1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Estonët vërshojnë drejt gardës kombëtare- nga frika prej Rusisë

Isabelle de Pommereau27 Nëntor 2014

Estonët druajnë se Rusia një ditë mund të drejtojë agresionin e saj drejt tyre dhe duan të jenë të gatshëm. Një reportazh i Isabelle de Pommereau nga Tallinn.

https://p.dw.com/p/1DuIJ
Garda Kombëtare e Estonisë - Kaitseliit
Fotografi: Kaitseliit

Herën e fundit që Alo Looke dhe shokët e tij të universitetit u takuan për kafe, tema kryesore ishte aneksimi i Krimesë nga Rusia dhe lëvizjet e Rusisë në lindje të Ukrainës. "Atëherë ne menduam se çfarë mund të bënim nëse do të ndodhte diçka në Estoni", tha Looke, i cili menaxhon reklamën për Operan Kombëtare të Estonisë. "Nuk mund të rrimë me duar kryq pa bërë asgjë." Përgjigja nga shokët e Lookes erdhi shpejt: të bashkoheshin me ushtrinë e vullnetarëve.

Deri tani këtë vit 30 vjeçari Looke dhe rreth 1000 estonë i janë drejtuar Ligës estone të Mbrojtjes, garda kombëtare vullnetare e vendit. Kjo e dyfishon numrin e rekrutëve në krahasim me shifrat e vitit të kaluar. Krijuar në vitin 1918 pasi estonët fituan pavarësinë nga Rusia, ajo u shpërbë kur ushtria sovjetike pushtoi vendin në 1940. Shtimi i fundit në regjistrimet e paramilitarëve është më i madhi qëkurse Liga apo Kaitseliiit, u riinstalua në vitin 1991.

Me 1,3 milionë banorë, Estonia ka vetëm 3,800 ushtarë profesionistë, por rreth 14.545 vullnetarë në Ligën e Mbrojtjes, të cilët stërviten për luftë duke shtuar radhët e mbrojtësve të vendit qoftë në rast trazirash, qoftë në luftë. Ashtu si 140 anëtarët e ushtrisë kibernetike estoneze, ata raportojnë tek Ministria e Mbrojtjes.

Alo Looke
Alo LookeFotografi: Alo Looke

Vendet fqinje Lituania, Letonia dhe Polonia gjithashtu shënojnë një rritje të madhe në regjistrimet e paramilitarëve. "Ukraina ka shtuar vullnetin për t'u regjistruar", thotë komandanti i Kaitseliit, Meelis Kiili: "Ne estonët jemi shumë paqësorë, madje pacifistë, por jemi në një kohë që na vë para sprovash dhe njerëzit kanë filluar të pyesin veten, 'çfarë mund të bëj për vendin tim?'"

Shkeljet e Rusisë

Përveç ndërhyrjeve në Ukrainë, Moska ka kryer edhe shkelje të vazhdueshme të hapësirës ajrore ushtarake dhe detare në rajonet e Detit të Veriut dhe Baltikut. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha para trupave amerikane, gjermane dhe estoniane të stacionuara në bazën ajrore estoneze Ämari javën e kaluar se policia ajrore e Baltikut ka regjistruar rreth 400 fluturime ushtarake ruse pranë vendeve anëtare, dy herë më shumë se një vit më parë. Kjo nuk është parë që nga koha e Luftës së Ftohtë "është e rrezikshme dhe e pajustifikuar", tha Stoltenberg. Ndërkohë që vendet e Baltikut kanë kërkuar një prani të përhershme të NATO-s në tokën e tyre dhe buxhete më të mëdha për mbrojtjen, qytetarë të thjeshtë nga të gjitha shtresat po i ofrojnë shërbimet e tyre atdheut.

