Evropa Lindore: Protesta dhe ndërrim pushteti përmes votës
26 Shtator 2020Prej më shumë se një dekade në Europë vjen rrotull fantazma e të ashtuquajturit populizëm. Sidomos në lindje dhe një juglindje të Bashkimit Evropian janë forcuar forcat e quajtura populiste. E thënë më saktë: në këtë rajon, nga Polonia deri në Bullgari dhe në vendet e Ballkanit Perëndimor kandidate për anëtarësim në BE, kanë ardhur pa përjashtim në pushtet politikanë, që veprojnë në mënyrë autoritare dhe autokrate, ose së paku janë përçmues tallës të demokracisë dhe institucioneve të saj. Ata propagandojnë politikën e një identiteti dhe sovraniteti nacionalist e deri etnik dhe nën këtë mantel ideologjik kanë ngritur sisteme të korruptuara klienteliste.
Ky zhvillim është mundësuar në radhë të parë nga krizat e shumta e të njëpasnjëshme, që Bashkimi Evropian ka përjetuar në pesëmbëdhjetë vitet e fundit. Ngjitja e sundimtarëve si kryeministri i Hungarisë Viktor Orban ka ngjallur nga njëra anë shqetësim të madh tek mbështetësit e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, por nga ana tjetër ka shkaktuar edhe një pasiguri të thellë.
Shumë intelektualë evropianë kanë dyshime të mëdha politike. Ata vënë në dyshim herë më shumë e herë më pak demokracinë liberale, projektin e bashkimit europian apo universalizmin e të drejtave humane dhe civile. Bëhet fjalë edhe për një ndarje të re lindje perëndim, për një perde të re të hekurt, për gjoja mentalitete të ndryshme dhe tradita të tjera kulturoro-politike.
Kush ndjek në mënyrë të vëmendshme dhe të vazhdueshme zhvillimet në Evropën Qendrore dhe Juglindore nuk mund të mos vërë re që shumica e këtyre konstatimeve janë të pasakta dhe sipërfaqësore dhe disa prej tyre thjesht të gabuara. Tri dekada pas rënies së diktaturave komuniste Evropa Qendrore, Lindore dhe Juglindore mund të konfrontohet me një kthesë të re. Në dy tre vitet e fundit në pothuajse çdo vend të këtij rajoni ka pasur protesta të mëdha civile kundër pushtetarëve autoritarë dhe të korruptuar; shumë kanë votuar për t'i dhënë fund zhvillimeve antidemokratike atje. Evropa Qendrore dhe Juglindore sot është sidoqoftë pjesa e kontinentit, ku njerëzit janë më të përkushtuar për demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Arsyet për protestat dhe ndërrimin e pushtetit përmes zgjedhjeve në rajon kanë qenë dhe janë të shumëllojshme, që nga indinjata për rastet konkrete të abuzimit me pushtetin, deri te pakënaqësia e grumbulluar për një kohe të gjatë. Por ata kanë një emërues të përbashkët. Qytetarët, që herë janë studentë, herë pensionistë, pastaj përsëri punëtorë dhe krijues të kulturës dhe shpesh të gjithë bashkë, dëshirojnë lirinë, barazinë dhe shtetin ligjor.
Lirinë për të shprehur mendimin pa humbur vendin e punës. Barazinë e vërtetë në shëndetësi dhe arsimim, në vend të privilegjeve dhe perspektivave vetëm për disa. Ligjin që vlen për të gjithë njëlloj në vend të një sistemi gjyqësor të korruptuar dhe pandëshkueshmërisë për të fuqishmit, kur ato pasurohen në kurriz të shoqërisë.
Shembujt e fundit të protestave dhe kthesave përmes zgjedhjeve janë anëtarja e BE Bullgaria dhe kandidati për pranim në BE Mali i Zi. Në Bullgari prej dy muajsh dhjetëra mijëra vetë dalin në rrugë kundër sistemit të kryeministrit Bojko Borisov. Borissov nga jashtë konsiderohet konservator klasik dhe proevropian, por në fakt në vendin e tij gjatë dekadës së fundit ai ka vendosur një regjim, që ua kalon zhvillimeve antidemokratike dhe antievropiane në Hungari dhe Poloni. Pas një rasti tepër eklatant të shkeljes së ligjit dhe abuzimit me pushtetin shumë bullgarë kërkojnë jo më pak se një ndryshim thelbësor të sistemit në një shtet ligjor demokratik, që e meriton të quhet i tillë.
E njëjta gjë mund të thuhet për Malin e Zi. Sundimtari i kahershëm Milo Gjukanoviç, aktualisht president i vendit, ishte ndër të parët në Evropë, që ngriti një sistem klientelist autokratik dhe të korruptuar. Largimi i tij dukej po aq i pamundur. Por tani me sa duket e pamundura është bërë e mundur. Në zgjedhjet parlamentare në fund të gushtit Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviçit humbi, me gjithë kushtet e padrejta, manipulimet dhe falsifikimet. Është hera e parë në historinë e Malit të Zi, që pushtetarët largohen me vota në mënyrë demokratike dhe paqësore. Dhe megjithëse Mali i Zi është vendi më i vogël në rajon, sinjali që japin këto zgjedhje për Evropën Juglindore është shumë i vlefshëm.
Shembuj të tjerë aktualë dhe jo të largët në kohë janë protesta e studentëve hungarezë të filmit dhe teatrit kundër përvetësimit të universitetit të tyre nga një ent i kontrolluar prej qeverisë, protestat në Serbi kundër "diktaturës korona" të Presidentit Aleksandar Vuçiç apo lëvizja çeke "një milion çaste për demokracinë". Në Sllovaki vrasja e gazetarit Ján Kuciak dhe të fejuarës së tij shkaktoi një revoltë civile, që i dha fund sundimit të korruptuar të Robert Ficos dhe partisë së tij.
Nuk ka kaluar më shumë se një dekadë, që kur njerëzit në Evropën Qendrore dhe Juglindore dilnin në rrugë me flamuj të BE në duar. Kjo ka ndryshuar në vitet e fundit. Flamurin blu me yje të verdhë nuk e sheh askund më si simbol pozitiv të protestave në rajon. Sepse Bashkimi Evropian nga motor i demokratizimit në rajon është kthyer në frenues.
Njerëzit në Evropën Lindore Qendrore dhe Juglindore janë shumë të zhgënjyer, që politikanët dhe diplomatët e BE-së rregullisht heshtin lidhur me protestat, vazhdojnë të merren vesh me të pushtetshmit në rajon dhe refuzojnë thuajse gjithmonë të takohen me përfaqësuesit e lëvizjeve qytetare. Ata janë të zhgënjyer, që përjetimi i tyre nuk merret parasysh në Bruksel dhe Berlin, që jetojnë në sisteme shtypëse dhe poshtëruese, të cilat shumëkujt u vjedhin mundësinë për ta ndërtuar jetën të lirë dhe në dinjitet.
Ndryshe nga ç'është në Bruksel dhe Berlin, në shumë pjesë të Evropës Qendrore dhe Juglindore kërkohet përsëri guxim për të shprehur mendimin dhe për të dalë në rrugë. Nganjëherë edhe për të mos e kryqëzuar fletëvotimin në vendin "e duhur". Kjo është arsyeja, pse njerëzit në Evropën Qendrore dhe Juglindore, që mbështesin ndryshimin në vendet e tyre, meritojnë të vlerësohen. Ato janë modele të shkëlqyera, që e meritojnë thellësisht vëmendjen dhe mbështetjen nga pjesët e tjera të kontinentit.