Borxhet private
12 Korrik 2013Irene Gonzalez jeton në Madrid. Para 12 vitesh ajo ka blerë, sikur edhe miliona spanjollë të tjerë, një banesë me çmim më të lartë se ai real, ndonëse kishte shumë pak kapital të saj. Por interesat ishin shumë të ulta dhe shteti ndihmonte blerjen e shtëpive, përmes lehtësimeve fiskale. Ndërkohë vlera e banesës ka rënë shumë dhe Irene fiton shumë më pak se sa më parë.
Në momentin kur borxhet janë më të mëdha se të ardhurat, personi konsiderohet një njeri që ka falimentuar, gjë që me Irenen ka ndodhur prej kohësh. Ajo nuk mund t'i paguajë interesin dhe shpenzimet mujore. Nëse e shet banesën, me siguri që do të fitonte më pak se sa që ka borxhe. Pra gjendet para nxjerrjes së dhunshme nga banesa e saj. "Djali im tetëvjeçar po brengoset për lodrat e tij. Po më pyet: çfarë do të ndodhë me lodrat e mia? Po brengoset kaq shumë sa që është sëmurë", shpjegon Irene.
Borxhet private më të larta se ato të shtetit
Nga mundësia e largimit të dhunshëm nga banesa kërcënohen me qindra mijëra spanjollë të tjerë. Spanja ka borxhe në vlerë prej rreth 2,5 bilionë euro. Mbi 70 % janë borxhe private. Por Spanja nuk është e vetmja që ka probleme të këtilla, sepse borxhet private në Eurozonë janë trefish më të larta se ato të shteteve.
Clement Fuest, kryetar i Qendrës për Hulumtime Ekonomike Evropiane thotë se këto të dhëna megjithatë duhet shikuar me kujdes. "Duhen shikuar edhe të dhënat për borxhet mes personave fizikë, që do të thotë se kur njëri ka borxhe, tjetri ka kërkesa."
Irene Gonzalez i ka borxh një banke, ku ka marrë kredi. Pasi ajo ka falimentuar, bankës nuk i mbetet ndonjë zgjidhje tjetër veçse dikur t'i shlyejë këto borxhe. Por si Irene ka dhe shumë raste të tjera, që do të thotë se bankat kanë probleme serioze me njerëzi që nuk mund t'i paguajnë kreditë e tyre.
Nga problemet me kthimin e kredive vuan i gjithë sektori bankar në Spanjë, i cili vitin e kaluar ka marrë ndihma në vlerë prej 40 miliardë euro nga Fondi për Shpëtimin (ESM). Shteti ka garantuar për këto kredi, që do të thotë se nëse bankat nuk konsolidohen shpejt, Spanja mund të përjetojë fatin e Irlandës, e cila është dashur të marr kredi në vlerë prej 70 miliardë euro për të shpëtuar sektorin bankar.
Borxhet e bankave shndërrohen në borxhe të shtetit
Kjo do të thotë se kufiri mes sektorit privat dhe bankar është fleksibël. Pa futje në borxhe nuk ka as investime të sipërmarrjeve, gjë që do të thotë se raportet kreditore janë në fakt baza e mirëqenjes, thotë ekonomisti Fuest. Problemi qëndron në faktin se borxhet janë shumë më të mëdha se sa mundësitë. Në disa vende të Eurozonës kjo ka ndodhur kaherë. Fajin e ka edhe euro, e cila ka ndryshuar mendimet për investimet, mendon Fuest: "Ka humbur frika nga rreziku i ndryshimeve në kursin e valutës, ndaj ka ekzistuar një gatishmëri më e madhe për investime dhe futje në borxhe në këto vende, ku edhe niveli i interesave ka qenë më i ulët."
Problemi i borxheve nuk është një fenomen që ka prekur vetëm shtetet e Europës Jugore. Në Holandë sektori privat ka borxhe 250 % më shumë se të ardhura. Edhe në Gjermani janë paraqitur probleme me imobiliet, sepse shumë njerëz duan të investojnë në shtëpi e apartamente, pasi interesat e kursimeve janë shumë të ulta.
Problemet me kursimet
Politika e interesave të ulta do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë, thotë kryetari i Bankës Qendrore Evropiane Mario Draghi. Ata që kursejnë nuk fitojnë gati asgjë, sepse bankat mund të marrin kredi në BQE gati pa interesa. Kur këtu llogaritë edhe inflacionin, shumë ekonomistë thonë se kjo quhet represion ndaj atyre që kursejnë.
Paketat për shpëtimin janë një problem serioz, sepse ato i shndërrojnë borxhet private në borxhe të shtetit, gjë që heret apo vonë mund të çojë deri tek inflacioni. Ekspertët thonë se më mirë do të ishte që politikanët të ngrejnë tatimet, se sa të lejohet inflacioni. Hano Beck thotë se në rastin e Greqisë, e ndoshta edhe Spanjës dhe Portugalisë, borxhet nuk mund të kthehen. Që do të thotë se Irene Gonzalez duhet të shpallë falimentimin privat, ndërsa shteti i saj dikur do të detyrohet të flas me kreditorët.