1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

040110 Malaysia Urteil

4 Janar 2010

Gjykata Supreme në Malajzi e shpalli si antikushtetues ndalimin e përdorimit të fjalës Allah nga një gazetë javore katolike. Kjo gjykatë ka shfuqizuar vendimin për mospublikimin e gazetës.

https://p.dw.com/p/LKmS
Fotografi: dpa - Fotoreport

Gjykata supreme lejoi përdorimin e fjalës Allah nga të krishterët

Për katolikët në Malajzi viti i ri filloi me një sukses juridik. Gjykata Supreme e vendit e shpalli antikushtetues vendimin për mospërdorimin e fjalës Allah në gazetën katolike Herald. Bashkësia Islame, e cila e ka ndaluar përdorimin e kësaj fjale nga gazeta, nuk e ka të drejtën ekskluzive për fjalën Allah, sqaroi kryegjykatësi Lau Bee Lan. Po ashtu gjykata shfuqizoi vendimin për ndalimin e publikimit të gazetës Herald. Atë Laurenc Andrev, kryeredaktori i gazetës Herald, u shpreh shumë i lumtur pas shpalljes së vendimit.

"Jam shumë i gëzuar për këtë vendim. Gjykata e konfirmoi të drejtën e garantuar me kushtetutë për të gjithë shtetasit. Në bazë të kushtetutës ekziston vetëm një Malajzi dhe të gjithë qytetarët e saj mund të përdorin fjalën Allah, e cila bën pjesë me shekuj në vokabularin tonë dhe është bërë pjesë e kulturës sonë."

Lajmi i gëzuar u dha në meshat në ditën e parë të vitit të ri (1.1.).

Qeveria malajziane druhet nga konfuzioni për përdorimin e fjalës Allah

Megjithatë beteja juridike nuk ka përfunduar ende. Pritet që qeveria e Malajzisë të bëjë ankesë ndaj vendimit të Gjykatës Supreme. Bashkësia Islame e ka arsyetuar vendimin e saj me argumentin se përdorimi i fjalës Allah në publikimet katolike mund të shkaktojë konfuzion tek myslimanët. Edhe pse kjo gazetë nuk lexohet nga myslimanët.

E përjavshmja Herald botohet në rreth 14 000 ekzemplarë, të cilët shpërndahen në bashkitë e krishtera në tërë vendin. Nga shitja e lirë është hequr dorë me vetëdije, thotë Atë Andrevi për shkak se kjo do të mund të konsiderohej si përpjekje për konvertim të myslimanëve në të krishterë.

"Edhe pse ne kemi një licencë për shpërndarjen e gazetës në mbarë vendin, ne kemi vendosur që gazetën mos ta shesim jashtë kishës. Kjo për faktin se me kushtetutën e vendit ndalohet që botimet e krishtera t'u shpërndahen myslimanëve. Kjo do të kuptohej si punë misionari. Ne e shesim gazetën vetëm në kishat tona. Por në rast se pjesëtarë të një bashkësia tjetër fetare duan të kenë një ekzemplar nuk kemi asgjë kundër".


Grupe myslimane do të protestojnë ndaj vendimit të Gjykatës

Në bazë të kushtetutës liria e fesë dhe bashkësitë e ndryshme fetare janë të barabarta në Malajzi. Megjithatë islami është feja e shumicës dhe fe shtetërore. Rreth 60 përqind e 26 milionë banorëve janë myslimanë - në mesin e tyre të gjithë malajzianët etnikë. Rreth 850 mijë malajzianë i takojnë kishës katolike.

Disa grupe myslimane kanë paralajmëruar se do të protestojnë kundër vendimit të Gjykatës Supreme. Profesori i drejtësisë, Shad Saleem Faruqui nga Universiteti Teknik Mara në Kuala Lumpur mendon se përdorimi i fjalës Allah në një gazetë të krishterë është provokim. Në vend të saj mund të përdoret pa problem një fjalë nga gjuha e Malajzisë.

"Fjala Allah nuk është fjalë e gjuhës sonë. Ajo është një fjalë e Kur'anit, që lidhet me islamin për shekuj. Fjala e gjuhës sonë për Zotin do të ishte Tuhan, apo Deva. Megjithatë nuk do të kishte problem që të përdoren këto fjalë. Allahu gjithmonë lidhet me islamin."

Gazeta katolike Herald nuk është e vetmja, që është prekur nga ky diskutim. Mijëra Bibla dhe CD nga Indonezia, në të cilat fjala Allah përdoret si përkthim i fjalës Zot, janë konfiskuar nga autoritetet në Malajzi.

Autor: Bernd Mush-Borowska/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Auron Dodi