Grupi Negociator, i mirëpërgatitur për bisedimet e radhës në Vjenë
3 Korrik 2006Reklamë
Anëtarët shqiptarë të Grupit negociator të Kosovës, thonë se janë të përgatitur për takimin e radhës shqiptaro serb, ku për herë të fundit do të bisedohet për çështjet e trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë. Ky takim do të mbahet më datën 11 korrik në Vjenë të Austrisë, takim ky që do të shënojë edhe fundin e bisedave teknike Prishtinë Beograd.
Ndërmjetësit ndërkombëtarë në bisedimet për statusin e Kosovës janë duke bërë përgatitje për të realizuar një takim të nivelit të lartë politik ndërmjet autoriteteve të Prishtinës dhe Beogadit, takim ky që pritet të mbahet në fund të muajit korrik. Zëdhënësi i Grupit negociator të Kosovës, Skënder Hyseni, thotë se pala kosovare e vlerëson si të rëndësishëm këtë takim të nivelit të lartë politik, Prishtinë-Beograd.
“Ky takim shënon mbylljen e një faze në procesin e statusit që janë bisedat për çështje teknike dhe fillimin e bisedave për statusin final të Kosovës”, tha Skender Hyseni.
Të mërkurën në Prishtinë, ndërkaq, do të qëndrojë për vizitë ndihmësi i ndërmjetësit ndërkombëtar në bisedimet për statusin, Albert Rohan, ndërsa të premten ai do të qëndrojë në Beograd. Një zëdhënëse e zotit Rohan, ka thënë se gjatë kësaj vizite, do të flitet për çështjet e trashëgimisë kulturore mirëpo, do të bisedohet edhe për decentralizimin çështje kjo e vështirë për t|u finalizuar në bisedimet shqiptaro serbe. Zëdhënësi, Skender Hyseni, thotë se, pala kosovare nuk do të lëvizë nga pozicioni i saj i deritashëm.
“Delegacioni i Kosovës mbetet në pozicionin e saj për tre plus një komuna serbe, mirëpo mund të ketë ndonjë lëvizje të vogël për zgjerimin e komunave me zona kadastrale sic janë Gracanica dhe Novobërda”, tha Skënder Hyseni.
Sidoqoftë, megjithë qëndrimet e palëkunduara të palës kosovare për decentralizimin, përfaqësues nga zyrat e ndërmjetësve ndërkombëtar në bisedimet për statusin, janë shprehur se bashkësia ndërkombëtare pret oferta të reja për decentralizimin nga të dyja palët, shqiptarët dhe serbët, përkatësisht Prishtina dhe Beogradi. Kjo për faktin që një marrëveshje e arritur ndërmjet palëve sipas tyre do të bënte të qëndrueshëm reformën dhe funksionimin e pushtetit lokal në Kosovë.
Reklamë