Emetimet e CO2: Gjermania duhet të trefishojë reduktimet
11 Maj 2023Vështirë se ndonjë gjë tjetër është aktualisht aq e diskutueshme në Gjermani sa projektligji për ngrohjen me pajisje të përshtatshme për ruajtjen e klimës. Ligji i Energjisë së Ndërtimit i ministrit të Ekonomisë dhe Mbrojtjes së Klimës, Robert Habeck, përcakton që nga viti 2024 çdo sistem i ri për ngrohje duhet të funksionojë me 65 për qind energji të rinovueshme. Ndërsa sistemet e ngrohjes me gaz ose vaj nuk duhet të instalohen më fare.
Kreu i partisë CDU, Friedrich Merz, në opozitë e kritikon projektligjin si "politikë klimatike me levë", madje ka edhe një mosmarrëveshje mes partive qeverisëse SPD, të Gjelbrit dhe FDP. Ndërsa Habeck flet për një "një moment historik në politikën gjermane të klimës", në konferencën e partisë liberale u tha së fundmi se projektligji është "një shembull i politikës së gabuar të ekologjistëve në sektorin e klimës dhe energjisë".
Kundërshtimet e mëdha tek popullata
Kreu i SPD, Lars Klingbeil, paralajmëron se diskutimi për fundin e ngrohjes me naftë dhe gaz ka shkaktuar pasiguri masive në mesin e popullatës. Socialdemokratët kryesorë tashmë po bëjnë thirrje që ligji të shtyhet deri në vitin 2027.
Habeck u përgjigjet kritikëve se Gjermania ka qenë shumë e ngadaltë në mbrojtjen e klimës vitet e fundit dhe tani duhet urgjentisht të bëjë ndryshime. "Kjo është arsyeja pse në fakt ne jemi të detyruar të punojmë me vendosmëri, ose duhet të themi se nuk po i arrijmë qëllimet”.
Shpejtësia më e madhe
Në këtë situatë, Habeck merr mbështetje nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD). Për t'u bërë neutral ndaj klimës deri në vitin 2045, ritmi i reduktimit të emetimit të CO2 duhet të trefishohet, thuhet në dy raporte që Sekretari i Përgjithshëm i OECD-së, Mathias Cormann ia dorëzoi Ministrit Federal për Çështjet Ekonomike dhe Ministres Federale për Mjedisin, Steffi Lemke të hënën (08 maj). OECD analizon vazhdimisht zhvillimin politik, ekonomik dhe social të 38 shteteve të saj anëtare.
Ende po digjet shumë qymyr
Raportet e fundit dëshmojnë për "përparimin e jashtëzakonshëm" të Gjermanisë në reduktimin e emetimeve të gazeve serrë. Që nga viti 1990, emetimet e CO2 kanë rënë me 39 për qind. Pavarësisht kësaj, emetimet për frymë janë ende ndër më të lartat në zonën e OECD. Kjo është kryesisht për shkak të peshës së lartë të industrisë dhe kontributit të madh të lëndëve djegëse fosile, veçanërisht qymyrit, në prodhimin e energjisë elektrike dhe ngrohjes. "Në thelb, të dy raportet e OECD tregojnë se sa larg jemi nga arritja e objektivave tona", pranoi ministrja e Mjedisit Steffi Lemke.
Në analizën e saj, OECD mirëpret planin e qeverisë federale për të reduktuar emetimet në sektorin e ndërtimit me 42 për qind deri në vitin 2030. Por në të njëjtën kohë ka dyshime nëse kjo mund të funksionojë vetëm me zëvendësimin e sistemeve për ngrohje. "Sfidat kryesore janë godinat e vjetra dhe shkalla e ulët vjetore e rinovimit”, thuhet në raport. Më shumë se tre të katërtat e të gjitha shtëpive janë ndërtuar para vitit 1979 dhe kanë një bilanc të dobët energjetik.
