në tokën e premtuar
Tragetet e nisura nga Durrësi zbarkuan më 13 korrik në portin e Brindizit. Pas zbarkimit misionet humatiare si Kryqi i Kuq u kujdesën për gjendjen e refugjatëve dhe trajtimin e tyre.
Adriatiku në bregun perëndimor
Pas zbarkimit policia italiane kujdesej për mbajtjen e rregullit. Kryqi i Kuq italian kujdesej për trajtimin me ushqim e veshmbathje të të sapoardhurve nga Shqipëria.
Ndarja e kontigjenteve
Personat përgjegjës nga pala gjermane dhe italiane organizuan ndarjen strikt të kontigjenteve të refugjatëve mes Itaisë dhe Gjermanisë.
Organizimi i udhëtimit për Gjermani
Të gjithë ata që i kishte strehuar ambasada italiane duhej të qendronin në Itali dhe 3200 refugjatët e ambasadës Gjermane duhej të largoheshin nga Italia drejt Gjermanisë.
Ish-drejtuesja e misionit të Kryqit të Kuq Gjerman
13.07.1990: "Nuk e harroj çastin kur pashë, se si kaq shumë shumë njerëz vërshuan nga barku i tragetit, e theksoj vërshuan! Tek ata më ra në sy nga njëra anë rraskaptija, por nga ana tjetër edhe gëzimi, ndenja e çlirimit që ata ndodheshin në një tokë, ku ekzistonte liria, ajo që u kishte munguar në vendin e tyre, dhe për të cilën ishin larguar", kujton Waltraud Schröder nga Kryqi i Kuq Gjerman.
Sfidë logjistike - Udhëtimi drejt Gjermanisë
Tre tena të shoqërisë federale hekurudhore transportuan nga Brindizi refugjatët për në Gjermani. Trenat kishin në dispozicion të paktën nga një vullnetar të Kryqit të Kuq si dhe një ekip sanitarësh, mjekësh dhe mamish e përkthyesish. Udhëtimi i trenave specialë duhej kooridnuar me qarkullimin e linjave të shërbimit të zakonshëm hekurudhor. Ndaj gjatë rrugës kishte mjaft ndalesa.
36 orë mespërmes Europës
Refugjatët do të shpërndaheshin në bazë një numri të caktuar kontigjentesh në lande të ndryshme të Gjermanisë dhe njoftimet nga Boni i transmetoheshin ekipit të Kryqit të Kuq gjatë udhëtimit me radiomarrëse. Udhëtimi nga Brindizi përmes Zvicrës deri në qytetin më verior të Gjermanisë zgjati rreth 36 orë.
Shkëputja e vagonëve dhe ndarja rastësisht e familjeve
Me të kaluar kufirin nga Zvicra në Gjermani vendosja e refugjatëve me kontigjente të caktura nëpër qytete përbënte një sfidë tjëtër logjistike. Misioni i Kryqit të Kuq mori udhëzim për shkëputjen e vagonëve në qytete të caktuara. Shumë familje u shkëputën padashje, pasi pjestarë të tyre ndodheshin të shpërndarë në vagona të ndryshëm. Ribashkimi i familjeve u relizua në javët që pasuan.
Në destinacion - Fillimi i një jete të re në Gjermani
Pas vendosjes përkohësisht në kampet pritëse dhe pajisjes me dokumentacionin përkatës refugjatëve të 2 korrikut iu ofruan mundësi për mësimin e gjuhës gjermane, për shkollim e punësim. Sot ata janë integruar në shoqërinë gjermane. Familjet e tyre tashmë jetojnë në brezin e tretë në Gjermani.