Ministrat e Financave të G20 synojnë parandalimin e krizës
16 Korrik 2022Sekretarja e Thesarit e SHBA, Janet Yellen, gjatë së premtes (15.09) i kërkoi grupit të vendeve të pasura të G20-ës që të ndërmerrnin veprime të menjëhershme me qëllim ndalimin e krizës ushqimore, të shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë.
‘Duhet të marrim masa për zgjidhjen e krizës afatshkurtër të pasigurisë ushqimore dhe po aq e rëndësishme është kriza afatgjatë e kësaj pasigurie, duke e lidhur këtë krizë edhe me ndryshimet e klimës' – tha Yellen. "Shpejtësia dhe urtësia e vendimeve tona të tanishme do të tregojë rëndësinë e të pasurit të krizës nën kontroll" – shtoi ajo.
Ende tensione mbi marrëdhëniet me Rusinë
Agjenda dy-ditore e takimit të ministrave të financave të G20 në Bali të Indonezisë, është përqendruar tërësisht tek pasojat ekonomike të pushtimit rus në Ukrainë. Në takimin e prillit të G20-ës, sërish me tematikë kryesore financat, zyrtarët e SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Kanadasë dhe Ukrainës u larguan në shenjë proteste kundër pjesëmarrjes së të dërguarve rusë në samit.
Jo më larg se javën e kaluar, kryediplomati i Moskës u largua nga takimi me ministrat e Jashtëm të G20. Sergey Lavrov u tha homologëve të tij se lufta në Ukrainë nuk ishte shkaku për krizën botërore të urisë dhe sanksionet me qëllimin izolimin rus ngjanin me një deklaratë lufte.
Pasiguria për ushqimet dhe furnizimet me pleh kimik, shqetësimet kryesore
Ministrja indoneziane e Financave, Sri Mulyani Indrawati, paralajmëroi se bota po përballet me urinë alarmante për shkak të luftës, kufizimeve të eksportit dhe efektit të zgjatur të pandemisë së koronavirusit. "Miliona dhe mbase miliarda njerëz varen nga ne" - tha Indrawati. "Mungesat e karburantit po ndjehen në mbarë botën. Dhe ne po shohim se kjo situatë ka një ndikim të madh politik dhe social" - shtoi ajo.
Rreziku i një krize të furnizimit me pleh kimik mund ta përkeqësojë krizën ushqimore në vitin 2023 por edhe më tej, sipas Indrawatit. Ajo sugjeroi që G20 të formojë ministri të përbashkëta për financat dhe bujqësinë, me qëllimin zgjidhjen e kësaj situate. Megjithatë, Yellen tha se këto organizma pothuajse ekzistojnë. "Ne nuk kemi nevojë për institucione të reja. Ne kemi nevojë për koordinim të fortë, ndarje njohurish, kërkime dhe zhvillim, financim dhe veprim" - tha ajo.