Filmi spanjoll "Arracàs" fiton Ariun e Artë të Berlinales
17 Shkurt 2022Fituesja e Ariut të Artë për filmin më të mirë është regjisorja spanjolle Carla Simón, për filmin e saj, "Alcarràs", që bazohet në përvojat e familjes së saj. Në film familja Solé ka një pemishte me pjeshkë, që kërcënohet nga ndërtimi i paneleve diellore. Trupa e aktorëve të filmit të saj nuk kishte përvojë të mëparshme aktrimi.
Juria vlerësoi "portretizimin, butësinë, gëzimin dhe humorin e jashtëzakonshëm" të filmit "Alcarràs".
Familja e regjisores Carla Simón kultivon pjeshkë në Alcarràs, prandaj ajo ua kushtoi çmimin të gjithë fermerëve që kujdesen që njerëzit e tjerë të kenë ushqim në tryezë.
"Tani e konsideroj veten si bijë të Berlinales," tha Carla Simón, e cila në vitin 2017 po në Berlinale premierën e filmit të saj të parë "Frida's Summer".
Gjysmën e çmimeve e fituan gratë
Pas shpalljes së programit për konkursin e Berlinales 2022 ra në sy numri i madh i regjisoreve dhe kinesateve. Shtatë nga 18 filmat ishin bërë nga regjisore femra dhe katër prej veprave të tyre u vlerësuan me arinj.
Përveç Ariut të Artë për Carla Simón, me Arinj të Argjendtë u nderua Natalia López Gallardo për filmin "Robe of Gems") dhe Claire Denis si regjisorja më e mirë për filmin "Avec amour et acharnement".
Po ashtu me Arinj të Argjendtë u nderuan edhe produksioni indonezian "Nana" nga regjisorja Kamila Andini. Kurse Laura Basuki mori Ariun e Argjendtë për interpretimin më të mirë në një rol dytësor.