1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjakderdhje në një kamp të rinjsh në Norvegji

23 Korrik 2011

Policia e Norvegjisë flet për terror "me dimensione katastrofale": sipas të dhënave të fundit, në atentatin ndaj një kampi të rinjsh janë vrarë të paktën 80 vetë. Më parë në qendër të Oslos kishte shpërthyer një bombë.

https://p.dw.com/p/1227n
Ishulli Utoya në Norvegji.
Ishulli Utoya në Norvegji.Fotografi: dapd

Gjatë dy sulmeve terroriste në Norvegji sipas të dhënave më të fundit të policisë kanë vdekur rreth 90 njerëz.Vetëm në kampin e të rinjve të socialdemokratëve qeverisës në ishullin Utoya afër Oslos janë qëlluar për vdekje të paktën 80 njerëz, bëri të ditur shefi i policisë Oystein Maeland në një konferencë shtypi. Sulmi terrorist ka marrë përmasa katastrofike, deklaroi Maeland.

Policia ka arrestuar në Utoya sulmuesin e dyshuar, një norvegjez 32 vjeçar i cili sipas medieve i përket forcave radikale të djathta. Pak orë para masakrës në ishull, nga një shpërthim i një bombe pranë ndërtesës së qeverisë kishin humbur jetën të paktën shtatë njerëz. Bomba shpërtheu në afërsi të zyrës së kryeministrit Jens Stoltenberg. Politikani socialdemokrat nuk pësoi lëndime. Ai më pas doli i tronditur para shtypit dhe deklaroi: "Askush nuk mund të ishte i parapërgatitur tërësisht për një situatë të tillë. Ne ishim në gatishmëri dhe ka shumë përvoja për situata të ngjashme. Por unë mund të them më shumë kur ne të dimë hollësitë dhe sfondin e këtyre sulmeve. E rëndësishme është tani që ne të kujdesemi për të plagosurit, viktimat dhe të prekurit".

Gjatë natës kryeministri Stoltenberg ka vizituar në spital të plagosurit. Hetimet sipas medieve norvegjeze flasin për atë që i arrestuari 32 vjeçar është përgjegjës edhe për sulmin në Oslo. E paqartë është nëse ai ka vepruar i vetëm. Gjurmë të lidhjes së tij me rrjetet ndërkombëtare terroriste nuk ka.

Mbreti i Norvegjisë Herald V i bërii thirrje qytetarëve të tij që në këtë krizë kombëtare, më e rënda qysh prej Luftës së Dytë Botërore të qëndrojnë së bashku dhe të mbështesin njëri-tjetrin. Ministri i Drejtësisë Knut Storberget foli në televizion për "një katastrofë kombëtare të pabesueshme".

Edhe Presidenti i SHBA-së Barack Obama bëri thirrje për një bashkëpunim më të fuqishëm në luftën kundër terrorizmit. Sulmi është një kujtesë që i gjithë komuniteti ndërkombëtar të kontribuojë që akte të tillë terroriste të mos ndodhin", tha Obama ditën e premte në kuadër të një takimi me kryeministrin e Zelandës së Re në Uashington, John Key.

Autore: Mimoza Kelmendi (dpa, rtr, dpad, afp)

Redaktoi: E. Xhani