Grekët në Gjermani: "Europa është një fjalë greke"
5 Korrik 2015"Njeriu mund të mendojë për këtë krizë çfarë të dojë!", thotë Theo (emri i ndryshuar), përderisa grindet me gazetarët në restorantin e tij të vogël në Bon. Ai refuzon të thotë ndonjë fjalë për gjendjen në Athinë. Me duar i mbyllë sytë dhe veshët, sa herë që dëgjon emrin Cipras. Athina nuk ka mundur t'i paguajë borxhet e saj ndaj Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe po i afrohet gjithnjë e më shumë falimentimit zyrtar. Gatishmëria e Eurozonës për kompromise ka rënë shumë. Referendumi i ditës së diel do të tregojë nëse do të mbështetet politika e kryeministrit Aleksis Cipras, i cili kërkon që të refuzohen propozimet e Trojkës për vazhdimin e reformave.
Për shkak të pasigurisë është shumë vështirë të mësosh se çfarë mendojnë grekët në Gjermani për krizën në vendin e tyre. Ata nuk duan të flasin as me gazetarë. Ndaj duhet të futesh si paparac dhe të bisedosh me ta njëherë për gjëra të tjera dhe më vonë për krizën, nëse do të mësosh mendimin e tyre, sepse ata nuk duan të flasin hapur. Aleksi, pronari i një restoranti në Bon, thotë: "Të gjithë botës mund t'i thoni se unë dhe personeli që punon në këtë restorant i mbështesin propozimet e Bashkimit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane". Ata shpresojnë se në referendumin e ditës së diel do të fitojë opsioni për mbetjen në Eurozonë dhe se Cipras do të detyrohet të jap dorëhehqje.
Asgjë nuk mund të ndodhë pa "vitaminën B'
Nikos, i cili shet gyros në një paralagje të Bonit, jeton prej kohësh në Gjermani dhe e ndjen veten më shumë si gjerman. "Grekët janë përtacë", thotë ai duke shtuar se atje mund të kryesh punë vetëm nëse i njeh njerëzit në pozicione të caktuara. "Vitamina B (me këtë mendon të kesh lidhje me ndonjë person në pozitë të caktuar) është mjeti i vetëm që funksionon". Por Nikosi ka familjen e tij në Selanik dhe i njeh problemet e tyre. Ai ka kursyer shumë para për të dërguar në Greqi, për të ushqyer farefisin atje.
"Shumë fëmijë vijnë në shkollë pa ngrënë fare në shtëpi", thotë Sokratis Ntallis, prift në kishën ortodokse greke në Bonn. "Kisha i ndihmon ata me ushqime dhe veshmbathje." Kjo kishë bashkëpunon me një kishë në Greqi dhe ndihmon njerëzit në nevojë. Ndër ata të cilët kanë nevojë për mbështetje janë më së shumti të rinjtë nga Greqia. Shumë prej tyre, duke mos parë ndonjë zgjidhje tjetër, mendojnë edhe për vetëvrasje, pohon Ntallis. Sipas një studimi të British Medical Journal, në vitin 2012 në Greqi ka pasur më shumë vetëvrasje se në 30 vitet e fundit.
Pozicionimi i qartë
Elena Aliki Papyrou e ka shumë lehtë në Gjermani, kur i krahason kushtet e jetës këtu me ato në Greqi. Përkthyesja nga Athina jeton ndërkohë gati 10 vite në Gjermani. Ajo zhgënjehet shumë kur shikon gazetat greke. "Shumë miq të mi kanë ikur nga Greqia, në kërkim të një jete më të mirë në vendet e tjera", thotë Papyrou. "Ata nuk janë të prekur vetëm financiarisht. Kualiteti i jetës së tyre ka rënë shumë, sepse ata punojnë njëjtë për shumë më pak para." Ajo mendon se pjesën më të madhe të përgjegjësisë për gjendjen e kanë vetë grekët. "Prej 50 vjetësh atje ka një shkallë shumë të lartë të korrupsionit dhe asnjë qeveri nuk e ka zgjidhur këtë problem", pohon Papyrou. "Njerëzit në vendin tim duhet të fillojnë të përdorin trurin."
Shumë grekë në Bon nuk duan ta thonë mendimin e tyre hapur. Disa besojnë se mendimi i tyre nuk është me rëndësi. Ndërsa të tjerët, si Aleksis për shembull, mendojnë se shprehja publike e mendimit mund të ndikojë negativisht në punën e tij. "Herën e fundit kur ka shpërthyer kriza në vitin 2008, ne kemi biseduar me gazetarë të ndryshëm", thotë pronari i restorantit. "Pas një jave kemi humbur 10 % të klientëve." Të dielën grekët duhet të vendosin se cila është zgjidhja më e mirë për ta. Shumica e grekëve në Bon janë të mendimit se "Grexit", pra dalja e vendin nga Eurozona, është e papërfytyrueshme. Aleksi i përmbledh të gjitha emocionet e tij në një fjali: "Europa është fjalë greke." Pa Greqinë Evropa nuk mund të ekzistojë.