Kryetari i partisë Sinn Fein nën akuzë për një vrasje
2 Maj 2014Kryetari i partisë nacionaliste Sinn Fein në Irlandën e Veriut, Gerry Adams është arrestuar dhe është duke u marrë në pyetje në lidhje me një rast vrasje në vitin 1972. Sipas të dhënave të partisë së tij Sinn Fein ai u arrestua më 30. prill. Fjala është për vrasjen e Jean McConville, e cila ishte atëherë 37-vjeçe, dhe u rrëmbye dhe u vra. McConville e cila ishte nënë dhjetë fëmijësh u rrëmbye në vitin 1972 nga shtëpia e saj në perëndim të Belfastit. Kockat e saj u gjetën në vitin 2003 pas një stuhie të varrosura në një plazh në County Louth. IRA e akuzonte Jean McConville se i kishte dhënë inforacione ushtrisë angleze.
65-vjeçari Gerry Adams ka qenë pjesë e rrethit drejtues të ish-organizatës së armatosur ilegale IRA dhe më vonë një ndër farkëtuesit vendimtarë të procesit të paqes në Irlandën e Veriut. Ai tani është deputet në parlamentin irlandez. Së paku dy ish-pjesëtarë të IRA-s e kanë rënduar Adamsin duke e akuzuar se ai ka qenë personi që ka dhënë porosi për vrasjen e Jean McConville.
Adams mohon çdo bashkëpërgjegjësi
Gerry Adams e mohon çdo lloj bashkëpërgjegjësie për këtë vrasje. Ai e quajti vrasjen e McConvilles si një "padrejtësi të rëndë" duke theksuar gjithashtu para marrjes në pyetje: "Unë jam i pafajshëm në të gjitha aspektet, pra si lidhur me rrëmbimin, vrasjen dhe varrosjen e zonjës McConville."
Kritika nga Sinn Fein
Partia e Adamsit Sinn Fein reagoi e indinjuar për arrestimin e tij. Zëvendëkryetarja e partisë Mary Lou McDonald tha se arrestimi ka motive politike dhe synon dëmtimin e Adamsit dhe të partisë së tij.
Edhe Martin McGuinness, gjithashtu anëtar i Sinn Fein dhe zëvendëskryeministër i Irlandës së Veriut e kritikoi arrestimin dhe tha se Adams mund të ishte marrë në pyetje edhe në gjendje të lirë. Martin McGuinness ka qenë gjithashtu pjesë e rrethit drejtues të ish-organizatës së armatosur ilegale IRA.
Asnjë motiv politik pas arrestimit
Kryeministri i Britanisë së Madhe David Cameron i kundërshtoi këtë deklarata dhe tha se nuk ka asnjë lloj përzierjeje politike dhe se sistemi i drejtësisë në Angli dhe në Irlandën e Veriut është i pavarur.
Edhe kryeministri i Irlandës Enda Kenny i hodhi poshtë kritikat duke thënë se "kemi të bëjmë me një rast vrasjeje, hetimet për të cilin vazhdojnë."