Frika nga shkrirja bërthamore në Japoni - evakuohen mbi 200 mijë vetë
13 Mars 2011Sipas të dhënave të kompanisë menaxhuese të centralit bërthamor Fukushima 1 nga shpërthimi nuk është prekur mbështjellësi i sigurisë së reaktorit. Ndërkohë po vazhdojnë përpjekjet për rritjen e nivelit të ujit ftohës, në mënyrë që të ulen sërish temperaturat në reaktor, thuhet më tej. Megjithatë rrezatimi radioaktiv në centralin bërthamor japonez të dëmtuar prej tërmetit Fukushima 1 kaloi sipas të dhënave të operatorit përkohësisht vlerat maksimale ligjore. Qeveria është informuar për gjendjen emergjente, bëri të ditur sipërmarrja Tokyo Electric Power (Tepco). Më parë sipas të dhënave të fundit në rrethinat e centralit bërthamor ishin rrezatuar 19 vetë. Impiantet Fukushima 1 dhe 2 kanë që prej tërmetit të së premtes probleme me ftohjen. Në një bllok reaktori pati shpërthim. Nëse atje ka shkrirje bërthamore, kjo vazhdon të jetë e paqartë. Në rajonin rreth centraleve bërthamore u çuan në vende të sigurta sipas të dhënave të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Bërthamore (IAEA) në Vjenë gjithsej 200.000 vetë. Qeveria japoneze foli fillimisht për një masë të mirëfilltë kujdesi. Kryeministri japonez Naoto Kan tha se: "Ne do të bëjmë krejt çka është e mundur për të shpëtuar të gjithë të mbijetuaritë dhe ata që kanë mbetur të ngujuar, para së gjithash gjatë ditës së sotme. Çdo minutë është e rëndësishme", tha kryeministri Kan. Televizioni japonez NHK tregoi se nga shpërthimi në central janë rrëzuar çatia dhe një pjesë e mureve të ndërtesës së reaktorit. Si pasojë janë lënduar katër punëtorë.
Frikë nga katastrofa nukleare
Japonia i trembet një katastrofe nukleare pas tërmetit katastrofik. Të premten pas ndalimit së funksionuari të sistemeve të ftohjes në dy reaktorë atomike të energjisë është gjetur lëndë radioaktive cezium në afërsi të impianteve. Një përfaqësues i autoritetit mbikqyrës të energjisë atomike ka pohuar se në një impiant të Fukushimës ka pasur rrjedhje. Më parë në një pajisje kontrolli të reaktorit ishte matur një vlerë radioaktiviteti një mijë herë më e lartë se vlera e lejuar. Pas tërmetit shkatërrues të premten sistemet e ftohjes nr. 1 dhe 2 në Fukushima ishin dëmtuar. Reaktorët arritën të shuheshin automatikisht pas tërmetit, por sistemet e ftohjes nuk arritën të ulnin temperaturat, që një rast të tillë pësojnë rritje. Deri të shtunën nuk u arrit mënjanimi i defektit.
Vazhdojnë lëkundjet pas tërmetit
Një ditë pas tërmetit më të rëndë në historinë e Japonisë dhe cunamit të fuqishëm pasues, rajoni bregdetar lindor u trondit nga një tërmet i shkallës 6,8 ballë. Vetëm në provincën Miyagi të zhdukur konsiderohen rreth 10 mijë njerëz. Sipas përllogaritjeve të qendrës sizmike amerikane, epiqendra e tërmetit ndodhej sërish ngë qytetin Sendai. Nuk dihet ende nëse ka viktima. Ndërkohë forcat e shpëtimit ende nuk kanë mundur të hyjnë në zonat e prekura nga katastrofa. Deri më tani janë nxjerrë 703 viktima, më shumë se 800 vetë konsiderohen të humbur. Një mur uji në lartësi prej 10 metrash goditi me forcë të premten brigjet verilindorë të Japonisë. Qindra vetë konsiderohen të humbur nga dallgët apo në rrënojat e ndërtesave. Një numër i madh shtëpish dhe firmash në Miyagi dhe Sendai u shkatërruan, anijet e përplasën me forcë në tokë.
Alarm në vendet e Paqësorit
Mbi 50 shtete të Paqësorit dhanë sinjalin e alarmit të cunamit. SHBA dërgoi një aeroplanmbajtëse në Japoni për të mbështetur masat e emergjencës. Presidenti amerikan Barack Obama u shpreh: "Ky është një shkatërrim katastrofik, imazhet e shkatërrimit dhe përmbytjes të godasin në zemër. Japonia është natyrisht aleati ynë më i fuqishëm dhe më i ngushtë... Në emër të popullit amerikan u shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave."
Japonia kërkon ndihmë për përballimin e pasojave të katastrofës
Japonia i ka kërkuar Bashkimit Evropian zyrtarisht ndihmë në rastin e katastrofës, para së gjithash në gjetjen e të humburve. Komisioni Evropian siguroi qeverinë në Tokio për dërgimin e forcave të shpëtimit. Gjermania dërgon këtë të shtunë aparate kërkimi dhe qen gjurmues. Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha se qeveria gjermane do të ndihmojë jo vetëm këto ditë, por edhe në plan afatgjatë në rindërtimin e vendit. "Pamjet që na mbërrijnë janë dramatike, të tmerrshme. Fshatra të tëra janë fshirë nga faqja e dheut. Ende ne nuk e kemi një pamje të qartë për këtë dhimbje njerëzore."Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara tha se Japonia mund të shpresojë "në çdo lloj ndihme të mundshme" nga Kombet e Bashkuara.
Autor: Lindita Arapi / Esat Ahmeti (dpa; afp; rtr)
Redaktoi: Eliana Xhani