Eurostat: Deficiti buxhetor i Greqisë më i lartë nga sa parashikohej
26 Prill 2011Shuma që i mungoi buxhetit shtetëror të Greqisë në vitin 2010 kap një shifër prej 10,5 % të prodhimit të brendshëm bruto, njoftoi Eurostati, Autoriteti Evropian i Statistikave me seli në Luksemburg. Kjo shifër do të thotë 1% më shumë se kishte planifikuar qeveria në Athinë, e cila mendonte se deficiti do të ishte 9,4%. Ministri grek i Financave, Jorgos Papakonstantinu, kishte thënë që në mars se deficiti për vitin 2010 do të jetë më i lartë nga sa mendohet. Sipas rregulloreve të BE-së deficiti nuk lejohet të kalojë 3%.
Qeveria në Athinë: Recesioni i ekonomisë shkak për deficitin e lartë
Këto të dhëna janë një goditje për Greqinë, e cila për shkak të gjendjes së saj të vështirë mori vitin e kaluar prej BE-së dhe FMN-së një paketë ndihmash prej 110 miliardë eurosh borxh për të shpëtuar nga falimentimi shtetëror. Pas botimit të statistikave të Autoritetit Evropian të Statistikave Ministria greke e Financave deklaroi se shkak për deficitin është "recesioni i ekonomisë greke që është më i rëndë nga sa pritej dhe që ndikoi edhe në të ardhurat prej taksave dhe të kontributeve për sigurimet shoqërore."
Sipas statistikave të BE-së mali i borxheve greke kap një shumë prej rreth 328,6 miliardësh euro. Për këtë shkak aktualisht po flitet për një ristrukturim të borxhit grek. Gjithësesi disa ekspertë, ndër ta edhe presidenti i Bankës finlandeze të Emetimit, Erkki Liikanen, mendojnë se as edhe një hap i tillë nuk mund t'i zgjidhë problemet e Greqisë.
Për sa i përket deficitit shtetëror Greqia ndër shtetet e BE-së renditet e dyta pas Irlandës (32,4 %). Pas Greqisë renditen Britania e Madhe (10,4 %), Spanja (9,2 %) dhe Portugalia (9,1 %).
Portugalia pritet të marrë këto javë një ndihmë prej rreth 80 miliardë eurosh. Zyra portugeze e Statistikave llogariti se deficiti buxhetor i vendit për vitin 2010 është 9,1 % e të prodhimit të brendshëm bruto.
Autor: Pandeli Pani (dpa)
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora