Eurozona nuk i ka lënë pas hallet
15 Prill 20142014-a duket se është viti i kthesës për eurozonën: pas dy vitesh recesion, rendimenti ekonomik i 18 shteteve anëtare të eurozonës do të shënojë rritje, edhe nëse ajo do të jetë një përqind. Edhe më entuziazmues është lajmi, se Irlanda dhe Spanja janë larguar prej ombrellës së shpëtimit, ESM. A mund të futet kriza e euros në arkiv?
Jo, thotë Hans-Werner Sinn, president i Institutit ifo të Mynihut. Për mendimin e tij, qetësimi i ekonomisë nuk është i qendrueshëm. Ajo prek vetëm tregjet financiare, por nuk ndryshon gjë në mjerimin ekonomik. Si shembull ai përmend ombrella të reja shpëtimi, si programin për blerjen e huave të Bankës Qendrore Evropiane. Me të mbrohen investues që kanë blerë letra shtetërore në vendet e jugut, sepse në rast nevoje, BQE ua blen atyre huatë shtetërore, përpara se shtetet të falimentojnë. "Pastaj ne kemi edhe bashkimin bankar, i cili gjithashtu do të thotë mbrojtje e kreditorëve", i thotë Sinn Deutsche Welles. Sepse kreditorët paguajnë vetëm në një masë shumë të vogël për humbjen, nëse një bankë falimenton.
Megjithatë, kriza në Evropën Jugore ka dy dimensione - një krizë financiare dhe një krizë e ekonomisë reale, thotë Sinn. "Krizën financiare e qetësuan ose e reduktuan, duke i qetësuar investuesit e kapitalit me një premtim kolektiv për t'i shpëtuar, por kriza e ekonomisë nuk zgjidhet me këtë". Papunësia masive vazhdon të ekzistojë. Prodhimi industrial në Greqi ka rënë me 30 përqind që prej shpërthimit të krizës.
Greqia nuk i ka nën kontroll borxhet
Papunësia në Greqi, në 2013 arriti shifrën rekord prej 27 përqind. Një ndër dy grekë nën 24 vjeç nuk gjen punë. Borxhet shtetërore të Greqisë, të cilat bënë që të shpërthejnë zjarret masive në eurozonë në fund të 2009-ës, megjithë faljen e një pjese të borxheve, aktualisht përbëjnë 180 përqind të rendimentit ekonomik të vendit, thotë eksperti i ekonomisë nga Universiteti i Bonnit, Moritz Schularick në intervistë me DW.
Problematike Schularick-u konsideron edhe situatën e borxheve në Itali. Ekonomia e tretë për nga madhësia e eurozonës ka mbledhur borxhe që arrijnë 130 përqind të rendimentit ekonomik. Që para krizës, Italia kishte rritjen më të vogël ekonomike në bashkimin monetar. Kjo ka të bëjë para së gjithash në rritjen mbi mesataren të shpenzimeve për pagat dhe në uljen e aftësisë për konkurencë, të shkaktuar prej kësaj. Tregu i ngurtë i punës bën pjesën tjetër.
Franca në udhëkryq
Për probleme të ngjashme ankohet sipërmarrjet franceze. Në kohë të vështira ekonomike ato e kanë të vështirë të ndahen nga punonjësit, prandaj ato druhen në kohë të mira nga krijimi i vendeve të reja të punës. Një moshë e ulët e daljes në pension dhe një pagë minimale relativisht e lartë bëjnë që ekonomia franceze të jetë gjithnjë e më pak konkurente me ekonominë gjermane.
Nga njëra anë, Franca humbet pjesë në tregjet botërore, nga ana tjetër, për shkak të papunësisë së lartë ka rënë konsumi i brendshëm. Për ta frenuar tatëpjetën e Grande Nation-i, qeveria sapo ka miratuar një paketë reformash. Ekspertët nga ana tjetër konstatojnë se frika që Franca mund të humbasë aftësinë konkuruese për të ardhmen është shumë e madhe tek politikanët dhe tek shoqëria. Prandaj ata nuk e përjashtojnë që qeveria e re të arrijë ta rimëkëmbë ekonomikisht Francën.