Gjermania e paralajmëron Rusinë për sulme kibernetike
6 Tetor 2018"Ne i dënojmë me ashpërsi sulme të tilla ndaj organizatave dhe institucioneve të aleatëve tanë dhe i bëjmë thirrje Rusisë që të mbajë përgjegjësinë e saj dhe t'i ndërpresë këto veprime", tha në Berlin zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert .
Ai tha se Gjermania beson ashtu si Britania e Madhe, se agjencia ruse e inteligjencës GRU "thuajse me siguri absolute" qëndron pas fushatës së kundërspiunazhit APT28, që ka sulmuar një sërë objektesh në të gjithë botën, duke përfshirë Bundestagun Gjerman dhe rrjetin e të dhënave të qeverisë gjermane.
Po të jenë me sukses sulme të tilla, tha Seibert, ato mund të rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë publike dhe "në parim edhe demokracinë tonë", duke e bërë të domosdoshme që Gjermania të jetë me siguri e gatshme dhe në gjendje që të ndërmarrë veprime në hapësirën digjitale. Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me shtete të tjera për t'u mbrojtur nga sulme të tilla.
Shtohen dëshmitë
Të enjten, Holanda dhe Britania e Madhe e akuzuan publikisht Rusinë se po përpiqet të dëmtojë demokracitë perëndimore me sulme kibernetike. Midis të tjerash, autoritetet holandeze bënë të ditur se kishin parandaluar në prill një sulm të piratëve rusë të internetit kundër Organizatës Ruse për Parandalimin e Armëve Kimike (OPCW).
OPCW, organizata e OKB-së për mbikqyrjen e armëve kimike është e përfshirë në hetimet për përpjekjen për vrasje të ish-agjentit të dyfishtë rus Sergei Skripal, duke përdorur gazin nervor Novichok dhe në sulmet e dyshuara kimike në Douma të Sirisë, prej regjimit sirian të mbështetur nga Rusia.
Akuzat e Gjermanisë bëhen kur janë shtuar dëshmitë për fushata të përbotshme kibernetike të iniciuara në Rusia që kanë si objektiv institucionet perëndimore. Departamenti amerikan i Shtetit bëri të ditur të enjten se ka vënë para akuzës shtatë zyra të shërbimeve ushtarake të fshehta ruse, se janë përpjekur të depërtojnë në organizata të ndryshme, duke përfshirë agjencitë antidoping.