1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Koalicioni dakord për detajet e ligjit të ngrohjes

27 Qershor 2023

Koalicioni tripartiak i dha fund mosmarrëveshjes disamujore mbi ligjin e ngrohjes dhe ra dakord për "masat mbrojtëse". Tani u zgjidhën edhe çështjet e fundit të pazgjidhura Ligji miratohet deri në pushimin e verës.

https://p.dw.com/p/4T6Op
Heizöl in Deutschland
Fotografi: Petra Schneider/IMAGO

Koalicioni tripartiak i përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP ka arritur një përparim në ligjin e ngrohjes. Në mbledhjen e mbrëmshme, krerët e grupeve parlamentare ranë dakord për çështjet përfundimtare të pazgjidhura. Një zëdhënës i SPD-së e konfirmoi informacionin.

Ministrisë së Ekonomisë të udhëhequr nga të Gjelbrit dhe Ministrisë së Ndërtimit të udhëhequr nga SPD tani i është kërkuar që të përshtatin tekstet me detajet përfundimtare. Ligji i Energjisë së Ndërtesave - i njohur gjithashtu si Ligji i Ngrohjes - do të prezantohet të enjten. Javën e ardhshme, një seancë e re e ekspertëve do të zhvillohet në Komisionin e Klimës dhe Energjisë të Bundestagut. Dy javë më parë, partnerët e koalicionit tripartiak kishin rënë dakord - pas muajsh mosmarrëveshjesh - vetëm për "masa mbrojtëse" të përafërta, së bashku me të cilat do të amendohej projektligji origjinal.

Miratimi pritet para pushimeve verore

Koalicioni qeveritar dëshiron që ligji të miratohet nga Bundestagu para pushimeve verore, që nisin pas 7 korrikut. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, kjo duhet të bëhet në javën e parë të korrikut, në mënyrë që të hyjë në fuqi nga viti 2024. Sekretarja e Grupit Parlamentar të SPD-së, Katja Mast tha: "Qytetarët do të kenë kështu një ide të qartë se çfarë do të ndodhë me ngrohjen".

Bavari: Protesta kundër "ideologjisë së ngrohjes", 10.06.2023
Bavari: Protesta kundër "ideologjisë së ngrohjes", 10.06.2023Fotografi: Matthias Balk/dpa/picture alliance

Në thelb, "mbrojtjet" ofrojnë më shumë kohë për shumë pronarë të shtëpive kur zëvendësojnë ngrohësin e tyre. Ligji për energjinë e ndërtesave duhet të shoqërohet me një ligj për planifikimin termik komunal. Do të zbatohet parimi: së pari duhet të ketë planifikim termik komunal. Përndryshe, pronarët e shtëpive nuk kanë të gjithë informacionin që u nevojitet për të zgjedhur variantin më të favorshëm të ngrohjes për ta - d.m.th. nëse kanë ata mundësi për të lidhur shtëpinë e tyre me një rrjet të ngrohjes qendrore, për shembull. Prandaj, ngrohësit me gaz mund të vazhdojnë të instalohen në ndërtesat e reja nëse në parim mund të shndërrohen në ngrohës me hidrogjen.

Përmirësime dhe shumë pyetje të pazgjidhura

Planifikimi i detyrueshëm i ngrohjes komunale është planifikuar më së voni për vitin 2028. FDP kishte kërkuar më parë përmirësime thelbësore dhe këmbënguli për hapje teknologjike. Por shumë pika mbetën të pazgjidhura, si forma që do të merrte ndihma publike e planifikuar dhe mënyra se si do të hartohen me saktësi rregullat e jashtëzakonshme për ndryshimin e ngrohjes. Sipas "masave mbrojtëse", duhet të ketë gjithashtu një taksë të re modernizimi që do t'u lejojë pronarëve t'ua kalojnë kostot qiramarrësve. Detajet nuk dihen ende.

Projektligji i miratuar nga kabineti parashikon që nga viti 2024, nëse është e mundur, çdo ngrohës i ri i instaluar të përdorë të paktën 65 për qind energji të gjelbër. Kjo masë do të bëjë të mundur avancimin me vendosmëri të kthesës termike në sektorin e ndërtimit, për të kontribuar në arritjen e objektivave klimatike. Ngrohësit e punës me gaz dhe naftë nuk do të kenë nevojë të ndërrohen. Përveç kësaj, ngrohësit me defekt do të lejohet të riparohen.

aud (dlf, tgsch)