1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania duhet të veprojë më shumë kundër korrupsionit

Wolfgang Dick
25 Janar 2022

Indeksi i fundit i perceptimit të Korrupsionit nga Transparency International tregon se në Gjermani ende ka vend për përmirësim në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik.

https://p.dw.com/p/462nw
Symbolbild | Korruption | Bestechung | Hände überreichen Geld
Symbolbild | Korruption | Bestechung | Hände überreichen Geld
Fotografi: PantherMedia/Audtakorn Sutarmjam/imago images

Sektori publik gjerman është renditur në vendin e 10-të në Indeksin vjetor të Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Në indeksin për vitin 2021, Gjermania shënoi 80 nga 100 pikë. Danimarka, Zelanda e Re dhe Finlanda përsëri mbajnë pozitat e para me 88 pikë. Autorët theksojnë se numri i pikëve është një tregues i rëndësishëm për renditjen e vendeve. Në vitin 2021 është hulumtuar gjendja në 180 shtete.

Rëndësia e pikëve

Rezultati i pikëve në Gjermani tregon se sektori publik këtu perceptohet kryesisht i lirë nga korrupsioni. Vlerësimi bëhet për nëpunësit civilë dhe zyrtarët e zgjedhur, si dhe efektivitetin e ligjeve dhe politikave në luftimin e praktikave korruptive si abuzimi me pushtetin, ryshfeti dhe përvetësimi i fondeve publike.

Symbolbild Korruption
Fotografi: picture-alliance/dpa

Kjo nuk është e papritur për një demokraci me institucione publike që funksionojnë mirë. 16 nga 25 vendet "më të pastra" në indeks janë demokracitë perëndimore si Gjermania, e cila mbetet prapa vendeve skandinave, por renditet përpara fqinjëve të saj - Francës dhe Austrisë.

Shtetet e Bashkuara zënë vendin e 27-të në listë me 67 pikë - pas Hong Kongut, Uruguait dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Australia, për shembull, humbi katër pikë brenda një viti, ndërsa Gjermania ka ngecur në adresimin e dobësive ekzistuese. "Kjo tregon se ne nuk kemi mbërritur shumë larg në luftën kundër korrupsionit," thotë kryetari i Transparency Germany, Hartmut Bäumer. "Ka ende deficite masive në të gjitha fushat e shoqërisë."

Departamenti i Gjermanisë i Transparency International përmend në raport të ashtuquajturën "çështje të maskave" vitin e kaluar, si shembull. Dy deputetë të partive të Unionit dhanë dorëheqjen pasi u zbulua se kishin përdorur lidhjet e tyre politike për përfitime private me maska në kohë pandemie.

Symbolbild Geschäftsmann
Fotografi: Arno Burgi/dpa/picture alliance

Megjithatë në nëntor, një gjykatë në Mynih i shpalli të dy ata të pafajshëm për korrupsion. Ish-deputetët thanë se pagesat ishin tarifa që ata morën si avokatë për të ndihmuar në negocimin e marrëveshjes. "Ligji kundër përfitimit në detyrë për zyrtarët e zgjedhur mbetet praktikisht joefektiv dhe duhet urgjentisht të forcohet," thotë Bäumer. "Nuk është e drejtë që rregullat në fuqi për punonjësit publikë të jenë më të rrepta se sa për të zgjedhurit”. Transparency kritikonedhe kulturën e fshehtësisë në sektorin publik, mungesën e rregullave të qarta në lidhje me përgjegjësinë penale të kompanive dhe mbrojtjen e pamjaftueshme të atyre që raportojnë rastet.

Veprimi i qeverisë së re

Në një prononcim për DW, një zëdhënës i Ministrisë së Drejtësisë thotë se shumë ligje gjermane për të luftuar korrupsionin në sektorin publik – përfshirë atë që u zbatua pa sukses për dy deputetët e përfshirë në skandalin e maskave – janë ashpërsuar vitet e fundit. Kjo edhe duke i falënderuar kërkesave dhe kritikave të Transparency International.

