Klima e integrimit të migrantëve në Gjermani është më e mirë
15 Dhjetor 2022As fluksi i ri i refugjatëve nga Ukraina, e as kriza ekonomike e shkaktuar nga pandemia nuk e ka dëmtuar klimën integruese të migrantëve në Gjermani. Përkundrazi: Barometri i integrimit, që u prezantua të mërkurën nga Këshilli i Ekspertëve të Integrimit (SVR) në Berlin, flet për një trend të qartë: "Klima e integrimit në Gjermani po rezulton jashtëzakonisht e qëndrueshme," tha kryetarja e SVR Prof. Petra Bendel gjatë prezantimit të Barometrit të Integrimit.
Barometri i Integrimit është një studim që Këshilli i Ekspertëve të Migracionit, kryesisht profesorë dhe shkencëtarë nga disiplina të ndryshme, bëjnë së bashku për të parë se sa dhe si e pranon Gjermania migracionin. Ata pyesin çdo dy vjet rreth 15 000 qytetarë mbi 15-vjeçarë që përfaqësojnë katër grupe: gjermanët pa sfond migracioni, qytetarë me sfond migracioni, gjermanë të riatdhesuar dhe qytetarë me prejardhje turke. Pyetjet e anketimit synojnë të kuptojnë se e perceptojnë këto grupe integrimin e imigrantëve në fusha të ndryshme: konkretisht, në jetën e përditshme, në profesion, arsim dhe politikë. Treguesi përmbledhës që jep një përshtypje të parë të përgjithshme është Indeksi i Klimës së Integrimit (IKI). Sa më i lartë ky, aq më e mirë është klima e integrimit të imigrantëve në Gjermani. Për periudhën e hulumtimit nga nëntori 2021 – korrik 2022, indeksi i përllogaritur nga ekspertët është 68.5, pra, më i lartë se indeksi i vitit 2020 (66.3).
Gratë, të rinjtë dhe të arsimuarit më pozitivë ndaj integrimit
Ekspertët thanë se klima e integrimit perceptohet ndryshe në varësi të disa tipareve sociale, si mosha, gjinia dhe niveli arsimor: “Të rinjtë, gratë dhe të diplomuarit në shkolla të larta e vlerësojnë më pozitivisht klimën e integrimit sesa të moshuarit, burrat dhe personat me arsim të ulët”, tha Profesor Marc Helbling, nga Qendra Shkencore për Hulumtime Sociologjike (WZB) në Berlin.
Dallime ka edhe mes landeve që dikur i përkisnin ish-Gjermanisë Lindore dhe pjesës tjetër të Gjermanisë. Tradicionalisht qytetarët e ish-Gjermanisë Lindore kanë qenë më skeptikë ndaj imigrantëve: Por barometri i sivjetshëm informon, se edhe këtu vihet re një hapje. Për shembull, të rinjtë në landet e Gjermanisë Lindore tani e vlerësojnë më pozitivisht klimën e integrimit, dhe madje janë gati në të njëjtin nivel akceptance me të rinjtë e perëndimit. Edhe te të moshuarit e lindjes ka filluar të shihet një përmirësim në shifrat e indeksit të klimës së integrimit.
Ende i lartë diskriminimi në vendin e punës dhe arsim
Problematik mbetet të jetë megjithatë indeksi i klimës për grupe të caktuara imigrantësh, kryesisht turqit, një e pesta e të cilëve thonë se kanë përjetuar diskriminim. Shumë njerëz në Gjermani, pavarësisht nga origjina e tyre, mendojnë se gjermanët dhe imigrantët nuk trajtohen në mënyrë të barabartë në punë dhe në shkollë.
Më shumë se gjysma mendojnë gjermanët trajtohen më mirë në punë se imigrantët, por edhe në shkolla: një e treta e të anketuarve mendojnë se edhe në dhënien e notave në shkolla, luan rol prejardhja. Imigrantëve u jepen nota më të ulëta, sesa gjermanëve pa sfond migracioni, tha Helbling.
Migrantët më pak të përfaqësuar në jetën politike
Dallim ka edhe në pjesëmarrjen në jetën politike: Megjithëse të gjithë të anketuarit janë të vetëdijshëm për rëndësinë e votës së lirë dhe të ndershme, shtetasit gjermanë me prejardhje migracioni nuk e shfrytëzojnë të drejtën e votës aq sa gjermanët pa prejardhje migracioni. “Kjo bën që nevojat e tyre të mos përfaqësohen sa duhet në vendimet politike,” tha Helbling.
Sidoqoftë, për qeverinë gjermane, barometri është një tregues se politika aktuale e koalicionit të qendrës së majtë është në drejtimin e duhur. Sekretarja e Shtetit në Ministrinë Federale të Brendshme, Juliane Seifert, tha se “reformat aktuale të qeverisë gjermane për të drejtën e qëndrimit për persona të mirëintegruar, modernizimi i ligjit të shtetësisë dhe ligjit të imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar synojnë të përmirësojnë më tej kohezionin në shoqërinë tonë dhe integrimin më të mirë të migrantëve në tregun tonë të punës”.