Festa e Kurban-Bajramit - ditë flijimi e sakrifice për myslimanët
8 Dhjetor 2008Festa e Kurban Bajramit përputhet me muajin e fundit të kalendarit Islamik Zul-Hidxhe, në të cilin besimtarët myslimanë fillojnë respektimin e riteve të Kurban Bajramit. Në këtë ditë në botën islame zbatohet zakoni i flijimit duke sakrifikuar një kurban. Imami i xhamisë së Dyseldorfit, Mensur Halili sqaron se: "Çdo shoqëri në jetën e saj manifeston dhe feston lloje të ndryshme të festave të traditave. Ne myslimanët në jetën tonë kemi dy festa kryesore: Festën e Fitër-Bajramit dhe Kurbanit-Bajramit. Festa e Fitër-Bajramit vjen pas një agjërimi një mujor që bëhet për hir të Allahut (xh.sh.) kurse kjo festë vjen pas një adhurimi që myslimani e flijon një kurban".
Prerja e Kurbanit është një obligim për çdo mysliman e myslimane, që gëzon minimumin e nevojshëm me pasuri. Sipas hoxhë Mensurit, dita e Kurban-Bajrami është Dita e sakrificës, ditë e ndihmës, dita e tolerancës dhe paqes. "Me therjen e kurbanit myslimani përkujton traditën e Ibrahimit a.s., i cili ishte në gjendje ta therte edhe djalin e tij Ismailin duke e flijuar atë për Allahun, por Zoti i madhërishëm e zëvendësoi atë me therjen e një dashi për kurban. Ne flijojmë kështu dhe sakrifikojmë nga pasuria jonë për hir të Allahut (xh.sh.) duke përkujtuar momentet e Ibrahimit a.s.".
Në këtë festë kurbanin e falur për zotin besimtarët myslimanë preferohet ta ndajnë në tre pjesë. Hoxhë Mensuri: "Kurbanin, i cili paraqitet për hir të Allahut duhet të jetë i shëndoshë, duhet t'i ketë të gjitha gjymtyrët e trupit, duhet të jetë pa të meta dhe në këtë formë ai tregon se me të vërtetë është besimtar i sinqertë. Therja e kurbanit bëhet pas faljes së namazit (lutjes) të Bajramit. Therjet para namazit nuk llogariten kurban. Kurbani, është mirë që të ndahet një pjesë për vete, një pjesë për farefisin dhe një pjesë për skamnorët".
Kurban Bajrami festohet sot edhe në Gjermani. Dallimi është më tepër tek organizimi. Sa i përket normave fetare islame kurbani është i njëjtë dhe i ka kushtet e njëjta gjikund në botë. Ajo është më shumë një festë familjare gjatë të cilës besimtarët shkojnë dhe vizitojnë familjet, miqtë, shoqërinë, dhe shfaqin simbolin e dashurisë mes vete: "Ditën e Kurban Bajramit çohemi në mëngjes herët, lahemi, pastrohemi, parfumosemi dhe vishemi me rroba të reja, marrim fëmijët dhe bashkarisht shkojmë të falim Namazin e Sabaut (mëngjesit) dhe qëndrojmë në xhami deri sa të vijë koha për faljen e Namazit të Bajramit. Pas këtij obligimi të gjithë kthehemi në shtëpi, vizitojmë të afërmit tanë siç është tradita edhe shqiptare, fetare dhe profetike".