Deutschland Bundeskanzler Olaf Scholz (SPD)
Olaf Scholz (SPD)Fotografi: Hannibal Hanschke/POOL AP/dpa/picture alliance

Qeveria e re e Gjermanisë e përbërë nga SPD, të Gjelbërit dhe FDP, është zotuar të rrisë transparencën dhe të ndërmarrë veprime më të forta kundër përfitimeve të paligjshme. "Marrëveshja e koalicionit na detyron të punojmë më shumë për të evituar ryshfetin dhe korrupsionin e zyrtarëve të zgjedhur. Do të diskutojmë në koalicion se si do ta zbatojmë këtë marrëveshje", tha për DW zëdhënësja e Ministrisë së Drejtësisë, Rabea Boenninghausen.

Kohët e fundit anëtarët e qeverisë janë përballur edhe vet me probleme që kanë të bëjnë me transparencën. Zyra e prokurorit publik në Berlin njoftoi javën e kaluar se do të hetojë komitetin ekzekutiv federal të të Gjelbërve, për shkak të dyshimit për përfitime personale. Drejtuesit e partisë, përfshirë ministren e Jashtme, Annalene Baerbock dhe zëvendëskancelarin Robert Habeck, dyshohet të kenë marrë pagesa speciale të lidhura me pandeminë në vitin 2020, për të cilat edhe auditimi i brendshëm i partisë thotë se i kanë tejkaluar kufijtë e lejuar. Një zëdhënës i të Gjelbërve konfirmoi hetimin dhe theksoi se pagesat tashmë janë kthyer.

Kufijtë e indeksit

Polen | Oberster Gerichtshof in Warschau
Fotografi: Omar Marques/Getty Images

Indeksi i Korrupsionit është një pasqyrë e asaj se sa një vend perceptohet si i korruptuar, por kjo nuk dëshmon domosdoshmërisht se sa i korruptuar është vërtet një vend. Autorët e raportit thonë se kjo është e vështirë të matet objektivisht. Indeksi merr parasysh vetëm sektorin publik dhe lë jashtë tregun e zi dhe korrupsionin në sipërmarrje e korporata.

Skandalet e mëdha financiare si "marrëveshjet e paligjshme Cum-Ex" dhe "Wirecard" kanë zbuluar se agjencitë shtetërore dhe federale gjermane kundër korrupsionit kanë mungesë të personelit dhe financim të dobët, që pengon edhe monitorimin dhe zbatimin e rregullave dhe ligjeve. Autoritetet u përgjigjen ngadalë akuzave për korrupsion, e në disa raste janë hetuar më shumë akuzuesit sesa të akuzuarit.

Indeksi i Korrupsionit nuk mbulon aktivitetet kriminale, si mashtrimi tatimor dhe pastrimi i parave. Në një renditje nga Rrjeti i Drejtësisë Tatimore për trajtimin e sekreteve financiare, Gjermania zuri vendin e 14-të në vitin 2020. Rrjeti e sheh Gjermaninë si "mesatarisht të drejtë" dhe një treg "të madh" për shërbimet financiare, ku ka dhe sjellje të paligjshme.

Përmirësimet e fundit të Gjermanisë në këtë drejtim janë bërë pjesërisht edhe për shkak të kërkesave të reja të Bashkimit Evropian kundër pastrimit të parave. Gjermania është përshtatur me këto rregulla. Në përgjithësi, Transparency Germany pret më shumë nga qeveria e kancelarit Olaf Scholz, i cili edhe vet ka qenë ministër i Financave deri në vjeshtë, ku është përballur me fajësime për skandale financiare. "Ne shpresojmë më shumë veçanërisht në fushën e biznesit dhe financave", thotë për DW Adrian Nennich, zëdhënës i Transparency Germany.