1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fushatës zgjedhore në SHBA i erdhi fundi

3 Nëntor 2020

SHBA: Në ditët e fundit para votimit Biden kryeson në sondazhe kundrejt presidentit aktual Trump. Në fazën përmbyllëse të fushatës Trump po udhëton nga njëri shtet federal në tjetrin për të kompensuar humbjet.

https://p.dw.com/p/3kmqO
USA Präsidentschaftswahlen | Donald Trump | Wahlkampagne in Newtown
Fotografi: Chris Szagola/dpa/picture alliance

Duke treguar forcë në fund të fushatës elektorale, Presidenti amerikan Donald Trump kërkon që të kompensojë pikët e humbura në sondazhe dhe të fitojë ende vota për të siguruar postin edhe një legjislacion tjetër. Pas pesë daljeve në fushatë ditën e dielë (01.11), republikani Trump të hënën (2.11) doli në tri shtete, për të cilat bëhet luftë e madhe për marrjen e votave. Sfiduesi demokrat, Joe Biden për herë të fundit në fushatë u fokusua në shtetin më të rëndësishëm, Pensilvani.

Trump kërkon që rezultatet të nxirren natën e zgjedhjeve

Faqja e lajmeve në internet "Axios” njoftoi, se Trump ka folur me njerëzit e tij të besueshëm, lidhur me planet që ai të deklarohet fitimtar që natën e zgjedhjeve nëse ka përparësi në vota, pa përfunduar numërimin e votave. Trump ka kërkuar sërish që rezultati i zgjedhjeve të dalë që natën e të mërkurës. "Është e tmerrshme, nëse nuk do jemi në gjendje të marrim rezultatin e zgjedhjeve mbrëmjen në ditën e votimit”, tha Trump. Ka kohë që ai shpreh mosbesim në procesin e zgjedhjeve dhe sipas mendimit të kritikëve është duke përgatitur terrenin, që në rast humbjeje të verë në dyshim rezultatin.

Për shkak të pandemisë së Coronës pritet që numri i votave dërguar me postë të jetë i lartë. Sipas sondazheve, shumica e idhtarëve të Bidenit, janë duke e dhënë votën me letër. Në shtetet federale ku zhvillohet luftë e ashpër për marrjen e votave, si përshembull Pensilvania, votat e dhëna me letër mund të numërohen ditë të tëra pas ditës së votimit. Kjo mund të bëjë që nëse Trump ka përparësi natën e së mërkurës, fitorja e tij të kthehet në humbje ditët e mëpasme, kur të numërohen të gjitha votat. Atëherë votuesit ia kanë dhënë shtetin federal ku rezultati ndryshon jo Trumpit, por Bidenit. Ka muaj që Trump pretendon pa pasur asnjë dëshmi, se dhënia e votave me letër favorizon manipulimin e zgjedhjeve.

Kombobild | Donald Trump und Joe Biden

Bëhet fjala për shtetet e ashtuquajtura "Swing States"

Në fund të saj, fushata elektorale është përqëndruar në shtetet e quajtura "Swing States", siç përshembull Pensilvania, për të cilat nuk është e sigurt e kujt është fitorja e kandidatit republikan apo atij demokrat. Në fundjavë Trump ndodhej në sondazhe pas Bidenit, si në nivel federal ashtu edhe në disa nga "Swing States". Por rizgjedhja e tij nuk është e përjashtuar si mundësi, përderisa në bazë të sistemit zgjedhor edhe kandidati me numrin më të madh të votave në gjithë vendin, mund t'i humbasë zgjedhjet.

Në daljet në fushatën zgjedhore ditën e dielë të dy kundërshtarët sulmuan njëri - tjetrin verbalisht. Në Dubuque në shtetin federal të Iowa-s, Trump sulmoi Bidenin duke e akuzuar si të korruptuar. Pa pasur dëshmi, ai pretendon se familja e Bidenit ka marrë miliona dollarë nga Kina. "Nëse Bideni fiton, atëherë fiton Kina. Nëse fitojmë ne, atëherë fiton Amerika,” tha Trump. Gjatë fushatës së tij elektorale, Trump, 74 vjeçar, tregoi video me premtime dhe gafat e bëra nga konkurrenti 77 vjeçar, duke vënë në pikëpyetje aftësinë e Bidenit për postin e Presidentit.

USA Wahlen 2020 Joe Biden
Fotografi: Andrew Harnik/AP Photo/picture alliance

Idhtarët e Trumpit përplasin autobusin e fushatës zgjedhore

Në shtetin federal të Teksasit, ndodhi një incident me një kolonë me automjetet e fushatës zgjedhore të Bidenit. Disa automjete të idhtarëve të Trumpit u përpoqën të ndalonin një autobus të demokratëve dhe e detyruan të dalë nga rruga, shpjegoi ekipi i fushatës zgjedhore të Bidenit. Një video e incidentit u shpërnda nga Trump në twitter me komentin "I LOVE TEXAS!" Kurse fushata e Bidenit anuloi dy nga aktivitetet e Teksasit. Demokratët e akuzuan Presidentin se inkurajon idhtarët t'i shtijnë frikën të tjerëve.

"Të lodhur nga tweets"

Gjatë një dalje në fushatë elektorale në Filadelfia, Biden tha: "Ka ardhur koha për Donald Trump të bëjë gati valixhet dhe të niset për në shtëpi. Ka ardhur koha që t'i kthehet pak jetë këtij kombi. Ne kemi mbaruar, jemi lodhur me tweetet, urrejtjen, zemërimin, dështimin dhe mungesën e përgjegjësisë." Bideni kritikoi Trumpin për menaxhimin e krizës së pandemisë duke e quajtur "gati kriminale”.

Megjithë rritjen e dukshme të numrit të të infektuarve Trump siguroi se SHBA do ta kapërcejë shpejt krizën e Coronës. Ai e përjashtoi si mundësi një lockdown tjetër, si ai i shteteve europiane. Gjatë një fushate elektorale në Miçigan ai tha "Unë do t'ju sjell comeback-un e madh amerikan dhe ne nuk do të kemi Lockdowns". Nëse zgjedhjet i fiton Biden, atëherë do të kemi një lockdown që do të zgjasë gjithë vitin. "Në mes të Lockdown-it të Bidenit ju do të jetoni në një shtet burg,” tha Trump duke bërë profeci për kundërshtarin e tij.

USA Wahlkampfauftritt von Trump in North Carolina
Fotografi: Evan Vucci/AP Photo/picture-alliance

Mbrëmje pavarësisht virusit Corona

Megjithë paralajmërimet e autoriteteve të shëndetit për rreziqet e lidhura me grumbullimet e mëdha në mes të pandemisë së Coronës, Trump do të ka organizoj në Shtëpinë e Bardhë një festë të madhe ditën e zgjedheve. Rreth 400 miq të ftuar pritet të shkojnë natën e 3 nëntorit në krahun lindor të selisë së qeverisë, thuhet në qarqet qeveritare. Të gjithë të ftuarit duhet të bëjnë para takimit analizat e Coronës.