1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grupi Negociator i Kosovës: Gati delegacioni që do të udhëtojë për në Vjenë

Bekim Shehu31 Mars 2006

Javën e ardhshme delegacioni i Kosovës do të zhvillojë takimin e tretë me palën serbe në Vjenë, ku do të diskutohet për decentralizimin

https://p.dw.com/p/ArhF
Prishtina
PrishtinaFotografi: AP

Grupi Negociator i Kosovës, niveli më i lartë politik në bisedimet për statusin analizoi në detaje draftin e ndërmjetësuesve ndërkombëtarë për decentralizimin në Kosovë. Ky dokument të cilin në Prishtinë e solli, Albert Rohan, do të jetë bazë e negociatave për takimin e radhës së Vjenës. Në këtë linjë, parimisht Grupi Negociator i Kosovës e miratoi këtë dokument mirëpo, ka nënvizuar shumë të ashtuquajtuarat vija të kuqe, të cilat Kosova nuk mund t'i kalojë. Skënder Hyseni, është pjesëmarrës në Grupin Negociator, i cili edhe pse pranoi që pala shqiptare ka shumë vërejtje për dokumentin megjithatë, nuk pranoi të thotë se cilat janë vërejtjet e bëra nga Grupi i Prishtinës.

Në dokumentin e ndërmjetësueve ndërkombëtarë, thuhet se përkrahet fuqishëm kërkesa e serbëve të Kosovës që komunat e reja serbe të kenë më shumë se 70 ose 80 %, të popullatës të banuar me serbë. Dokumenti në thelb poashtu përfshin pajtimet por edhe mospajtimet e deritanishme të shprehura ndërmjet palëve në bisedime, të cilët deri tani kanë mbajtur qëndrime të kundërta.

Ndër më të veçantat janë përgjegjësitë e komunave të reja, lidhjet ndërmjet tyre dhe ato me Beogradin si dhe financimin e tyre. Dokumenti i hartuar nga ndërmjetësueit ndërkombëtarë parasheh mundësinë që komunat e reja mund të krijojnë struktura ndërkomunale të bashkëpunimit dhe poashtu edhe mundësinë e krijimit të lidhjeve të posaçme të komunave me Beogradin në fusha të caktuara siç janë arsimi, mbrojtja shëndetësore dhe kultura.

Nëse të gjitha këto do të realizohen, analistët e këtushëm thonë se ky do të jetë çmimi për pavarësinë e Kosovës. Mirëpo, Skënder Hyseni, duke folur në emër të Grupit Negociator, këtë nuk e quan si çmim për pavarësinë.

Delegacioni i Kosovës, megjithatë sipas anëtarëve të tij do të udhëtojë për në Vjenë me datën 3 prill i përgatitur që të ballafaqohet me palën serbe edhe pse kësaj radhe duket se mospajtimet ndërmjet delegacioneve do të jenë të thella. Sidoqoftë, Grupi Negociator i Kosovës, miratoi përbërjen e delegacionit të Prishtinës që do të marrë pjesë në takimin e Vjenës. Delegacioni do të ketë 8 anëtarë dhe do të kryesohet nga zëvëndëskryeministri i Kosovës, Lutfi Haziri, i cili njëkohësisht është edhe ministër i Pushtetit Lokal.