Gjykata Evropiane rrëzon ligjin Volkswagen
24 Tetor 2007Ligji pengon qarkullimin e lirë të kapitalit në Bashkimin Evropian, gjykuan gjyqtarët. Në këtë mënyrë paragrafet e ligjit në fjalë nuk kanë tashmë asnjë shans të bëhen 50 vjeçarë.
"Në çështjen juridike me numër C112 nga viti 2005, paditës Komisioni Evropian, i paditur, Republika Federale e Gjermanisë "Dhoma e Madhe" e Gjykatës është vendosur: Republika Federale e Gjermanisë në paragrafin 4 neni 1 si edhe në paragrafin 2 neni 1 në lidhje me paragrafin 4 neni 2 të ligjit e datës 21 Korrik 1960 për kalimin e aksioneve të shoqërisë Volkswagen në duart e privatëve, është në kundërshtim me paragrafin 56 neni 1."
Me shqiptimin e zakonshëm pa emocione të këtij vendimi, Presidenti i Gjykatës Evropiane në Luksemburg, Vassilious Skopuris, i ka dhënë nja goditje të fortë juridike Gjermanisë, por që në të njëjtën kohë ishte e parashikuar.
Prokurori i Përgjithshëm përgjegjës për çështjen kishte deklaruar qysh në fillim të vitit se rekomandimin e tij për gjykatën kishte bërë të qartë, se të drejtat e veçanta të parashikuara në ligjin Volkswagen bien në kundërshtim me të drejtën evropiane. Nga ana tjetër në shtatë raste të ngjashme nga tetë të gjykuara gjykata kishte vendosur kundër mbrojtjes shtetërore të firmave.
Shteti nuk ka të drejta të veçanta në firmat që janë private
Ligji i dalë 47 vjet më parë parashikonte, që asnjë aksioner të mos zotërojë më shumë se 20 për qind të aksioneve të Firmës Volkswagen dhe që Federata dhe Landi i Saksonisë së Poshtme të kenë automatikisht nga 2 vende në Këshillin mbikqyrës, bëhet kështu i pavlefshëm. Ligji synonte të mbronte firmën nga një blerje armiqësore, argumentonte Federata. Por kjo mbrojtje e veçantë për Volkswagenin tek e cila Landi i Saksonisë së Poshtme zotëron rreth 20 për qind të aksioneve bie ndesh me qarkullimin e lirë të kapitaleve në Evropë.
Oliver Drus (Oliver Drewes), zëdhënës i Komisionit Evropian që është edhe akuzuesi në rastin konkret shprehet i kënaqur: "Gjykata ka vërtetuar se shteti nuk ka të drejta të veçanta në firmat që janë private. Të drejtat e veçanta janë tashmë modele të vjetëruara sepse ato pengojnë firmat të shfrytëzojnë plotësisht mundësitë që u ofrohen."
Zotëruesi kryesor i Volkswagenit është momentalisht prodhuesi i makinave sportive Porsche me 31 % të aksioneve. Shefi i Porsches Wendelin Wiedeking e përshëndeti vendimin nga Luksemburgu por e la të hapur mundësinë nëse Porsche do të shtojë aksionet e saj. Kryeministri i Landit të Saksonisë së Poshtme ku edhe ndodhen fabrikat e mëdha me kryesore të Volkswagenit, Christian Wulff, tha se ai e njeh vendimin dhe se në të ardhmen synon të bashkëpunojë me aksionerin tjetër të madh, Porsche. Saksonia e Poshtme dhe Porsche e kishin marrë parasysh që në fillim të vitit këtë vendim dhe në përputhje më këtë kishin përcaktuar edhe numrin e mandateve në Këshillin mbikqyrës në varësi të madhësisë së paketave të askioneve. Komisioni Evropian pret që Qeveria Federale do të shfuqizojë pa vonesa ligjin Volkswagen. Zëdhënësi Oliver Drewes shprehet:
"Procedura ligjvënëse gjermane duhet të fillojë sa më shpejt. Ne kemi besim se Gjermania do ta bëjë këtë."
Brenda Koncernit Volkswagen do të rritet pasiguria e punonjësve se si do të ndryshojë struktura e firmës nën drejtimin e aksionerit të madh Porsche. Kjo për vetë faktin se shefi i Porsches Wendelin Wiedeking e ka kritikuar kontratën e tarifave të Volkswagenit. Sindikata e industrisë së rëndë, e cila ka marrë një goditje nga aferat e udhëtimeve për argëtime private të drejtuesve të saj, shprehet me besim. "Ne mbetemi një faktor vendimtar", tha shefi i sindikatës së industrisë së rëndë Hartmut Meine.