1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermani: Zgjidhje deri më 2030 problemit të të pastrehëve

15 Maj 2024

Qeveria federale e Gjermanisë ka miratuar një plan aksioni, për t’i dhënë fund deri në vitin 2030 problemit të të pastrehëve. Aktualisht problemi më i madh duket se ka të bëjë me mungesën e parave.

https://p.dw.com/p/4foLi
Mijëra njerëz në Gjermani jetojnë në rrugë
Mijëra njerëz në Gjermani jetojnë në rrugëFotografi: Anna Widzyk/DW

Qeveria federale e Gjermanisë ka miratuar një plan aksioni, për t'i dhënë fund deri në vitin 2030 problemit të të pastrehëve. Aktualisht problemi më i madh duket se ka të bëjë me mungesën e parave.

Për dy dekada Dirk Dymarski ka qenë i pastrehë dhe jetonte në rrugë. Këtë përvojë ai nuk mund ta kapërcejë lehtë. Megjithatë ai ka ndryshuar mënyrën e të menduarit.

"Të qenit 20 vjet i pastrehë ka qenë për mua një mësim në çdo drejtim, sepse për fat të keq dikur edhe unë i kam diskriminuar dhe stigmatizuar të pastrehët", thotë ai për DW. "Por vitet e fundit edhe vetë e kuptova, që kushdo shumë shpejt mund të bjerë në një situatë të tillë, prej së cilës është shumë e vështirë të dalësh."

Dymarski është tani anëtar i gazetës lokale Freistätter, një gazetë lokale, që menaxhohet nga Fondacioni Bethel dhe u kushtohet të pastrehëve në qytetet e vogla. Dymarski është edhe pjesëtar i organizatës së vetpërfaqësimit të të pastrehëve, që ka për synim t'u japë një zë njerëzve të pastrehë në Gjermani.

Për të gjetur një strehë të re, fillimisht duhet të përballosh stigmën e të pastrehut, thotë Dymarski. "Pyetja e parë, që të shtrohet, është: Ku banon aktualisht? E nëse i thua një qiradhënësi, se banon në një strehimore të përkohshme sociale, menjëherë përjashtohesh nga përzgjedhja."

Një i pastrehë në Berlin ka hapur çadrën në një nënkalim. Përreth në shesh ka plehra.
Të pastrehë në Berlin në një nënkalimFotografi: Schoening/picture alliance

Zgjidhje e probemit të të pastrehëve?

Për shkak semungojnë banesat me qira të përballueshme, gjatë viteve të fundit është rritur numri i të pastrehëve. Shifra të sakta është e vështirë të investigohen, por qeveria federale aktualisht llogarit me rreth 375.000 të prekur në Gjermani.

Organiazata e Ndihmës për të Pastrehët (BAG-W) llogarit me rreth 600.000 të pastrehë, prej të cilëve rreth 50.000 jetojnë në rrugë. Në këto shifra përfshihen të gjithë ata, që ose nuk kanë një kontratë qiraje ose nuk kanë banesë të vetën.

Në Gjermani autoritetet kanë detyrim për të strehuar njerëzit, pra ata që janë të pastrehë mund të shkojnë në vendstrehime emergjence. Por shumë njerëz preferojnë më mirë të rrinë në rrugë, se sa në të tilla strehimore, ku sipas tyre nuk kanë as siguri dhe as sferë private.

Për ta luftuar këtë problem, qeveria në fund të prillit vendosi një "plan aksioni kombëtar" për ta zgjidhur këtë problem deri në vitin 2030. Nuk është hera e parë, që qeveria gjermane përpilon një dokumet të tillë.

Plani prej 31 pikash, që u publikua nga Ministria Federale për Strehimin, Urbanisitkën dhe Ndërtimin, përmbledh disa fusha si: lëvrimin e fondeve financiare për landet për ndërtimin e banesave sociale, luftimin e diskriminimit në tregun e strehimit, mbështetjen e njerëzve për të pasur akses në sigurimin shëndetësor dhe në shërbimet e konsulencës.

Disa organizata, që kujdesen për të pastrehët, janë konsultuar përpara përpilimit të plan-aksionit. Ato thonë, se ky plan premton shumë, por është vetëm hapi i parë.

Dymarski dhe kolegët e tij e vlerësojnë ministren Geywitz dhe mënyrën plot respekt se si i ka pritur ajo ata gjatë konsultimeve. Megjithatë plani, sikurse është publikuar tani, ka ende nevojë për t'u përmirësuar. Edhe më parë janë përpiluar plane të ngjashme nga qeveritë, por financimi është problem kryesor. Edhe për qeverinë tani kjo mbetet një sfidë.