Kostot e çlirimit të CO2
Ndërtesat me izolim të dobët shpenzojnë shumë energji. Sipas OECD-së, për të përshpejtuar rinovimin e ndërtesave, duhet të vendosen stimuj financiarë në formën e një çmimi uniform të CO2. Por kjo është pikërisht ajo që Gjermania nuk dëshiron. "Nëse rrisni ndjeshëm çmimin e CO2, duhet të ketë një ekuilibër social, duhet të jetë i shpejtë rinovimi dhe joburokratik. Ne nuk e kemi ende atë instrument në Gjermani," paralajmëron ministri Habeck.
Megjithatë, vendimi për të mos shtrenjtuar emetimet ka të bëjë edhe me industrinë e energjisë. Mbajtja e prodhuesve të çelikut, qelqit, letrës dhe kimikateve bazë në Gjermani është e rëndësishme. "Ne kemi mësuar se të kesh kapacitetet e tua në fund të fundit garanton sigurinë e një ekonomie," thotë Habeck.
Rasti i Deutsche Bahn
Megjithatë, çmimi i CO2 nuk është pika e vetme në të cilën pikëpamjet e OECD-së dhe qeverisë gjermane dallojnë. Ka dallime edhe kur bëhet fjalë për transportin. Ky sektor është emetuesi i dytë më i madh i gazrave serrë pas prodhimit të energjisë elektrike.
Trafiku rrugor është pothuajse ekskluzivisht përgjegjës për këtë. Vetëm nëntë për qind e trafikut të pasagjerëve dhe 19 për qind e trafikut të mallrave në Gjermani bëhen me hekurudha. OECD gjykon se kjo është edhe për faktin se cilësia e transportit hekurudhor është përkeqësuar gjatë dhjetë viteve të fundit. "Kënaqësia e klientëve është nën mesataren e BE-së, veçanërisht kur bëhet fjalë për saktësinë e trenave, disponueshmërinë e WiFi në trena dhe kushte të tjera."
Makinat
60 miliardë euro do të duhej të viheshin në dispozicion deri në vitin 2029 për të tejkaluar prapambetjen e tanishme dhe për të përmirësuar infrastrukturën hekurudhore. Para të cilat mund të mblidhen duke eliminuar subvencionet që dëmtojnë klimën në sektorin e transportit. OECD kritikon se stimujt tatimorë shpesh çojnë në drejtim të gabuar. Shembuj të kësaj janë privilegjiet e përdorimit të makinave të kompanisë, kompensimi për udhëtarët dhe subvencionimi i karburanteve.
Për çdo kilometër të kaluar midis shtëpisë dhe punës, mund të kërkohen 30 cent në deklaratën tatimore. Nga një distancë prej 21 kilometrash mund të kërkohen 38 cent. Kjo ofron stimuj për të udhëtuar më shumë me makina.
Rritja e vazhdueshme e trafikut rrugor
Pajisja me një makinë kompanie që mund të përdoret edhe privatisht është një bonus me të cilin në Gjermani reklamohen shumë punëdhënës. 60 për qind e të gjitha regjistrimeve të makinave të reja janë makina të kompanive. Punonjësit duhet të paguajnë taksë vetëm për një për qind të çmimit të automjetit me pagën e tyre.
Punëdhënësi zakonisht paguan tarifën e regjistrimit dhe kostot vjetore të sigurimit, si dhe karburantet dhe kostot e tjera të funksionimit. Në raportin ekonomik të OECD-së thuhet: "Siç pritet, pothuajse dy herë më shumë makina të kompanisë përdoren (në Gjermani) sesa automjete private". "Ky trajtim tatimor duhet të hiqet sikur edhe subvencionet e tjera të karburanteve fosile”, thuhet në raport.
FDP mbron privilegjin e makinës së kompanisë
Një kërkesë që ministri Robert Habeck do të ishte shumë i lumtur ta përmbushte. Por FDP është kundër dhe tashmë ka marrë premtimin në koalicion se do të ruhet privilegji i makinës së kompanisë. "Pavarësisht dëshirës për të reduktuar subvencionet e dëmshme për mjedisin, ne duhet të pajtohemi me marrëveshjen e koalicionit," thotë Habeck. Në këmbim, ai pret që FDP t'i përmbahet marrëveshjes për miratimin e ligjit për energjinë e ndërtesave përpara përfundimit të kësaj periudhe legjislative.