1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gjermania përuron selinë detare të NATO-s në Detin Baltik

22 Tetor 2024

Task Forca e Komandës (CTF), në qytetin gjerman të Rostockut, synon të forcojë aftësinë mbrojtëse të NATO-s në rajon.

https://p.dw.com/p/4m6Bs
Ushtar gjerman me mitraloz te rende
Krijimi i kësaj qendre nxjerr në pah rëndësinë e Detit Baltik për NATO-n pasi marrëdhëniet me Rusinë u përkeqësuan pas sulmit kundër UkrainësFotografi: Marc Stinger/IMAGO

Gjermania përuroi të hënën (21.10) në qytetin bregdetar verior të Rostock-ut, landi Mecklenburg Vorpommern një seli të re taktike detare shumëkombëshe për Detin Baltik. Krijimi i kësaj qendre nxjerr në pah rëndësinë e Detit Baltik për NATO-n pasi marrëdhëniet me Rusinë u përkeqësuan pas sulmit kundër Ukrainës.

Selia e Komandës së Task Forcës (CTF) Baltik do të koordinojë aktivitetet detare të të gjithë aleatëve të NATO-s në Detin Baltik.

Pamje simbolike - Gjermania peruron qendren strategjike - ushtare me automatike ne anije
Fotografi: Kay Nietfeld/AFP

Gjermania u përmmbahet me vendosmëri angazhimeve të saj 

E udhëhequr nga Gjermania, CTF Baltik do të jetë "gati për të udhëhequr operacionet detare në kohë paqeje, krize dhe lufte”, tha ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius.

"Mesazhi ynë për partnerët tanë dhe për ata që kërcënojnë paqen tonë është i thjeshtë: Gjermania qëndron e vendosur në angazhimet e saj”, tha Pistorius gjatë një fjalimi në Rostock.

"Ne jemi të vendosur të garantojmë sigurinë e rajonit të Baltikut, forcën e NATO-s dhe mbrojtjen e vlerave tona të përbashkëta”, shtoi Pistorius.

Komanda detare në Rostock tani ka një ekip që bashkëpunon me vende të ndryshme dhe që, sipas Ministrisë gjermane të Mbrojtjes, do të kryejë detyra shtesë në emër të NATO-s në të ardhmen.

Qendra do të drejtohet nga një admiral gjerman dhe do të ketë personel nga 11 vende të tjera të NATO-s.

Rëndësia rajonale e shtabit taktik

Krijimi i kësaj qendre thekson rëndësinë e Detit Baltik për NATO-n pasi marrëdhëniet me Rusinë u përkeqësuan pas luftës në Ukrainë, me flotën ruse të Baltikut me bazë pranë Kaliningradit.

Kaliningradi është një enklavë ruse në Baltik, e izoluar nga pjesa tjetër e kontinentit të Rusisë dhe e vendosur midis Polonisë dhe Lituanisë.

Pistorius flet ne Rostock
Ministri Boris Pistorius flet ne RostockFotografi: Bernd Wüstneck/dpa/picture alliance

Sigurimi i korsive në det të hapur në Detin Baltik është bërë gjithnjë e më jetike për aleancën pas zgjerimit të saj drejt lindjes në fund të Luftës së Ftohtë.

Rënia e Perdes së Hekurt bëri që Polonia, një ish-vend i Traktatit të Varshavës, dhe Lituania, Letonia dhe Estonia, ish-shtete sovjetike, të anëtarësohen në NATO.

Kohët e fundit, pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, fqinjët nordikë Finlanda dhe Suedia gjithashtu iu bashkuan NATO-s.

Rëndësia strategjike e Baltikut për NATO-n ka ndryshuar që nga fundi i Luftës së Ftohtë. Më parë, roli kryesor i aleancës do të kishte qenë parandalimi i Flotës Baltike të Bashkimit Sovjetik që të arrinte në Detin e Veriut. Qëllimi ishte të parandalonte luftanijet e Moskës që të sulmonin autokolonat amerikane të furnizimit thelbësor për mbrojtjen e Evropës.

Që nga pranimi i Shteteve Baltike, NATO duhet të sigurojë që rrugët detare të mbeten të hapura në rast se korridori i ngushtë tokësor që i lidh ato me Poloninë bllokohet në një konflikt me Rusinë.

aud (kb/Reuters, dpa)