1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grevë në Izrael pasi pengjet u gjetën të vdekur

2 Shtator 2024

Pas gjetjes së gjashtë pengjeve të vdekur, presioni mbi Netanyahun rritet për një marrëveshje. Protesta u zhvilluan në Tel Aviv e Jeruzalem. Federata më e madhe e sindikatave ka shpallur një grevë të përgjithshme.

https://p.dw.com/p/4kAwg
Israel Anti-Regierungs-Proteste in Tel Aviv
Fotografi: Jack GUEZ/AFP

Izrael, federata kryesore e sindikatave, Histadrut, shpalli një grevë të përgjithshme sot pas zbulimit të gjashtë pengjeve të vdekur. Qëllimi është të rritet presioni ndaj qeverisë për të pranuar një armëpushim, u shpjegua. Pengët e mbetur, të mbajtur ende nga Hamasi në Rripin e Gazës, duhet të kthehen në shtëpi.

"Kam arritur në përfundimin se vetëm ndërhyrja jonë mund të zgjojë ata që duhet të zgjohen," tha lideri i Histadrut-it, Arnon Bar David, duke iu referuar qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu. Ai akuzohet se ka penguar marrëveshjen për lirimin e pengjeve duke shtuar kërkesat.

Duke filluar nga ora 6 e mëngjesit me orën lokale, "e gjithë ekonomia izraelite do të hyjë në grevë të plotë", shkroi lideri i sindikatës. Ai u bëri thirrje të gjithë punonjësve të sektorit publik që t'i bashkohen lëvizjes. Aeroporti kryesor i Izraelit, Ben Gurion, do të mbyllet nga ora 08:00.

Histadrut përfaqëson qindra mijëra punonjës. Bar David tha se fillimisht greva do të kufizohej të hënën. Ai kritikoi ashpër qeverinë se nuk kishte arritur një marrëveshje me Hamasin dhe se nuk i kishte kthyer të gjallë pengjet izraelitë nga Rripi i Gazës: "Ne po marrim thasë me trupa në vend të një marrëveshjeje".

Familjet e pengjeve i kishin bërë thirrje sindikatës

Më parë, forumi i familjeve të pengjeve kishte bërë thirrje për një grevë të përgjithshme dhe u kërkoi sindikatave të bashkoheshin me të. Forumi i familjeve të pengjeve dhe të zhdukurve shpjegoi se kjo ishte për të inkurajuar qeverinë që të lidhë menjëherë një marrëveshje për lirimin e pengjeve ende të gjallë.

Lideri i opozitës Yaïr Lapid iu bashkua këtij procesi. "Netanyahu dhe kabineti i vdekjes vendosën të mos i shpëtojnë pengjet,” shkroi ai në platformën X. Sipas tij, ata janë përgjegjës për vdekjen e pengjeve.

Proteste ne Tel Aviv
Fotografi: Jack GUEZ/AFP

Galant bën thirrje për anulimin e vendimit të kabinetit

Ministri izraelit i Mbrojtjes Yoav Gallant u bëri thirrje kolegëve të tij të kabinetit që të mos këmbëngulin, siç kishte vendosur më parë, për një prani të vazhdueshme ushtarake izraelite në "Korridorin e Filadelfias" përgjatë kufirit të Rripit të Gazës dhe Egjiptit. "Është tepër vonë për të rrëmbyerit, të cilët u vranë me gjakftohtësi,” shkroi ai në shërbimin e mesazheve X, "Pengjet e tjera të mbajtura ende nga Hamasi duhet të sillen në shtëpi”.

Kabineti i sigurisë vendosi natën nga e enjtja në të premte të lërë trupat izraelite në korridor. Kritikët e Netanyahut e akuzuan atë se kishte zgjedhur në këtë mënyrë të sakrifikonte de facto pengjet. Prania e trupave izraelite në zonën kufitare është një pikë qendrore e mosmarrëveshjes në negociatat për një armëpushim dhe lirimin e pengjeve. Gallant ishte i vetmi që votoi kundër vendimit të kabinetit.Qeveria duhet "të mblidhet menjëherë dhe të ndryshojë vendimin e marrë të enjten”, kërkoi ai tani.

Protesta masive të dielën

Tashmë të dielën në mbrëmje, qindra mijëra njerëz demonstruan për një marrëveshje të menjëhershme me Gazën në ndoshta demonstratat më të mëdha masive që nga fillimi i luftës në Gaza, sipas raporteve të mediave. Protestat në Tel Aviv dhe qytete të tjera kanë rezultuar ndonjëherë në përleshje me policinë. Sipas mediave lokale, janë arrestuar dhjetëra vetë.

Vetëm në metropolin bregdetar të Tel Avivit, sipas vlerësimeve të organizatorëve, u mblodhën rreth 300.000 vetë, siç raportoi "Times of Israel" në mbrëmje. Nuk kishte shifra zyrtare. Pjesëmarrësit në manifestimin e protestës bllokuan një autostradë qendrore në mbrëmje. Sipas raportimeve të mediave, ata hodhën gurë, gardhe, gozhda dhe sende metalike në rrugë, ndezën një zjarr dhe qëlluan fishekzjarrë në ajër.

Ushtria: pengjet u vranë nga Hamasi

Gati njëmbëdhjetë muaj pas sulmit të milicisë terroriste të Hamasit në Izrael, ushtria izraelite zbuloi të shtunën trupat e gjashtë pengjeve në një tunel afër Rafahut, në jug të Rripit të Gazës. "Ata u vranë brutalisht nga terroristët e Hamasit pak para se të arrinim tek ata”, tha zëdhënësi i ushtrisë Daniel Hagari.

Përfaqësuesit e Hamasit, megjithatë, akuzuan Izraelin se kishte vrarë gjashtë pengjet me bomba. Ushtria izraelite i hodhi poshtë këto deklarata, duke i quajtur ato "luftë psikologjike". Sipas mediave izraelite, tre nga pengjet e gjetura tani të vdekur do të liroheshin në rast të një marrëveshjeje.

Më 7 tetor, gjatë një sulmi në shkallë të gjerë kundër qyteteve të shumta në Izraelin jugor, militantët islamikë të Hamasit vranë më shumë se 1205 vetë dhe 251 i morën peng në Rripin e Gazës. Gati njëmbëdhjetë muaj më vonë, sipas informacioneve të fundit izraelite, rreth njëqind pengje ende mbahen nga Hamasi dhe grupet e tjera militante palestineze, dhe rreth një e treta e tyre tashmë kanë vdekur.

aud (rtr,tg)