Lang e Nouripour, liderët e Të Gjelbërve, japin dorëheqjen
25 Shtator 2024Omid Nouripour, bashkëkryetar kombëtar i partisë Të Gjelbrit, u tha gazetarëve të mërkurën herët se ai dhe bashkëkryetarja Ricarda Lang japin dorëheqjen nga postet e tyre.
"Ne arritëm në përfundimin se një fillim i ri është i nevojshëm," tha Nouripour-i në Berlin.
Një udhëheqje e re për partinë do të zgjidhet në konferencën e partisë në nëntor, shtoi ai.
Të Gjelbrit kanë pasur tre rezultate katastrofike zgjedhore në Gjermaninë lindore këtë muaj. Së fundmi, të dielën, në Brandenburg, ata nuk e arritën pragun prej 5%, të nevojshëm për të garantuar përfaqësimin në parlament.
"Rezultati i zgjedhjeve të së dielës në Brandenburg pasqyron krizën më serioze që ka përjetuar partia jonë në dhjetë vjet,” tha Nouripour.
E njëjta gjë vlente për zgjedhjet në landin e Tyringenit në fillim të muajit dhe për zgjedhjet në Saksoni, ku partia mezi e kaloi kufirin e 5%.
Në nivel kombëtar, Të Gjelbrit gjithashtu luftojnë për vota, duke qenë një ndër tre anëtarët e koalicionit të qeverisë federale.
Lang tha se nevojiten "fytyra të reja" për ta nxjerrë partinë nga gjendja e keqe
Lang u tha gazetarëve në Berlin se nevojiten "fytyra të reja” për ta "nxjerrë partinë nga kjo krizë”. Ajo shtoi se lidershipi i ri duhet të shërbejë si "gur themeli për riorganizimin e partisë”.
"Tani nuk është koha që të kapemi me dhëmbë në postet tona," tha Lang. "Është koha për të marrë përgjegjësi dhe ne marrim përgjegjësi duke lejuar një fillim të ri".
Lang tha se drejtuesit aktualë, duke përfshirë zëvendësit e tyre dhe zyrtarë të tjerë, do të qëndrojnë në post deri në konferencën e partisë në nëntor, në të cilën do të zgjidhen zëvendësuesit.
Në sistemin politik gjerman, liderët e partive apo kryetarët në nivel federal nuk janë domosdoshmërisht kandidatët e partisë për kancelar.
Ky është edhe rasti i të Gjelbërve. Aktualisht, partia parashikon që ministri i Ekonomisë Robert Habeck të jetë kandidati i partisë për kancelar në zgjedhjet federale të vitit të ardhshëm.
Rënia e fundit e të Gjelbërve
Në harkun kohor prej rreth pesë vjetësh, të Gjelbërit kanë kaluar nga favoritë për kandidat për kancelar në një parti, rezultatet e së cilës mezi e kalojnë 10% në shkallë kombëtare.
Të Gjelbrit morën 14.8% të votave në zgjedhjet e fundit federale në vitin 2021 dhe u bënë partia e dytë më e madhe në koalicionin aktual kombëtar, pas Socialdemokratëve (SPD).
Ky rezultat është edhe performanca më e mirë e partisë ndonjëherë në zgjedhjet kombëtare gjermane.
Në muajt përpara votimit, të Gjelbrit u duk se ishin në një garë trepalëshe për t'u bërë partia më e madhe e vendit dhe ndoshta për të zgjedhur kancelarin e ardhshëm. Por këto shpresa u zhdukën shpejt gjatë fushatës.
Që nga hyrja në qeverinë e koalicionit, kjo parti ka pasur vështirësi në sondazhe, pasi opozita CDU/CSU fiton terren dhe partitë populiste të krahut të djathtë dhe të majtë AfD dhe BSW gjithashtu rritën pjesën e tyre të votave.
Sondazhet më të fundit aktualisht i vendosin Të Gjelbrit midis 9.5% dhe 13% në nivel kombëtar, gjë mund t'i bëjë ata partinë e katërt më të madhe nëse zgjedhjet kombëtare do të mbaheshin tani. CDU/CSU arrin mbi 30%, SPD 15% dhe AfD-ja midis 17 dhe 20%.
aud (msh/AFP, dpa)