Frika nga dimri
Megjithëse temperaturat kanë rënë, fluksi i refugjatëve në drejtim të Evropës nuk është ndërprerë. Me vrull tani po ngrihen strehat dimërore. Rreth 100.000 vendstrehime të përkohshme së shpejti do të jenë gati.
Të ftohtët po shtrihet në të gjithë vendin
Dimri ende nuk ka ardhur në Gjermani, por në fund të udhëtimit të tyre sfilitës përgjatë rrugës së Ballkanit, shumë refugjatë vuajnë për shkak të kushteve ekstreme të motit. Gjatë ditës temperaturat vazhdojnë të jenë dyshifrore, po gjatë natës, në kufirin midis Gjermanisë dhe Austrisë, ato bien deri nën 0 gradë.
Mbrojtje mjerane
Nga një pyll i vogël afër refugjatët kanë marrë dru për të ndezur zjarr nën qiellin e hapur. Ndryshe nga mbi 60.000 njerëzit, që kanë kërkuar azil në Austri gjatë 2015-s, këta refugjatë duan të vazhdojnë rrugën për Gjermani. Që pamje të tilla t’i përkasin së kaluarës, shumë shpejt, përgjatë rrugës së Ballkanit, do të ngrihen rreth 100.000 vendstrehime të përkohshme, nga të cilat 5000 në Austri.
Çadrat si streha kufitare
Që nga e premtja, në kufirin midis Gjermanisë dhe Austrisë, vetëm 50 refugjatë mund të kalojnë kufirin brenda një ore. Kjo masë mendohet të mundësojë një regjistrim më të mirë të refugjatëve. Gjatë kohës së pritjes, një çadër e sapo ngritur në komunën austriake Kollerschlag i mbron refugjatët nga të ftohtët. Ajo mund të ngrohet, ka një dysheme prej druri dhe në të mund të zënë vend 1000 njerëz.
Pritja në kufirin e gjelbër
Nëse kalimi i kufirit nga refugjatët, ashtu siç kanë rënë dakord autoritet gjermane dhe austriake, në raportin 50 refugjatë brenda një ore, do të ketë vazhdimësi, mbetet gjithsesi për t’u parë. Kampet e çadrave në kufirin gjermano-austriak janë të tejmbushura. Më shumë se 1000 refugjatë si në Kufstein ashtu edhe në Kollerschlag (foto) presin për lejen e hyrjes në Gjermani.
Kushte jo të mira në Ballkan
Vështirësi shumë më të mëdha për ngritjen e vendstrehimeve dimërore kanë shtetet e tjera përgjatë rrugës së Ballkanit. Në ditët e mëparshme, në Rigonce të Sllovenisë, shumë refugjatë duhet të qëndronin jashtë, në shi dhe të ftohtë, pa asnjë mbrojtje. Shumica e strehave të emergjencës në Slloveni nuk janë të përshtatshme për dimër. Edhe në shtetet e tjera të Ballkanit situata nuk është më e mirë.
Arrati e rrezikshme përmes Egjeut
Ishulli grek Lesbos është për shumë refugjatë destinacioni i parë. Temperaturat e ujit në Egjeun verior kanë rënë deri në 20 gradë – në fund të vitit temperatura do të ulet përsëri deri në 17 gradë celsius. „Kur kushtet klimaterike do të përkeqësohen, skafistët do t'i ulin çmimet. Prandaj do të vijnë edhe më shumë refugjatë “, thotë korrespondentja e DW-s, Omaira Gill.
Çadra të ngrohura në Saksoninë e Poshtme
Autoritetet dhe politikanët gjermanë e quajtën strehimin e refugjatëve nëpër çadra si një zgjidhje të përkohshme emergjence. Kjo ndodhi në verë. Por ndërkohë është e qartë: Shumë refugjatë do ta kalojnë edhe dimrin gjerman në çadra. Por tani për tani jo të gjitha çadrat – si këtu në një kamp në landin e Saksonisë së Poshtme – mund të ngrohen.
I ftohtë vrastar
Jo vetëm refugjatët e Evropës i frikësohen një dimri të ashpër. Në Libi, gati 200.000 njerëz në Bekaa-n malore jetojnë nën çadra plastike. Edhe vitin e kaluar (foto) njerëzit kanë vuajtur shumë nga dëbora dhe ngrica. Por shumë pronarë tokash janë kundër çadrave dimërore. Ata nuk duan që sirianët të qëndrojnë gjatë aty