1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grindje në Athinë për borxhet "e qethura"

28 Tetor 2011

Vendimi i Brukselit për “qethjen” e borxhit grek dhe përforcimin e mbikqyrjes financiare ngjalli reagime të ndryshme në Greqi. “Fitore historike”, siç thotë qeveria, apo “dështim dhe falimentim” siç thotë opozita?

https://p.dw.com/p/130jW
From left, Italian Prime Minister Silvio Berlusconi, Greek Prime Minister Giorgos Berluskoni, Papandreu dhe Helle Thorning-Schmidt, kryeministrat e Italisë, Greqisë dhe Danimarkës
Berluskoni, Papandreu dhe Helle Thorning-Schmidt, kryeministrat e Italisë, Greqisë dhe DanimarkësFotografi: dapd

Kryeministri grek Jorgos Papandreu, i kthyer në Athinë pas marrëveshjes së samitit të Brukselit me vendimin e tij “më historik” , siç e quajti fill pas tij, për qethjen e borxhit me rreth 100 miliardë euro, do të donte të kishte një ulje normale, si me avionin, edhe në pistën e politikës greke. Por boforët e deklaratave të opozitës, që në orët e para të mëngjesit të së enjtes, se nuk ka vend për “ditirambe”, nuk i prishën thjesht aspiratën.

Pas takimit me presidentin Papulias, që i kujtoi se “dita e nesërme do punë” dhe mbledhjes së Këshillit të Ministrave, kryeministri në mesazhin e mbremshëm drejtuar kombit përdori tone të ulëta, u shfaq autokritik kur tha se “nga ne, qeveritë me radhë, filloi problemi” dhe kërkoi përkushtim në faqen e re që hapet për “një shtet të ri dhe pa borxhe”. “Kriza na jep shansin dhe marrëveshja kohën të zgjedhim se cilat janë ato gjëra që kanë vlerë për ne grekët” tha kryeministri, i cili në mënyrë të përsëritur drejtoi apel për “të bërë ndryshimet e mëdha që të gjithë duam”. “Ne do ta rregullojmë Greqinë, asnjë tjetër nuk do ta bëjë për ne”.

Papandreu: “Asnjë tutelë dhe asnjë humbje për sovranitetin e vendit”

Pasi foli për “vitin tjetër pa pesha të reja borxhi mbi shpatullat e popullit” dhe siguroi qytetarët se “marrëveshja nuk krijon asnjë problem për sistemin e siguracionit social”, Papandreu hodhi poshtë gjithçka thuhet për “humbjen e sovranitetit të vendit” nga përforcimi i mëtejshëm i mbikqyrjes së vendosur në Bruksel. “Të kemi sigurisht know how, asistencë, praktika dhe këshilla të mira ekspertësh në vendin tonë, vetëm gjëra të mira mund të na ofrojë” theksoi Papandreu, kur politikanë dhe mediat bëjnë fjalë në tone të larta për “okupim ekonomik”. 

Për opozitën marrëveshja është “falimentim” dhe “institucionalizim i poshtërimit

Shpejt dhe pa humbur kohë opozita e majtë foli për “tutelë të përhershme” por edhe marrëveshje që çon në rrugë pa krye pasi “ka për bazë recetë të gabuar”. “Heqja e borxhit është e nevojshme por si mjet për zbatimin e një politike tjetër. Është dhuratë e padhuruar në qoftë se ka për tu vazhduar politika e recesionit dhe e shembjes sociale” deklaroi kreu i partisë së majtë SIRIZA Aleksis Cipras, i cili akuzoi qeverinë se “përpiqet të shesë si parajsë ato që për dy vjet i disaprovonte si skëterrë”, duke nënkuptuar retorikën e saj të deritanishme kundër një ristrukturimi të borxhit. “Është falimentim i kontrolluar që për mendimin tonë mund të çojë edhe në falimentim  të pakontrolluar” deklaroi nga ana e saj kryetarja e Partisë Komuniste Aleka Papariga, e cila foli për “talljen” që i bëhet popullit që “do të paguajë shumë shtrenjt të 100 miliardat euro që do t'i jepen vendit si ndihmë”. “Nuk janë vetëm të rrezikshëm për ato që pranuan, por shumë më të rrezikshëm me mënyrën që duan t'i pranojnë” deklaroi nga ana e tij kreu i partisë nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullor Jorgos Karaxhaferis, i cili foli për “institucionalizim të poshtërimit”. Partia e tij, që i ka dalë në krahë mjaft herë qeverisë këto dy vjet të memorandumit, tani nuk lë rast pa kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Opozita e djathtë: “Cikli për këtë qeveri u mbyll”

Me “vonesë”, i fundit pra, u prononcua kreu i së djathtës Andonis Samaras, pasi studioi fillimisht me stafin e tij pikat e “errëta” të marrëveshjes që, sipas tij, “nuk thotë asnjë fjalë për rimëkëmbjen”, por dhe “asgjë konkrete” për siguracionin social dhe likuiditetin, problemin numër një të ekonomisë. “Të gjithë ata që lëvdohen se do të sjellin Greqinë e vitit 2020 pas në vitin 2009 t'i venë gishtin kokës” tha Samaras duke kërkuar indirekt ndryshimin e skenës politike me shprehjen “cikli për këte qeveri u mbyll”, gjë që nuk përjashton edhe zgjedhjet e parakohshme. Gjithsesi partia e tij nuk thotë se nuk do të votojë për programin e ri dhe marrëveshjen në fund të vitit në parlament duke shpresuar, siç thonë analistët, t'i nxjerrin “gështenjat nga zjarri”  vetë deputetët e “revoltuar” të pozitës socialiste.

E vërteta sigurisht  fshihet diku midis panegjirikëve të qeverisë dhe kritikës dërrmuese të opozitës për “dështim”. “Greqia mbremë evitoi gjenë më të keqe që do të ishte një falimentim i plotë, por  ajo që kanë para tyre grekët është një e përpjetë e madhe, 10 vjet të ashpra dhe të vështira” sipas gazetarit Pavllos Cimas. Gjithsesi fjalën e fundit do ta thotë historia.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Aida Cama