Euro Krise
17 Nëntor 2011Situata gjatë debatit të Parlamentit Evropian në Strasburg të mërkurën (16/11/2011) ishte e zymtë. Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Barroso tha se 17 shtetet që kanë euron si monedhë të përbashkët po shkojnë drejt një "krize sistemike". Vendet duhet të angazhohen më shumë se kurrë, tha Barroso me pamje të rëndë.
Kreu i liberalëve në parlament, ish-kryeministri belg Guy Verhofstadt tha se eurozona ka "arritur në një pikë shumë të rrezikshme dhe kritike, ku çdo gjë duket e mundur madje edhe skenarë shumë dramatike." Kryeministri i Luksemburgut Zhan-Klod Junker, kryetari i grupit të eurozonës, u shpreh përsëri në favor të obligacioneve të përbashkëta shtetërore të vendeve të eurozonës, të ashtuquajturit eurobonds. Ky bashkim i borxhit refuzohet sot për sot nga qeveria federale. "Nëse ne duam të reagojmë shpejt, atëherë duhet të heqim dorë nga unanimiteti i votave për çështjet financiare," kërkoi Juncker.
Arsyeja për këto fjalë të forta në Parlament është një rritje e normave të interesit që janë të detyruar të paguajë anëtarët e eurozonës, të cilat deri tani konsideroheshin si të qëndrueshme. Të martën (2011/11/15) u rritën ndjeshëm interesat për Francën, Belgjikën, Austrinë, Finlandën dhe Holandën. Kjo nënkupton një humbje masive të besimit të investitorëve dhe një valë spekulimesh kundër eurozonës në tërësi. Kësaj i shtohen supozimet se përveç se në Gjermani, ekonomia në eurozonë nuk do të rritet. Të martën u rriten (15/11/2011) edhe çmimet për sigurimet kundër pamundësisë për të paguar në eurozonë. Ato janë një tregues për zhvillimin e ardhshëm të normave të interesit për obligacionet qeveritare.
Nuk ka besim në aftësinë e Evropës për të vepruar
"Investitorët nuk kanë besim se zona e euros mund t'i zgjidhë problemet e saj. Pse ata kërkojnë vendin më të sigurt ku mund t'i vendosin paratë e tyre. Kjo është Gjermania, dhe çdo gjë tjetër vuan", thotë analisti Elwin de Groot i Rabobank në Holandë, për agjencinë e lajmeve Reuters. Ndërsa Gjermania duhet të paguajë vetëm 1,77 për qind interes për obligacione shtetërore dhjetëvjeçare, Francës i duhet tashmë të paguajë dy herë më shumë. Hendeku vazhdon të zgjerohet. Normat e interesit për obligacionet e qeverisë italiane, megjithëqeverinë e re lëvizin në nivelin kritik prej shtatë për qind. Spanja duhet të paguajë për obligacionet shtetërore më shumë se gjashtë për qind dhe më tepër. Banka Qendrore Evropiane ka filluar të blejë sërish obligacine shtetërore nga Italia dhe Spanja. Austria ka vendosur një fren për borxhet ne mënyrë qe deri ne vitin 2020 borxhi i përgjithshëm i Austrisë të bierë në 60% të prodhimit të brendshëm bruto. Hungaria dhe Sllovakia kanë vështirësi në shitjen e obligacioneve shtetërore. Edhe Belgjia duhet të paguajë përqindje të larta interesi për borxhet e shtetit.
Kritikë nga SHBA
Presidenti amerikan, Barack Obama, e kritikoi menaxhimin e krizës nga ana e BE. Sipas tij ende nuk duket ndonjë plan i qartë. Sipas Obamas mungon vullneti politik për ta mbrojtur euron si monedhë të përbashkët. SHBA bëri thirrje në takimin e fundit të G20 në Cannes që Banka Evropiane të angazhohet më tepër për shpëtimin e euros dhe që bankat evropiane të emetimit të përdorin rezervat e tyre në valutë dhe ar. Por banka federale gjemane është kundër kësaj.
Autor: Bernd Riegert (rtr, ap)
Redaktoi: Elert Ajazaj