1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Grupi Negociator: Në Vjenë nuk do të bisedohet me autoritetet serbe çështja e statusit

Bekim Shehu17 Korrik 2006

Grupi Negociator i Kosovës vendosi në Prishtinë, t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së ndërmjetësuesit ndërkombëtar në bisedimet për statusin, Marti Ahtisari, për t’u takuar më autoritetet e larta serbe më 24 korrik në Vjenë

https://p.dw.com/p/AreG
Salla e Hofburgut në Vjenë, ku janë zhvilluar bisedimet shqiptaro-serbe
Salla e Hofburgut në Vjenë, ku janë zhvilluar bisedimet shqiptaro-serbeFotografi: AP

Grupi negociator i Kosovës është pajtuar që të marrë pjesë në takimin e nivelit të lartë politik me datën 24 korrik, për t’u takuar me autoritetet e larta të Beogradit në kuadër të bisedimeve për zgjidhjen e statusit.

Pas takimit që zhvilloi në Prishtinë mekanizmi më i lartë politik në Kosovë, u tha se, me autoritetet serbe nuk do të bisedohet çështja e statusit, mirëpo, nga pala shqiptare në këtë takim vetëm do të konfirmohet qëndrimi për pavarësinë e Kosovës.

Në takimin e grupit negociator ende nuk u caktua përbërja e delegacionit të Kosovës që do të udhëtojë më datën 24 korrik për në Vjenë, mirëpo, më herët në Prishtinë është thënë se, anëtarët e grupit negociator të Kosovës për në Vjenë duhet të udhëtojnë të gjithë së bashku dhe jo vetëm presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri, Agim Çeku.

Procesi i negociatave për çështjet teknike ndërmjet autoriteteve kosovare dhe atyre serbe, ndërkaq, akoma është duke vazhduar. Gjatë ditës së martë dhe të merkurë, delegacionet e të dyja palëve do të diskutojnë çështjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare si edhe mbi decentralizimin.

Për çështjen e reformës lokale në Kosovë, qëndrimet e palëve në bisedime vazhdojnë të jenë diametralisht të kundërta dhe pala kosovare në planin e saj për decentralizimin thotë se përfshin të drejtat e pakicave, ndërsa, serbëve do tu ofrohen pesë komuna. Megjithatë, njohësit e rrethanave në Kosovë thonë se pala kosovare dhe ajo serbe e Beogradit vështirë se do të mund të arrijnë ndonjë marrëveshje, mirëpo, në fund të fundit për reformën e pushtetit lokal në Kosovë do të vendosë KS-it i OKB-së.