1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Suksesi i AfD-së nxit debatin mbi migracionin

22 Qershor 2024

Konferenca e kryeministrave të landeve: Dëbime më të shpejta, procedura të përshpejtuara azil jashtë BE-së - pas zgjedhjeve të BE-së ndaj partive është rritur presioni për një migracion të kontrolluar.

https://p.dw.com/p/4hNaC
Salla e konferencës së kryeministrave të landeve gjermane
Konferenca e kryeministrave të landeveFotografi: Hannes P Albert/dpa/picture-alliance

Rezultati ishte i pritshëm: Në zgjedhjet e BE-së partia e ekstremit të djathtë AfD në Gjermani në nivel federate ka dalë forca e dytë. Në pesë landet në lindje të Gjermanisë madje ajo ka zënë vendin e parë. Qoftë në nivel federate apo landesh, ky rezultat i ka alarmuar politikanët drejtues të të gjitha partive.

Në shtator në tre lande lindore zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Nëse AfD del forca më e madhe, do të jetë e vështirë të krijohen koalicione qeverisëse duke e anshkaluar atë. Për më tepër që socialdemokratët dhe ekologjistët janë shumë dobët, aq sa në Saksoni dhe në Tyringji ato druajnë madje edhe humbjen e pragut të përfaqësimit në parlament.

AfD dhe zgjedhjet për parlamentet e landeve, po preokupon jo vetëm socialdemokratët (SPD), por edhe vet partinë kristiandemokrate (CDU). Në zgjedhjet për BE-në ndonëse CDU doli me distancë forca më e madhe politike, në lindje të republikës ajo zuri vendin e dytë.

Kancelari Olaf Scholz në mes dhe kryeministrat Stephan Weil i Saksonisë së Ulët dhe Boris Rhein i landit të Hessenit
Kancelari Olaf Scholz në mes dhe kryeministrat Stephan Weil i Saksonisë së Ulët dhe Boris Rhein i landit të HessenitFotografi: Hannes P Albert/dpa/picture-alliance

Migracioni dhe roli i politikës

Eshtë e nevojshme "të veprohet urgjentisht në zbatimin e së drejtës së migracionit, praktikave të dëbimit dhe për përmbushjen e nevojave për siguri", mendon Reiner Haseloff, kryeministër i landit të Saksoni-Anhalt, ndërsa kryeministri kristiandemokrat i Hessenit Boris Rhein beson: "Qytetaret dhe qytetarët presin, që ne të japim përgjigjet e duhura me vendosmëri, dhe rezultatet e zgjedhjeve e kanë bërë edhe një herë më të qartë presionin për të vepruar."

Në periudhën 2022 dhe 2023 kanë ardhur gjithsej rreth 596.000 azilkërkues dhe më shumë se 1,1 milionë refugjatë lufte nga Ukraina në Gjermani. Më 2024 sipas stadit aktual sërish priten rreth 280.000 dhe 300.000 kërkesa për azil.

Procedurat e azilimit dhe pozicioni i unionit CDU/CSU

CDU/CSU (kristiandemokrat/kristiansocial), që përbëjnë grupin më të madh parlamentar të opozitës në Bundestag, insistojnë, që procedurat e azilmit të zhvendosen sa më shpejt të jetë e mundur në shtete jashtë BE-së, për të kufizuar migracionin drejt Gjermanisë. Këto mund të jenë shtetet e tranzitit, ku kalojnë refugjatët në rrugën e tyre drejt Europës, ose edhe shtete të tjera të paprekura nga këto valë.

Ministrja e Brendshme socialdemokrate Nancy Faeser, tërheq vëmendjen megjithatë për të mos pasur pritshmëri të larta. Britania e Madhe ka negociuar 18 muaj për t'i zhvendosur në Ruanda të tilla procedura, dhe ende nuk ka krijuar një model të qendrueshëm, tha Faeser në kuadër të një konference që u zhvillua paralelisht me konferencën e ministrave të Brendshëm të landeve në Pocdam.

Ministrja federale e Punëve të Brendshme Nancy Faeser duke folur në konferencë shtypi në Berlin
Ministrja federale e Punëve të Brendshme Nancy FaeserFotografi: Frederic Kern/Geisler-Fotopress/picture alliance

Sfidat e rregullores së procedurave të migracionit në vende të treta

Edhe marrëveshja e negociuar mes Italisë dhe Shqipërisë, është vetëm një hap i vogël për ministren federale: "Eshtë rënë dakord vetëm për një kuotë maksimale prej 3000 refugjatësh. Eshtë një numër shumë i vogël." Një rregullore përmes vendeve të treta nuk është një "game changer" dhe duke iu referuar Gjermanisë është vetëm një "komponente minimale", për ta pakësuar numrin e azilkërkuesve. Gjendja e migracionit në Gjermani nuk do të ndryshonte rrënjësisht me një rregullore të tillë.

