1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Falsifikuesit dhe Euro

Dirk Kaufmann/Vilma Filaj-Ballvora11 Janar 2013

Banka Qendrore Evropiane (BQE) prezantoi kartëmonedhat e reja të euros, të cilat do të zëvendësojnë këtej e tutje kartëmonedhat aktuale të euros. Synimi i BQE-së është t'i bëjë më të sigurta bankënotat e veta.

https://p.dw.com/p/17Ht2
Fotografi: picture-alliance/dpa

Në Gjermani vitin e kaluar sërish u zbuluan kartëmonedha të falsifikuara të euros. Policia, tregtia dhe bankat kanë tërhequr nga qarkullimi plot 41.000 kartëmonedha të falsifikuara, mësohet nga Bundesbank (Banka Federale e Gjermanisë). Kjo shumë përbën 6.4% falsifikime më shumë krahasuar me vitin 2011. Në raport me sasinë e përgjithshme të parasë në qarkullim kjo është një shumë minimale. Por pavarësisht kësaj, siç konfirmoi në intervistë për DW në nëntor 2012 Helmut Schäfer nga Enti i Kriminalistikës për landin e Bavarisë në Mynih, dëmi që i shkaktohet ekonomisë është i ndjeshëm. Schäfer është zëvendës-drejtor i sektorit përgjegjës për hetimin e „falsifikimeve të mjeteve të pagesës në qarkullim“ pranë Zyrës së Kriminalistikës në Landin e Bavarisë. Nëpunësit e këtij sektori, vë në dukje Schäfer, në punën e tyre nuk janë mbrojtësit e stabilitetit të monedhës, ata kanë për detyrë të garantojnë "sigurinë dhe lehtësinë në xhiron e pagesave". Ata përndjekin falsifikuesit e parave, në mënyrë që qytetarët të mund të jenë gjithmonë të sigurtë se kanë në dorë para "të vërteta", bankënota këto që paraqesin një "barazvlerë reale".

Në foto, Mario Draghi
Në foto, Mario DraghiFotografi: Reuters

Draghi: “Euro është simboli i dukshëm i bashkimit evropian”

Të enjten (10.01.2013) presidenti i BQE-së, Mario Draghi prezantoi kartëmonedhën e 5 eurove. Gjatë prezantimit në Frankfurt mbi Main Draghi tha: “Euro është simboli i dukshëm i Bashkimit Evropian.” Për këtë arsye janë bërë përpjekje të mëdha për prodhimin e kartëmonedhave të reja, që ato të jenë sa më të sigurta. Presidenti i BQE-së premtoi gjatë ceremonisë në Frankfurt mbi Main, se kartëmonedhat e reja të euros janë “fjala e fundit sa i përket teknologjisë dhe sigurisë.”


Raundi i ardhëshëm në ciklin e bankënotave

Mario Draghi nënshkruan në kartëmonedhën e re të 5 eurove
Mario Draghi nënshkruan në kartëmonedhën e re të 5 euroveFotografi: Reuters

Tani që BQE-ja hedh në qarkullim nga viti 2013 kartëmonedhat e reja, kjo nuk bëhet për të luftuar inflacionin, sepse për shkak të falsifikimeve do të kishte shumë para në qarkullim. Banka emetuese më shumë synon me serinë e re, që "t'ua vështirësojë punën falsifikuesve", thotë Schäfer.  Falsifikuesit e parave kanë gjithmonë nevojë për një farë kohe derisa t'i njohin mirë dhe të jenë në gjendje t'i imitojnë bankënotat. Vetëm pas një kohe të caktuar hidhen në qarkullim para të falsifikuara, të cilat normalisht dallohen lehtë. Kur falsifikuesit janë të ushtruar dhe kryejnë sërish "punë të pastër", atëherë nga këndvështrimi i një banke emetuese nis një cikël i ri bankënotash: Kartëmonedhat ekzistuese ripunohen dhe ndryshohen.

Përveç kësaj kartëmonedhat aktuale të euros janë tashmë qysh prej dhjetë vjetësh në qarkullim, shumë prej tyre janë vjetëruar dhe dëmtuar, ndaj gjithësesi ato duhet të këmbëhen me të reja. Gjatë emetimit të kartëmonedhave të reja banka emetuese shfrytëzon edhe rastin për t'i ripunuar shenjat e sigurisë të kartëmonedhave të veta.

