Der Streit ums Geld und die Folgen für Europa
26 Tetor 2011"MERKOZY" i quajnë ata dhe pas këtij emërtimi fshihet frika. Angela Merkel dhe Nicolas Sarkozy vendosin tonin në bisedimet për masat, që duhen marrë në luftën kundër krizës evropiane të borxheve. Anëtarët e vegjël të BE-së ndihen të anashkaluar, kur anëtarët më të fuqishëm ekonomikë të BE-së flasin për çështje ekonomike, duke patur parasysh nevojat e veta dhe duke harruar të vegjëlit.
Kjo nuk është një gjë e pazakontë, sepse pavarësisht, nëse vendet janë të vogla apo të mëdha, në bisedime, që zhvillohen në BE, bëhet gjithnjë fjalë për përfitimet e secilit vend, thotë Emanuel Richter, që merret me shkencat politike në Universitetin Teknik të Ahenit (RWTH): "Shtetet evropiane janë kujdesur gjithnjë që të nxjerrin përfitimet e veta. Kjo nuk është dukur shumë, sepse deri tani nuk ka përfunduar në konflikte të mëdha."
Vendet e forta bëjnë presion
Tani konflikti i madh ka shpërthyer dhe meqenëse vendet më të fuqishme ekonomike ushtrojnë presion, sepse ato do të duhet të paguajnë edhe më shumë në fund, nëse jo gjithçka shkon mirë. Për shembull ushtrojnë presion mbi Italinë. Me indiferencë, buzëqeshje, por edhe më një lloj agresiviteti, Franca dhe Gjermania i kanë shtruar përpara detyrat kryeministrit italian, Silvio Berlusconi. Ai duhet të fillojë kursimet, në mënyrë që vendi i tij të mos jetë vendi tjetër evropian, i cili ka nevojë për para evropiane, shpjegojnë para publikut Merkel dhe Sarkozy. Presidenti francez shprehet kështu: "Askush nuk duhet të presë ndihma nga partnerët, nëse nuk bën vetë përpjekje."
Në Itali pati indinjata për këtë, edhe nëse Sarkozy ka të drejtë në atë, që thotë. Por, kur David Cameron, kryeministri britanik i dha këshilla shpëtuesve të euros, ato shkaktuan irritime të presidentit francez. Cameron do të bënte mirë të mbante gojë, tha ai, Britania e Madhe nuk është vend anëtar i zonës së euros.
Mund të duket, sikur kunjat janë pjesë e lojës politike, por Manuel Richter mendon se Merkel dhe Sarkozy përfaqësojnë në bisedimet aktuale rregullat e vendosura nga Pakti i Lizbonës, i cili është në fuqi që prej vitit 2009. Kryetarët e qeverive të vendeve evropiane vazhdojnë të vendosin të vetëm, pa Parlamentin e BE-së: "Merkel dhe Sarkozy japin të gjitha udhëzimet e mëdha politike, pa u këshilluar me partnerët e tjerë dhe pa u bekuar nga parlamentet."
Parlamentet dobësohen
Faktikisht, Parlamenti i BE-së dhe shumë parlamente kombëtare janë dobësuar politikisht prej krizës evropiane. Aq shpejt sa merren vendimet, deputetët nuk mund të mblidhen dhe të aprovojnë masat, që duhen marrë. Këshilli i Bashkimit Evropian, në të cilin janë përfaqësuar kryetarët e shteteve dhe të qeverive evropiane, ka fituar pushtet. Nga pikëpamja demokratike kjo duhet parë më kujdes, thotë Berthold Rittberger nga Universiteti Ludwig-Maximilians në Mynih.
Nga ana tjetër duket se politika përpiqet që në kuadër të krizës të nxjerrë rregulla të reja, që nxisin integrimin më të ngushtë të BE dhe të zonës së euros. Bashkimi monetar nuk do të shpërbëhet, sepse vendet e BE-së janë shumë të lidhur ekonomikisht dhe kërkush nuk do të kthehen në "oborrin kombëtar politik", thotë Rittberger.
Autor: Marlis Schaum/ Aida Cama
Redaktoi: Esat Ahmeti