Ministria e Brendshme së fundi ka diskutuar me rreth 30 eksperte dhe ekspertë lidhur me temën e rregullores me vendet e treta. Në këto konsultime kanë dalë në pah "një mori çështjesh, problemesh dhe pengesash", tha kryeministri i Saksonisë së Ulët Stephan Weil (SPD). Shumica e eksperteve dhe ekspertëve nuk e sugjerojnë modelin e Ruandës dhe të Shqipërisë.

Organizata e refugjatëve Pro Asyl e refuzon kategorikisht rregulloren me vende të treta. Wiebke Judith, zëdhënëse e Pro Asyl, e konsideron këtë si një "rrugë të gabuar" dhe "zgjidhje fiktive". "Një zhvendosje e procedurave të azilimit nxit për itinerare edhe më të rrezikshme arratisjeje, dëshpërim të të prekurve dhe rrezikun, që të ketë shkelje të rënda të të drejtave të njerëzve në nevojë për mbrojtje ", tha ajo.

Sidoqoftë forcimi i së djathtës në zgjedhjet e BE-së ka bërë që kryeministrat e landeve të tejkalojnë kufijtë partiak duke u bashkuar në përpjekjet për zgjidhje. Ata ranë dakord me kancelarin, që ta shqyrtojnë edhe më tej këtë ide dhe të autorizojnë verifikimin e një mundësie të tillë. "Ka një pritshmëri të qartë të landeve nga qeveria, që të zhvillohen modele konkrete për zbatimin e procedurave të azilimit në vende të treta dhe tranziti, dhe që të shqyrtohen apo të ndryshohen edhe rregullat europiane e ato kombëtare, që bëhen pengesë për këtë", formuloi përmbledhtas kryeministri kristiandemokrat i Hessenit Boris Rhein.

Dëbimet dhe roli i kancelarit

Një tjetër çështje e rëndësishme është edhe aftësia për veprim në rastin e dëbimit të azilkëkruesve, që kryejnë vepra të rënda penale. Kryetari i CDU-së Friedrich Merz e kritikon kancelarin Olaf Scholz, se bën shumë pak punë në këtë drejtim. Përkundër deklaratave, "pompoze" për të "dëbuar prerazi dhe më shpejt" prej muajsh nuk ka ndodhur "asgjë historike", tha Merz në një intervistë për Funke Mediengruppe. Sipas tij, kancelari nuk i ka vënë në jetë ashtu si ka premtuar deklaratat e tij.

Nga janari deri në prill 2024 janë kthyer nga Gjermania për në vendet e tyre të origjinës rreth 6300 vetë. Faktikisht janë mbi 240.000 vetë, që janë të detyruar të largohen nga Gjermania. 80 përqind e tyre kanë arësye përse nuk mund të dëbohen. Ose sepse nuk kanë dokumenta identifikimi, ose sepse vijnë nga vende, në të cilat Gjermania nuk i kthen për arsye sigurie. Ndër këto vende janë Siria dhe Afganistani.

Për njerëzit nga këto vende, që kryejnë vepra të rënda penale në Gjermani ose që identifikohen si islamistë të rrezikshëm, rregullorja duhet të ndryshojë. "Më indinjon, kur dikush që kryen vepra të rënda penale, ka gjetur mbrojtje tek ne", tha kancelari Scholz në fillim të qershorit në Bundestag. "Të tillë njerëz duhet të dëbohen, edhe kur vijnë nga vende si Siria e Afganistani. Në raste të tilla ka peshë më shumë interesi i sigurisë në Gjermani se sa interesi i mbrojtes së dorasit."

Ministria e Brendshme është ndërkohë duke kërkuar mundësitë "ligjore dhe praktike", se si mund të realizohen të tilla dëbime, tha Scholz. Për këtë ministria po negocion me vendet fqinjë të Afganistanit. Nancy Faeser e konfirmoi këtë në Pocdam. "Po negociojmë konkretisht për këtë dhe kemi besim, që do të gjejmë zgjidhje për këtë kategori."

"Pushbacks" në kufi

Kryeministrat e landeve ranë dakord me kancelarin për kontrolle shtesë në kufijtë me Çekinë, Poloninë dhe Zvicrën. Me këto vende kontrollet aplikohen që nga tetori. Në një vendim të përbashkët me federatën thuhet, se policia federale qysh tani i ka shfrytëzuar kontrollet në kufijtë e brendshëm, për t'i kthyer refugjatët konfrom mundësive ligjore në atë vend të BE-së, prej nga ata kanë kaluar fillimisht.

Kryeministrat e landeve ishin gjithashtu dakord sa i përket aplikimit të një karte pagese për azilkërkuesit. Në disa rajone ndërkohë është vënë në përdorim karta e pagesës, e cila nga vera do të fillojë të aplikohet në mbarë federatën. Azilkërkuesve do t'u jepen vetëm 50 euro në muaj para në dorë. Të gjitha blerjet e tjera dhe shërbimet e nevojshme do të paguhen nëpërmjet kartës. Vetëm Bavaria dhe Meklenburg-Pomerania do të zbatojnë sistemin e tyre.