1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Europa ime: Kemi nevojë për një polici interneti!

Krsto Lazarevic
14 Janar 2018

Kush kërcënon dhe nxit urrejtje nuk ka pse të shpëtojë pa u penalizuar. Megjithatë koncerne si Facebook nuk duhet të vendosin vetë, se deri ku lejohet liria e shprehjes, mendon Krsto Lazarevic.

https://p.dw.com/p/2qnXC
Krsto Lazarevic
Fotografi: Privat

Përfytyrojeni këtë skenë - dilni në rrugë një ditë dhe shihni nga njëra anë dikë me një flamur të Rajhut dhe në anën tjetër një burrë që bërtet në megafon „Të digjen strehimoret e azilit"! Në një kohë që ju jeni të shokuar nga një skenë e tillë, një person i panjohur ju shtyn nga pas dhe të pëshpërit në vesh: „Ne e dimë ku banon dhe do të të kapim."

Po qe se nuk banoni në Drezden dhe nuk shkon të ecësh me Pegidën të hënën në mbrëmje, nuk do shihni normalisht skena të tilla, sepse shumica e njerëzve janë tv mirëedukuar dhe e dinë se pikëpamje e kërcënime të tilla nuk kanë vend. Ndoshta disa do ta bënin një gjë të tillë, po nuk e bëjnë nga frika e ndjekjes penale. Pikërisht këtë frikë ata nuk e kanë në internet. Kush kërcënon në mediat sociale, përhap racizëm apo fyen praktikisht nuk i trembet një ndjekjeje penale.

Lëvdata nga Rusia për ligjin gjerman

Përjashtim përbëjnë rastet me interes të madh publik. Pasi politikani i AfD-së, Jens Maier e fyen me fjalë raciste djalin e Boris Beckerit, Noah Becker, gjykata e Berlinit lëshoi një urdhër të shpejtë ndalimi për këtë rast. Me raste më pak të njohura, drejtësia e mbingarkuar në Gjermani nuk merret.

Qeveria gjermane e ka kapur këtë problem, por ka reaguar me një nga ligjet më idiote e të rrezikshme, që janë miratuar ndonjëherë në Gjermani. Kjo megjithëse më parë ky ligj u kritikua nga ekspertët. Për të qenë të drejtë, ka pasur edhe lëvdata. Nga fraksioni i Putinit, „Rusia e bashkuar", që e pëlqyen këtë ligj dhe e kopjuan menjëherë për vete duke e sjellë si projektligj në Dumën ruse.

Në rast dyshimi kundër të pandehurit

Ligji i kontrollimit të internetit (NetzDG) ka hyrë në fuqi në Gjermani në fillim të viti e me këtë edhe shuarja e postimeve në mediat sociale. Pre e ligjit bëhen edhe komentet satirike apo politike, që nuk janë as vepra penale dhe as nxisin urrejtje. Twitter sidomos ka dëshmuar mungesë të theksuar humori dhe bllokoi përkohësisht edhe llogarinë e revistës satirike, „Titanic".

E kur shteti gjerman kërcënon me ndëshkime, koncernet gjigande reagojnë sipas parimit - "In dubio contra reum" - në rast dyshimi kundër të pandehurit. Facebook, Twitter etj. duhet edhe para këtij ligji që t‘i verifikonin përmbajtjet e denoncuara. Problemi me ligjin e ri është se punonjësit e tyre nga frika e gjobave fshijnë e bllokojnë më shpejt përmbajtje të caktuara.

Por ka edhe përmbajtje, ku ata që nuk janë ekspertë nuk e dallojnë që në momentin e parë, nëse ato kanë prapavijë penale, dhe nga ato, ku duhet peshuar, se çfarë lejohet e çfarë kategorizohet si liri e shprehjes dhe artit. Ministri i Drejtësisë, Heiko Maas është bërë viktimë e ligjit të tij. Në nëntor 2018, pak pas Thilo Sarrazin botoi librin e tij „Gjermania shpërbën vetveten", ai publikoi fjalinë: „Në vizitën e komunitetit islam në Saarbrücken, m'u bë edhe njëherë e qartë, se çfarë idioti është Sarrazini."

Satirë apo kërcënim?

Në një kohë ky epitet është i gabuar për Thilo Sarrazinin, sepse nocioni „idiot" vjen nga greqishtja e vjetër dhe përcaktonte personat që u qëndronin larg çështjeve politike-publike, që Sarrazin nuk e bën. Ndoshta më mirë do të kishte qenë ta quajë atë autor të keq në profesion të lirë apo racist me kohë të plotë.

Po tani? A ishte kjo një shprehje që mund të fshihet në bazë të ligjit të kontrollit të internetit apo është liri e shprehjes? Me të vërtetë doni që këtë ta vendosin për ju Facebook, Twitter e të tjerë? Hapi i parë i një qeverie të re duhet të ishte ta hiqte një ligj të tillë. Por puna nuk merr fund këtu, sepse nuk është rastësi që kritikët më të mëdhenj të ligjit janë populistët e djathtë, ekstremistët e djathtë, neonazistët. Ata duan sërish të nxisin urrejtje, të përhapin racizmin, seksizmin dhe antisemitizmin e tyre.

Prandaj na duhet një polici interneti. Jo, nuk mendoj me këtë një polic si ata që patrullojnë në rrugë e që u duhet të lexojnë gjithë ditën komente pa tru. Por njerëz të specializuar, që peshojnë mirë, se çfarë është satirë e polemikë, çfarë kërcënim dhe nxitje e urrejtjes. Persona që e kuptojnë, nëse përdoruesit thjesht „i ka shpëtuar" kjo fjalë dhe të cilit mjafton t'ia kujtosh këtë apo dikush që kalon kufijtë dhe hyn në kategorinë e ndjekjes penale.

Nuk mjafton të fshihet një përmbajtje

Problemi i lirisë pa penalizim në internet nuk hiqet me ligjin e ri, sepse përmbajtjet me efekt penalizimi thjesht fshihen e drejtësia është e mbingarkuar me këtë temë. Nevojiten më shumë burime dhe gjykatës që merren me këtë temë. Kur dikush më kërcënon me jetën, atëherë unë nuk dua që kërcënimi vetëm të fshihet. Por që personi që e bën këtë ta dijë, se kjo nuk përsëritet pa u ndëshkuar. Kur dikush thërret „hebrenjtë në dhoma gazi", atëherë unë dua që ky person të përgjigjet për nxitje të urrejtjes dhe jo të zemërohet vetëm pse iu fshi postimi.

Një polici interneti është më e shtrenjtë se sa t'ia kalosh përgjegjësinë koncerneve si tani. Kush e paguan këtë do të thonë disa. Por, të kujtojmë se ekziston edhe një model, ku firmat paguajnë tatime në vende ku i bëjnë fitimet e tyre. Nga të ardhura të tilla paguhen detyra shtetërore si policia, shkollat e spitalet. Apple, Alphabet dhe Facebook nuk janë miq të këtij modeli, por kjo është një temë tjetër.

Krsto Lazarevic ka lindur në Bosnje-Hercegovinë dhe ka ardhur si fëmijë me familjen e tij në Gjermani. Sot ai jeton dhe punon në Berlin si gazetar e publicist e shkruan për media të ndryshme gjermane.