Gjermania nuk do të marrë pjesë në sulmin ushtarak kundër Sirisë
1 Shtator 2013Gjermania nuk merr pjesë në një ndërhyrje ushtarake në Siri. Qeveria gjermane e bëri të ditur sot këtë qëndrim përmes ministrit të Jashtëm dhe zëdhënësit të saj. "Ne as na është kërkuar pjesëmarrja ushtarake dhe as ne vetë nuk kemi diskutuar ndonjëherë për t'u angazhuar ushtarakisht", u shpreh ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle, në gazetën Neue Osnabrücker Zeitung. Qeveria gjermane kërkon, që Këshilli i Sigurimit të OKB-së "të gjejë një qëndrim të përbashkët dhe që puna e inpektorëve të OKB-së të përfundojë sa më shpejt", tha Westerwelle.
Me të njëjtat fjalë u shpreh këtë të premte në Berlin edhe zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert. Seibert nuk deshi të shprehej qartë, nëse Gjermania do ta refuzojë politikisht një sulm ushtarak të SHBA. Synimi është që të arrihet një qëndrim mundësisht sa më unik në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Sulmi me gaz toksik është një shkelje e qartë e të drejtës ndërkombëtare. "Kjo nuk duhet të mbetet pa pasoja. Ne shpresojmë, se askush në Këshillin e Sigurimit nuk i mbyll sytë para një krimi të tillë", tha Seibert. Nuk shohim dëshmi për pafajësinë e regjimit sirian. "Gjasat janë shumë të larta, që dorasit duhen kërkuar në rradhët e regjimit", u shpreh zëdhënësi i qeverisë.
Ditët e fundit politikanë të koalicionit qeverisës kishin lënë të kuptonin se Gjermania, ndoshta edhe për shkak të mungesës së mandatit të OKB-së, nuk do të marrë pjesë në ndonjë sulm ushtarak.
Edhe kandidati i partisë opozitare socialdemokrate Peer Steinbrück duke u shprehur kundër angazhimit ushtarak, tha se "100 orë negociata janë më mirë se një minutë të shtëna."