1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Gratë mbështeten për rigjetjen e vendit të tyre në shoqëri

4 Mars 2011

Një nga zonat informale më të mëdha në Shqipëri është ajo e ish-Kënetës në periferi të qytetit të Durrësit. Në ndihmë të kësaj zone është Qëndra komunitare “Sot për të ardhmen”, që mbështetet nga Agjencia gjermane EED.

https://p.dw.com/p/10TSF
Qendra komunitare “Sot për të ardhmen” mbështetet nga EED
Qendra komunitare “Sot për të ardhmen” mbështetet nga EEDFotografi: DW

Qendra komunitare “Sot për të ardhmen” ka nisur nga aktiviteti në vitin 1995, fillimisht si një qëndër ditore për trajtimin e fëmijëve në nevojë. 5 vite më pas ajo zgjeroi angazhimin e saj duke ofruar shërbime në komunitetin e zonës së ish-Kënetës në periferi të qytetit të Durrësit. Në këtë lagje, pas viteve '90 e deri më sot janë vendosur rreth 60 mijë banorë të shpërngulur nga pjesët rurale të veriut dhe jugut të vendit. Si një zonë jo formale në ndërtime dhe infrastrukturë, ajo bart mjaft probleme të mprehta sociale dhe ekonomike, si nevoja e legalizmit të banesave dhe objekteve me destinacion biznesi, përmirësimi i kushteve të jetesës, arësimi për fëmijët, punësimi, bashkëjetësa në komunitet etj.

Gratë ndihmohen për riintegrim
Gratë ndihmohen për riintegrimFotografi: DW

Shoqata joqeveritare shqiptare “Në dobi të gruas shqiptare” e mbështetur nga Agjencia ndërkishtare gjermane me qëndër në Bonn, EED, në hapat e para themeluan një qendër shëndetësore, e cila mungonte në këtë zonë. Dhe u vijua me programe të tjera shtesë, që kishin të bënin me luftën kundër analfabetizmit në radhët e fëmijëve dhe të rinjve, në mësimin e një profesioni nga gratë dhe vajzat, këshillim ligjor për parandalimin e dhunës në familje, forume diskutimi dhe fushata ndërgjegjësuese për problematikën komunitare etj.

Gratë mbështeten për riintegrim

Drejtorja e Qendrës, Fabiola Egro – Laço thotë se përfituesit ditorë në këtë Qendër janë me qindra. Në klasat dhe ambjentet kolektive të vilës tre katëshe, ku është instaluar Qendra gjen nga të gjitha moshat. Migrimi i këtyre njerëzve për një jetë më të mirë është shoqëruar me mjaft probleme serioze që duan zgjidhje, thotë ajo për DW.

Zonja Laço, drejtuese e Projektit flet për DW
Zonja Laço, drejtuese e Projektit flet për DWFotografi: DW

“Pjesën më të vështirë të kësaj lëvizje e kanë pësuar gratë, të cilat kanë ardhur nga zonat rurale, që nuk kanë patur aftësitë e duhura, edukimin e duhur në qytetin e Durrësit. Nga ana tjetër mentaliteti mashkullor patriarkal nuk i lejon ato që të hyjnë e të dalin në qytet. Imagjinoni, ne kemi përfituese gra, të cilat nuk kanë shkuar ndonjëherë në jetën e tyre për një vizitë mjekësore. Aq më tepër tek gjinekologu në qytet. Gratë janë një kontigjent shumë i madh që ne mbështesim, qoftë me kurset profesionale, apo me mbështetjen për hapjen e një mikrobiznesi, këshillim ligjor për aspekte të dhunës në familje etj”.

Razije Toska, 46 vjeç, së bashku me familjen e saj ka ardhur në zonën e ish- Kënetës 8 muaj më parë nga rrethi i Gramshit. Në vendlindjen e saj ajo ka punuar si infermiere, por këtu në periferi të Durrësit ka pak shpresë që ta ushtrojë këtë profesion. Ajo prej tre muajsh po ndjek një kurs rrobaqëpësie në Qendrën “Sot për të ardhmen”. Razija thotë për DW-në se ky zanat mund t'i hyjë më shumë në punë në të ardhmen.