Dobësia e euros

Artisti nga Këlni Hans-Jürgen Kuhl i njeh mirë paratë. Jo sepse ai posedon shumë para, por sepse ai vet ka prodhuar para - madje për këtë ai ka qenë gjashtë vjet i dënuar me burg. Ndonëse Kuhl nuk falsifikon më para, ai ende vazhdon t'i shohë kartëmonedhat me një sy tjetër. Ai i tha DW-së, se çfarë nuk i pëlqen tek euro, që është aktualisht në qarkullim: "Kodi i BQE-së në pjesën e përparme është paksa konveks, fare pak. Me pak mundim mund ta perceptosh atë. E kjo për falsifikuesit e rafinuar nuk përbën ndonjë problem të madh."

Në foto, Hans-Jürgen Kuhl
Në foto, Hans-Jürgen KuhlFotografi: picture-alliance/dpa

Ky s'është problem për një falsifikues si artisti Hans-Jürgen Kuhl p.sh. Ai është bërë i njohur edhe prej kartëmonedhave të dollarit të prodhuara në punishten e tij private: Ato janë konsideruar si falsifikimet më të mira të realizuara ndonjëherë të monedhës amerikane. Kuhl ka parë edhe bankënota të falsifikuara të euros, p.sh. të ashtuquajturat super-euro nga Evropa Lindore, të cilat konsiderohen si falsifikime të mira. Por edhe në rastin e "gonxheve" më të mira, sipas Kuhl, falsifikuesit dështojnë gjithmonë tek reliefet e njohura: "Problemi kryesor për falsifikuesit janë shenjat e fshehura dhe hologrami."

Një luftë pafund

Helmut Schäfer nga Enti i Kriminalistikës së landit të Bavarisë në Mynih beson, se edhe kartëmonedhat e reja të euros, që do të hedhë BQE-ja nga 2013 në qarkullim, mund të imitohen: "asnjëherë nuk do të ketë kartëmonedha absolutisht të sigurta prej falsifikimeve."

Bankat emetuese në fund të një cikli bankënotash gjithmonë do të përballen me sfidën e falsifikimit. Kjo nuk vlen vetëm për euron. Në sytë e Hans-Jürgen Kuhl, një njohës i shkëlqyer i punës së bankës emetuese të SHBA-së, edhe dollari s'gjen mëshirë. Kuhl i ka vëzhguar me kujdes kartëmonedhat e reja të dollarit dhe ka konstatuar, se ato ndonëse janë prodhuar në mënyrë mjaft të sofistikuar, "për një falsifikues të arësyeshëm ato s'përbëjnë asnjë problem."

Pamje simbolike
Pamje simbolikeFotografi: dpa Zentralbild

Më shumë punë zanatçiu

Edhe për falsifikuesit dhe mashtruesit duket se tregu i së ardhmes ndodhet në internet. Përmes mashtrimeve në sistemin e online-banking p.sh. fitohet shumë më tëpër dhe më lehtë e me më pak rrezik. Për këtë duhet të jesh i një kalibri tjetër, thotë polici Helmut Schäfer: nevojitet më shumë aftësi teorike se sa praktike. Ndonëse jo kushdo e ka këtë aftësi, "gjithmonë do të ketë falsifikues, sepse ata thjeshtë janë tipa zanatçinjsh."

Të mashtruarit e kanë fajin vet

Eksperti i parave të falsifikuara Hans-Jürgen Kuhl është i sigurtë, se "profesioni" i falsifikuesve të parave nuk do të zhduket kaq shpejt. Kjo, sipas tij, nuk ka të bëjë me paaftësinë e bankave emetuese për të prodhuar vërtetë kartëmonedha të sigurta dhe imune ndaj falsifikimit, por më shumë me pakujdesinë tonë.

Shumë njerëz teksa paguajnë në arkat e supermerkatove as që i numërojnë paratë e kusurit dhe në stresin për ta mbyllur sa më shpejt turnin shitëset në arkë jo gjithmonë i kushtojnë vëmendje se çfarë kartëmonedhe marrin në dorë. Sa më të pakujdesshëm jemi ne, aq më e thjeshtë është puna për falsifikuesit, thotë Kuhn: "Për aq kohë sa njerëzve mund t'ua hedhë edhe me një kartëmonedhë 75 eurosh, falsifikuesit mund të bëjnë çfarë të duan."