Filluan bisedimet e statusit të ardhshëm të Kosovës në nivel të lartë në Vjenë
24 Korrik 2006Me ndërmjetësimin e të ngarkuarit të posaçëm të OKB-së Marti Ahtisari, u mblodhën krerët më të lartë të Kosovës dhe Beogradit. Palët do të shpalosin qëndrimet e tyre për ardhmërinë e Kosovës. Mirëpo që tani është e qartë se mundësia e kompromisit është shumë e vogël.
Qëndrimet e tyre të prera pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës palët biseduese i theksuan edhe në prag të takimit të sotëm, i cili sinjalizon fillimin e bisedimeve për statusin final.
Delegacioni i Kosovës udhëhiqet prej presidentit Fatmir Sejdiu, ndërkohë që pjesëmarrës janë edhe kryeministri Agim Çeku, kryetari i parlamentit Kolë Berisha, liderët opozitëarë Hashim Thaçi e Veton Surroi dhe anëtarët e grupit që biseduan për çështjet teknike, si decentralizimi, trashëgimia kulturore dhe çështjet ekonomike.
Ndërkohë që delegacioni serb udhëhiqet nga presidenti Boris Tadiç, kryeministri Vojisllav Koshtunica dhe ministri i jashtëm Vuk Drashkoviç. Pranë qilimit të kuq ceremonial, mirëseardhjen mysafirëve ua uruan ndërmjetësi kryesor Marti Ahtisari dhe kancelari austriak, Volfgang Shysel.
Ministrja e jashtme e Austrisë, Plassnik tha se shpreson që palët do të angazhohen për një kompromis dhe se do të jenë konstruktive. Delegacionet parakaluan para dhjetëra gazetarëve pa dhënë ndonjë deklaratë. Megjithatë, ne siguruam prononcimet e tyre që mbrëmë. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku tha se takimi i sotëm është një prej ngjarjeve më të rëndësishme. Ai theksoi se delegacioni i Kosovës kurrsesi nuk do të heqë dorë nga kërkesat për pavarësinë.
Çeku u shpreh se ky është "një takim ku do të dëgjohen pikëpamjet e të dyja palëve. Ne mendojmë se kemimardhur shumë të binsur dhe të vendosur këtu. Praktikisht Kosova është e bërë. Kosova funksionon si shtet demokratik, multi etnik, shtet funksional stabël, dhe është e sigurtë. Këtë takim e shohim si pjesë e procesit për ta njohur de juro, pavarësinë e Kosovës. Ne jemi pjesëmarrës në këtë proces dhe është ajo që na ka shtyrë në këtë takim. Kemi ardhur që të shpalosim vizionin tonë dhe të përshpejtojmë procesin për njohjen e pavarësisë së Kosovës."- tha Çeku.
Kryeministri Çeku theksoi se delegacioni i Kosovës kurrsesi nuk do të heqë dorë nga kërkesat për pavarësinë: "Për ne ajo është vija e kuqe, d.m.th. ne kemi ardhur këtu që të argumentojmë pavarësinë dhe kërkesën tonë për pavarësi."
Ndërsa i pyetur nëse mendon që këtë çështje do ta pranojë Serbia, e cila deri tani është deklaruar kundër pavarësisë, Çeku u shpreh: "Ne këtë nuk e presim nga Serbia. Ne bisedojmë me bashkësinë ndërkombëtare, ne shpalosim vizionin tonë para bashkësisë ndërkombëtare dhe ajo do të bindet nga vizioni që do të shpalosin serbët, se vërtet ajo çfarë propozojnë ata është e papranueshme, është diçka që prodhon stabilitet, është diçka që nuk garanton funksionalisht, është diçka jodemokratike dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe besojmë që argumentet tona janë shumë bindëse, dhe ato do ta bindin bashkësinë ndërkombëtare të njohë pavarësinë e Kosovës."
Delegacioni serb në anën tjetër refuzoi edhe një herë pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Vojisllav Koshtunica tha se bisedimet nuk do të përfundojnë sot. Ai tha se nga bisedimet e nisura sot pret: "Që të vijmë deri tek një zgjidhje kompromisi, me të cilin do të ishin të kënaqura të dyja delegacionet. Korniza për një kompromis të tillë ekziston dhe bazohet në parimet ndërkombëtare, në kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244. Korniza për zgjidhje mund të kërkohet edhe në parimet demokratike për zgjidhjen e çështjeve të pakicave për autonomi. Kompromisi parashikohet edhe me parimet e Grupit të imponuar mundëson që Serbia të shpalosë qëndrimin për autonominë esenciale të Kosovës në kuadër të Serbisë. Pres që bisedimet të fillojnë dhe të mos kushtëzohen me afate të caktuara kohore. Poashtu pres një zgjidhje, e cila do të ishte në interes të shqiptarëve dhe të serbëve", theksoi kryeministri Koshtunica.
Edhe ministri i jashtëm i Serbisë, Vuk Drashkoviq tha se Serbia është e interesuar për kompromis. Ky kompromis, sipas tij bazohet mbi tri parime: "Një, duhen pranuar të gjitha kërkesat legjitime të shumicës shqiptare. Dy- duhen respektuar të gjitha të drejtat e serbëve dhe tre - duhet respektuar karta e OKB për mosndryshimin e kufijëve të jashtëm.
I pyetur nëse edhe pavarësia paraqet kompromis, Drashkoviq u përgjigj: "Pavarësia nuk mund të jetë kompromis. Po çfarë do të ishte kërkesa maksimaliste? pyeti ai. Në sugjerimin se pala shqiptare thotë se kërkesa mund të jetë bashkimi me Shqipërinë, Drashkoviq tha: "Duhen respektuar parimet e Grupit të KOntaktit dhe e drejta ndërkombëtare."
Drashkoviq u shpreh kundër pohimeve se Kosova është një rast specifik duke shtuar se takimi i sotëm do të jetë jashtëzakonisht i vështirë. Sidoqoftë takimi i sotëm po monitorohet prej përfaqësuesve të të gjitha shteteve anëtare të Grupit të Kontaktit, Natos dhe institucioneve tjera të rëndësishme ndërkombëtare. Takimi do të zgjatë deri në orët e pasdites kur do të zhvilloohet edhe takimi me gazetarë.