“Më duket normale. Është një profesion që kërkohet shumë dhe kam arritur të them një rezultat shumë të mirë”.

Formatorja e kursit të robaqepësisë, Drita Bruga ka 6 vjet që punon në Qendër. Ajo i shikon mjaft të interesuara për të mësuar nga profesioni gratë dhe vajzat e kursit që drejton.

“Është një kurs që zgjat 8 muaj, gjysma e kohës është stadi fillestar dhe pjesa tjetër është e avancuar. Nga një muaj për çdo fazë ne i zhvillojmë si praktika në ndërrmarjet industriale të qytetit dhe në përfundim të kursit bëjmë dhe ndërmjetësim për punësim”.

Ndërmjetësim për vende pune

Menada Petro, shefe e departamentit të çështjeve sociale në Qendër thotë se dhënia e një profesioni apo një kualifikimi nuk është gjithçka. Pas kësaj faze ne bëjmë ndjekjen e rasteve me qëllim nxitjen e punësimit ose fillimit të një lloj biznesi të vogël, thotë Petro për DW-në.

Zonja Petro drejton Departementin e çeshtjeve sociale
Zonja Petro drejton Departementin e çeshtjeve socialeFotografi: DW

“Pasi marrin formimin profesional tek ne më pas mundohemi që të gjitha gratë t'i punësojmë, qoftë në biznese të ndryshme, qoftë nga programi që është i mundur nga donatori ynë i quajtur ‘tool kit'. Që presupozon dhënien e materialeve bazë për hapjen e një minibiznesi privat në shtëpitë e tyre. P.sh. për gratë, që frekuentojnë kursin e rrobaqepësisë, kur ne nuk arrijmë që t'i punësojmë aplikojmë për to ‘tool kit-in', një paketë që përmban makinën qepëse, pajisje të tjera, copa të ndryshme për t'ia nisur me to një biznes privat”

Gra dhe vajza të tjera kanë mundësi që të ndjekin kursin e kuzhinës. Arilda Uka nga Kukësi banon prej 11 viteve në zonën e ish-Kënetës në Durrës. Ka përfunduar arsimin 9 vjeçar dhe nuk ka mundur ende të vijojë gjimanzin. Por Arilda e ka mbushur këtë boshllëk me kryerjen e kurseve të rrobaqepsisë, të anglishtes dhe italishtes dhe aktualisht po ndjek mësimet në programet bazë të kompjuterit. Ajo shpreson se këto njohuri do t'i verë në zbatim një ditë.

“Që të mësoj diçka, ta kemi për veten. Ku i dihet, në të ardhmen mund të futem dhe në shkollë për kompjuter”.

A. Uka banon prej vitesh pranë Durrësit
A. Uka banon prej vitesh pranë DurrësitFotografi: DW

Qëndra komunitare “Sot për të ardhmen” njihet dhe si një qëndër votimi për banorët e zonës. Për vetë vendodhjen e saj në zemër të lagjes dhe distancën që ka me qytetin e Durrësit, gjatë proceseve elektorale ajo shërben si një vendvotim për banorët. Punonjësit socialë të qëndrës kanë asistuar kryefamiljarët e kësaj zone dhe për njërin prej proceseve më të rëndësishëm, atë të legalizimit. Ata ofrojnë asistencë konkrete në plotësimin e morisë së formularëve, që nevojitet t'u dorëzohen autoriteteve në fazat e legalizmit të mijëra ndërftimeve, të cilat këtu janë thuajse të gjitha pa leje urbanistike. Pas pak kohe Qendra do të zhvendoset nga vila trekatëshe provizore në një ndërtesë të ndërtuar enkas, po brenda territorit të lagjes, me mbështetjen e donatorëve gjermanë, sipas standarteve europiane.

Drejtorja e Qëndrës Fabiola Egro – Laço thotë për DW-në se një suport të fuqishëm krahas donatorëve gjermanë ka patur edhe nga autoritetet lokale të qytetit bregdetar. “Ky partneritet është efektiv për gjallërimin e komunitetit, për zgjidhjen sa më mirë dhe më shpejt të nevojave jetike, që kanë banorët, por dhe përmirësimin e infrastrukturës përrreth”.


Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi