1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Fytyra të reja për Japoninë

Martin Fritz
15 Korrik 2017

Pas humbjes së zgjedhjeve komunale në Tokio, kryeministri Shinzo Abe synon të rifitojë besimin e humbur me anë të riorganizimit të kabinetit qeveritar.

https://p.dw.com/p/2gaRU
Japan Shinzo Abe
Fotografi: picture-alliance/Kyodo

Ligje antipopullore dhe disa skandale e shkatërruan dhjetë vjet më parë besimin e qytetarëve tek qeveria e parë e Shinzo Abes midis viteve 2006 dhe 2007. Fatura ishte atëherë dështimi në zgjedhjen në Dhomën e Sipërme të parlamentit. Abe arriti ta riorganizojë kabinetin qeveritar, por për arsye shëndetësore pak më vonë dha dorëheqjen. Dhjetë vjet më vonë duket se rrjedha e këtyre ngjarjeve po përsëritet.

Këtë herë, mosbesimin e qytetarëve e shkaktoi shpërndarja jotransparente e pasurive të patundshme miqve të Abe-s. Një ligj antiterror, i imponuar në parlament, i cili mund të shpërdorohet lehtë për përgjim, shkaktoi gjithashtu pakënaqësi, si deklarimi nga Abe, se do ta ndryshojë nenin 9 të kushtetutës për pacifizmin. Kësaj i shtohen shkarje verbale të disa ministrave.

Si pasojë, Partia Liberaldemokrate (LDP) në pushtet, e cila drejtohet që prej pesë vjetësh nga Abe, humbi para dy javësh në zgjedhjet komunale gjysmën e mandateve në kryeqytetin Tokio. Kuotat e mbështetjes për Abe-n, në disa sondazhe kanë rënë në vlerat më të ulëta të mandatit të tij të dytë. Si shkak kryesor, të pyeturit thanë se nuk i besojnë kryeministrit dhe se mendojnë që pas katër vitesh e gjysmë në qeveri ai është bërë arrogant.

Pozicioni kryesues i Abe-së nuk rrezikohet

Por ndryshe nga viti 2007, pozicioni i Abe-së nuk rrezikohet drejtpërsëdrejti. Gjendja e tanishme dallohet rrënjësisht nga gjendja e atëhershme, thotë politologu gjerman, Sebastian Maslov nga Universiteti i Kobe-s. "Atëhere, me Partinë Demokratike ekzistonte një opozitë e fuqishme, në një kohë kur dobësia e sotme e opozitës në Parlament është shkaku kryesor për dominimin e LDP nën Abe", argumenton Maslov. "Prandaj unë nuk shoh krizë ekzistenciale të qeverisë Abe", konstaton eksperti gjerman për Japoninë.

Në Japoni, zgjedhjet parlamentare nuk kanë pse të zhvillohen para dhjetorit 2018. Megjithatë politikani 62 vjeçar ndjen një presion të madh për të vepruar. "Kabineti Abe duhet të nisë edhe njëherë krejt nga e para dhe të qeverisë me modesti", kërkohet në gazetën konservatore Yomiuri, e cila e mbështeste deri tani Abe-në.

Pritet që më 3 gusht, kryeministri ta riformatojë kabinetin e tij. Fytyra të pakonsumuara do të simbolizojnë një fillim të ri. Dy personat me rëndësi kyçe në qeverinë Abe, sekretari i kabinetit Yoshihide Suga dhe ministri i Financave, Tare Aso do t'i ruajnë postet. Kjo në një kohë kur ministrja e Mbrojtjes, Tomomi Inada dhe ministri i Drejtësisë, Katsutoshi Kaneda pritet të largohen nga postet, për shkak të gabimeve muajt e fundit. Inada u konsiderua përkohësisht si pasardhëse e Abe-së, por këtë tani nuk e përmend njeri.