1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fondi Ndërkombëtar Monetar IWF i fal Senegalit borxhet

Jan Tusing23 Dhjetor 2005

Këtë javë Këshilli Ekzekutiv i Fondit Ndërkombëtar Monetar, IWF vendosi që vendeve më të varfëra në botë t´u falen borxhet që kanë tek kjo organizatë

https://p.dw.com/p/As8G
Flamuri senegalez
Flamuri senegalez

Senegali ka 3 miliardë dollarë borxhe. Këto janë rreth 80% e prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Me këto borxhe ky vend futet në listën me vendet më të varfëra në botë. Këto borxhe po ja marrin frymën vendit, duke mos e lejuar atë që të investojnë në shkolla apo spitale. Eshtë normale që vendimi për t´ua falur borxhet, u prit me gëzim të madh nga senegalezët. Gazetari i të përditshmes "Le Quotidien", Aliou Cisse tregon: "Duhet të pranoj se ky është një lajm shumë i mirë. Sidomos sepse vendi ynë ka kohë që e kërkon këtë gjë. Askush nuk kishte menduar, se do të realizohej me të vërtetë. Por ky është vetëm fillimi, sepse në fakt ka rreth 12 vende të tjera që do të përfitojnë nga ky vendim. Dhe ka shumë vende të tjera afrikane që kanë nevojë për të njejtin vendim nga Fondi Ndërkombëtar Monetar."

Senegali luftoi shumë kohë për faljen e borxheve nga shtetet e pasura. Ky vend ka kohë që është një vend demokratik. Një fenomen shumë i rrallë ky në Afrikë. Në vitin 2002 në Senegal u zhvilluan zgjedhje demokratike dhe presidenti i vendit Abdoulay Wade ja arriti që Senegali të futet në listën e vendeve në zhvillim që mbështeten nga Gjermania. Vetëm një situatë stabile politike mund ta bindë një vend si Gjermaninë që të investojë dhe të zhvillojë projekte në një vend në zhvillim.

"Nga ana makro ekonomike Senegali ka arritur suksese, kemi një rritje ekonomike prej 6%. Por problemi është se familjet e thjeshta në vend nuk përfitojnë nga ky zhvillim" - tregon gazetari Cisse.

Ose në saktësisht: Rritja ekonomike në Afrikën Veriore konsumohet menjëherë nga popullsisa që shtohet gjithashtu papushim. Dy të tretat e të gjithë njerëzve në Senegal duhet të jetojnë me më pak se dy dollarë në ditë. Papunësia e lartë, problemet me korrupsionin dhe arsimi i keq kanë një efekt negativ për zhvillimin ekonomik të Senegalit. Ka shumë zëra që janë shprehur skeptikë se falja e borxheve nuk do t'a ndihmojë me të vërtetë Senegalin. Abdullah Bal punon si roje për një firmë: "Ky vendim nuk do të ndryshojë asgjë në jetën e përditshme të senegalezëve dhe afrikanëve. Kjo është hera e dhjetë që vendeve afrikane i falen borxhet dhe asgjë nuk ndryshon. Situata sociale është katastrofale. Në vendin tonë nuk funksionon asgjë. Pra çfarë do të ndryshojë me faljen e borxheve? Politika është ajo që duhet të ndryshojë. Do të ishte më mirë sikur ata të investonin këtu në vend që të na falnin borxhet. Por në vend të kësaj po i falen borxhet një qeverie që nuk interesohet fare se çfarë ndodh në vend. Këtu nuk ka asnjë politikë agrare apo arsimi dhe njerëzit vuajnë."

Kjo është pika më e dobët e çdo vendimi: Çfarë bëjnë qeveritë përkatëse me paratë që ju falën? A shkojnë paratë në xhepat e shefave të korruptuar? Por në Senegal shpresa për një jetë më të mirë është e justifikueshme. Ndërkohë që gjatë viteve 90-të, shteti hiqte mënjanë rreth 20% të buxhetit financiar për të shlyer borxhet, tani këto para mund të investohen në zhvillimin e vendit. Presidenti Wade do të investojë në forcimin e sektorit privat. Sipas planit të tij do të investohet në sektorin e peshkimit, në turizëm dhe në sektorin bujqësor. Dhe kur dikur disa nga 3 milionë të papunët do të gjejnë një punë, atëherë edhe ata do të përfitojnë nga falja e borxheve të shtetit të tyre.