"Kombet evropiano-perëndimore kanë jetuar në paqe dhe siguri aq gjatë sa të rinjtë e konsiderojnë të garantuar sigurinë: ajo thjesht ekziston dhe njeriu fillon të harrojë vlerën e demokracisë, paqes dhe sigurisë", thotë Martin Hurt nga Qendra Ndërkombëtare për Studime për Mbrojtjes, një think tank në Tallinn për çështje të mbrojtjes në rajonin e Baltikut dhe Evropës Lindore. "Në shtetet baltike dhe Poloni njerëzit nuk e shohin sigurinë si të garantuar dhe duan të kontribuojnë edhe vetë."

Vullnetarë nga të gjitha shtresat dhe profesionet

Rekrutët e Kaitseliit janë që nga studentë të universitetit deri te estonë që kanë luftuar në Afganistan në ushtrinë sovjetike. Profesori i informatikës në universitet Linnar Viik thotë se historia i jep estonëve një sens përgjegjësie civile që është e vështirë të gjehet në shumë vende evropiane perëndimore. "Koncepti i pavarësisë është i brishtë, i ndjeshëm dhe i rëndësishëm në Estoni", thotë Viik.

"Të jesh në Ligën e Mbrojtjes është çështje prestigji", thotë Raivo Tamm. Një legjendë e televizionit, ai është i njohur më shumë për rolin e protagonistit në komedinë e zezë "Mushrooming" ,i cili i dha titullin e aktorit më të mirë në 2012, se sa për rrobat ushtarake. "Ka gjithnjë një kërcënim nga Lindja dhe unë këtë nuk mund ta harroj."

"Për fat të keq historia jonë na ka treguar se duhet të jemi të përgatitur", pranon Andres Lehmets. Studenti i mjekësisë në kohën e sovjetikëve dhe tani kryetar i Shoqatës estoneze të Psikiatrisë, ai iu bashkua Ligës në moshën 50 vjeçare. "Nëse sheh se çfarë po bën Rusia aktualisht mund të dallosh disa paralele në ideologji."

Estland Nationalgarde Kaitseliit
Edhe gratë mund të ndihmojnë Gardën KombëtareFotografi: Andria Hüva/Kaitseliit

Një shqetësim është që Rusia mund të trazojë situatën në gjirin e estonëve rusishtfolës, të cilët përbëjnë një të tretën e popullsisë. Për shembull në enklavën ruse Narva, qyteti i tretë më i madh i Estonisë, në kufi me Rusinë. "Të gjithë e e dimë: nëse vritet një qytetar rus, Putin ndërhyn dhe thotë se duhet të ndihmojmë qytetarët tanë, të cilët janë vrarë nga policia estoneze," thotë Mati Sild, 22 vjeçar. "Në botën e sotme lufta fillon në medie dhe në mendjet e njerëzve."

Një tjetër 'natë bronxi'

Sild iu bashkua Ligës si vullnetar pas trazirave masive në komunitetin rusishtfolës të vendit, si pasojë e një gjesti simbolik, heqjes së një monumenti lufte sovjetik. Në atë "natë bronxi" në prill 2007, siç u quajt me vonë për shkak të statujës së bronxit të ushtarit të Ushtrisë së Kuqe, ai pa se si ata që merrnin pjesë në trazira hodhën gurë kundër policisë dhe u vunë zjarrin dyqaneve.

Ai gjithashtu pa nga maja e kalasë së Toompeas, një pallat barok që tani është ndërtesa e parlamentit eston, se si anëtarë të Ligës qendronin me mburojat e tyre gati për të mbrojtur policinë. Ai kishte uruar të mund t'i ndihmonte.

Estland Tallinn Proteste Demontage Umsetzung Kriegsdenkmal ARCHIVBILD 2007
Prosta në Talin pas heqjes së një monumenti sovjetik. 2007Fotografi: picture-alliance/dpa

Kujtimi i atyre momenteve të rrezikshme u rikthye kur Rusia pushtoi Ukrainën. "Nëse ndodh diçka dua të jem gati", thotë Slid, sot student në degën e bio-teknologjisë. "Nuk dua të jem një njeri që nuk di të përdorë një armë apo që duhet të largohet në Perëndim për të shpëtuar."